Mësim gjithëditor, digjitalizim i shkollave, lidhje më e fortë e arsimit me tregun e punës – Premtimet e subjekteve politike për arsimin

Mungesa e Lëvizjes Vetëvendosje në debatin për arsimin u bë tema e parë e përballjes mes përfaqësueseve të partive opozitare, të cilat mungesën e përfaqësuesit të partisë në pushtet në “Debat Përnime” e lidhën me, siç thanë ato, dështimet e Qeverisë në sektorin e arsimit.

Në kuadër të debateve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026 në edicionin e të mërkurës (03.06.2026) të “Debat Përnime” u diskutua gjendja e arsimit në Kosovë dhe partitë politike shpalosën programet e tyre për këtë sektor.

Përfaqësuesja e AAK-së, Teuta Haxhiu, deklaroi se mungesa e përfaqësuesve të Vetëvendosjes në debat lidhet me, siç u shpreh ajo, mosbesimin e vetë Qeverisë ndaj sistemit arsimor që ka udhëhequr.

Ajo përmendi rezultatet e testit PISA dhe gjendjen e arsimit gjatë qeverisjes së kësaj partie, duke vlerësuar se Kosova ka shënuar rënie në këtë sektor.

“Arsyeja pse Vetëvendosja nuk vjen në debat është ngase nuk i beson sistemit arsimor, për vetë faktin që kryeministri i vendit nuk e ka fëmijën në sistemin arsimor në Kosovë”, – deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, sistemi arsimor është lënë pas dore për shkak të mungesës së investimeve, trajtimit të pamjaftueshëm të mësimdhënësve dhe mungesës së reformave ligjore.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila renditi një sërë kritikash ndaj Ministrisë së Arsimit, duke përmendur vonesat në fillimin e viteve shkollore, problemet me shpërndarjen e teksteve dhe mungesën e investimeve në digjitalizim.

Ajo tha se gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti, viti shkollor ka nisur me vonesa të përsëritura dhe se procesi i subvencionimit të teksteve shkollore ka prodhuar probleme për prindërit.

“Rezultatet shumë të dobëta në PISA, ndërhyrja në reformën e arsimit në nivel komunal, për çka ministrja në fjalë, zonja Nagavci, ka shkelur Kushtetutën e Kosovës”, – tha Hoxha, duke shtuar se fondet e planifikuara për digjitalizim nuk janë shpenzuar për disa vite me radhë.

Edhe kandidatja e LDK-së për deputete, Jehona Lushaku-Sadriu, e cilësoi mungesën e Vetëvendosjes pasojë të mungesës së rezultateve në arsim.

Ajo akuzoi Qeverinë për mosrealizim të reformave, mungesë investimesh në shkolla, mosmbështetje të familjeve me fëmijë me nevoja të veçanta dhe mungesë të projekteve për zgjerimin e rrjetit të çerdheve publike.

“Vetëvendosja s’vjen në debat sepse s’ka çfarë me prezantu, s’ka rezultate, s’ka asnjë reformë në arsim në asnjë nivel”, – deklaroi Lushaku-Sadriu.

Duke iu referuar premtimeve për ndërtimin e çerdheve, ajo tha se numri i fëmijëve të përfshirë në edukimin parashkollor mbetet shumë i ulët krahasuar me nevojat reale dhe sfidoi publikisht Qeverinë që të paraqesë projektet e realizuara në këtë drejtim.

Ndërkaq, përfaqësuesja e PSD-së, Teuta Rrusta, e interpretoi mungesën e Vetëvendosjes si pjesë të një strategjie politike.

Sipas saj, partia në pushtet po përpiqet të krijojë diferencim politik përmes mospjesëmarrjes në debate publike, megjithëse, siç tha ajo, nuk ka dëshmuar se e ka trajtuar arsimin si prioritet qeverisës.

“Unë e shoh refuzimin e tyre pak më politik, për shkak se nuk mendoj që është mosguximshmëria për ballafaqim, por ata duan të jenë subjekt shumë arrogant, duan të bëjnë diferencën kështu, duke mos marrë pjesë nëpër debate”, – tha Rrusta.

Pas kritikave për mungesën e Vetëvendosjes në debat, përfaqësueset e partive politike shpalosën programet e tyre për arsimin, duke premtuar investime në mësimin gjithëditor, digjitalizimin e shkollave, ndërtimin e çerdheve dhe lidhjen më të fortë të arsimit me tregun e punës.

Përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se programi i kësaj partie, i udhëhequr nga kandidati për kryeministër Bedri Hamza, synon ta vendosë arsimin në qendër të investimeve, me theks të veçantë te digjitalizimi dhe modernizimi i procesit mësimor.

Ajo vlerësoi se shkollat në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë me metoda të vjetëruara, ndërsa fëmijët jetojnë në një realitet krejtësisht tjetër teknologjik.

“Fëmijët sot komunikojnë, punojnë gjatë gjithë ditës me mjete digjitale, përderisa kur shkojnë në shkollë gjithçka kthehet në formatin kur unë e ti kemi qenë në shkollë”, – tha Hoxha.

Sipas saj, një ndër prioritetet do të jetë zgjerimi i mësimit gjithëditor, ku përveç pjesës teorike, nxënësit do të përfshihen në aktivitete praktike dhe sociale gjatë gjithë ditës.

Hoxha tha se PDK synon gjithashtu ta afrojë arsimin me nevojat reale të ekonomisë dhe tregut të punës, duke argumentuar se deri më tani mungon një analizë serioze për profesionet dhe aftësitë që i duhen Kosovës në të ardhmen.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, e cilësoi arsimin si “prioritet absolut” të programit të partisë së saj.

Ajo prezantoi një paketë premtimesh që përfshin mësimin gjithëditor, digjitalizimin e teksteve shkollore, përfundimin e detyrave të shtëpisë në shkollë, rritjen e pagave të mësimdhënësve dhe zgjerimin e rrjetit të çerdheve publike.

“Mësimi tërëditor është prioriteti ynë absolut”, – deklaroi Lushaku-Sadriu.

Ajo premtoi se LDK do të investojë një miliard euro gjatë katër viteve të ardhshme për zbatimin e këtij modeli, duke përfshirë edhe sigurimin e një shujte të ngrohtë për çdo nxënës.

Një nga premtimet kryesore të saj ishte edhe rritja e pagës minimale të mësimdhënësve në 1.000 euro.

“Do t’u bëjmë pagën 1.000 euro minimumi për secilin mësimdhënës në sistemin e arsimit”, – tha ajo.

Lushaku-Sadriu premtoi po ashtu ndërtimin e 80 çerdheve publike në të gjitha komunat e Kosovës, me një investim prej 60 milionë eurosh.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se programi i Aleancës synon një reformë të thellë të sistemit arsimor, me fokus në aftësitë praktike dhe profesionale.

Ajo premtoi përfshirjen e plotë të fëmijëve të moshës parashkollore në sistemin edukativ, si dhe zbatimin e mësimit gjithëditor, por vetëm pas krijimit të bazës ligjore për funksionimin e tij.

“Pa bazë ligjore ne mund të bëjmë eksperimente, mirëpo nuk mund t’i trajtojmë njëjtë mësimdhënësit që punojnë në mësimin tërditor”, – deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, reforma duhet të shoqërohet me rritje të pagave të mësimdhënësve, përmirësim të kushteve në shkolla dhe riorganizim të arsimit profesional.

AAK premtoi gjithashtu rishikimin e teksteve mësimore, me synimin që nxënësit të mësojnë më shumë për periudhat historike dhe procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, përfaqësuesja e PSD-së, Teuta Rrusta, argumentoi se problemet e arsimit nuk mund të adresohen vetëm përmes investimeve infrastrukturore, pasi sipas saj kriza është shumë më e thellë dhe sistemike.

Ajo tha se rezultatet e dobëta të Kosovës në testin PISA nuk janë problem i një qeverie të vetme, por pasojë e mangësive të akumuluara ndër vite.

“Problemi me PISA-n s’ka nisur në këtë qeveri që është MASHT-i, ne keq dalim në test sa herë hymë”, – tha Rrusta.

PSD vuri theks të veçantë te reformimi i Fakultetit të Edukimit dhe ngritja e standardeve për përgatitjen e mësimdhënësve.

Rrusta argumentoi se sistemi aktual nuk po i përgatit të rinjtë për ndryshimet e shpejta që po sjell zhvillimi teknologjik dhe inteligjenca artificiale.

“Sot duke qenë Inteligjenca Artificiale duke u zgjeruar, kërkuesi i dijes lypet edhe instrumente të reja qysh ne thithim dije. E që kjo, shkolla, sistemi ynë arsimor hala dështon me iu përgjigj kësaj”, – deklaroi ajo.

Debati u zhvendos më pas te përgjegjësitë politike për gjendjen aktuale të arsimit.

Teuta Rrusta kritikoi partitë tradicionale, duke thënë se problemet në arsim janë krijuar gjatë viteve të qeverisjeve të tyre dhe se nuk mund të trajtohen si dështime të një mandati të vetëm.

Ajo vuri në pikëpyetje angazhimin e PDK-së për arsimin gjatë kohës sa ishte në pushtet.

“Eliza, a mendon që ka qenë prioritet i PDK-së arsimi?” – pyeti ajo gjatë debatit.

Hoxha pranoi se arsimi nuk ka qenë gjithmonë prioriteti kryesor i qeverive, por argumentoi se transformimi i sistemit kërkon një marrëveshje afatgjatë mes të gjitha forcave politike.

“Arsimi do trajtohet si duhet nga cilado parti në pushtet, nëse ne vendosim si shoqëri dhe si parti politike që ai të jetë prioriteti numër një me konsensus të paktën 10-vjeçar”, – tha ajo.

Megjithatë, Rrusta kundërshtoi idenë e një konsensusi të tillë politik, duke argumentuar se zhvillimi vjen përmes përplasjes së ideve dhe qasjeve të ndryshme.

Pikërisht mësimi gjithëditor u bë një nga temat që nxiti debatet më të forta mes panelisteve.

Përfaqësuesja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, argumentoi se përvoja e komunave që kanë eksperimentuar këtë model ka treguar se ai mund të funksionojë dhe të japë rezultate, duke kërkuar që praktikat e suksesshme të shërbejnë si bazë për një reformë më të gjerë në nivel vendi.

“Konsensus nacional ndodh atëherë kur pajtohemi vërtetë se çka ka qenë e mirë edhe prej të kaluarës, edhe çka është eksperimentuar edhe nëpër komuna, edhe qysh është modeli më i mirë”, – tha Lushaku-Sadriu.

Ajo theksoi se problemet e arsimit nuk mund t’i atribuohen vetëm Fakultetit të Edukimit, por kërkojnë investime të drejtpërdrejta nga qeveria dhe politika më të qarta për mbështetjen e mësimdhënësve.

Sipas saj, mësuesit janë mbingarkuar me procedura administrative dhe burokraci që ua vështirësojnë punën e përditshme.

“Shumë arsimtarë dorëzohen”, – deklaroi ajo.

Por kjo qasje u kundërshtua nga deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila insistoi se zbatimi i mësimit gjithëditor nuk mund të bëhet pa një bazë të qartë ligjore dhe pa planifikim financiar.

Ajo tha se para se të shtrihet ky model në të gjitha komunat, duhet të përcaktohen obligimet ligjore, kostot dhe mënyra e trajtimit të mësimdhënësve që do të punojnë me orar të zgjatur.

“Me bazën ligjore, domethënë ti i obligon secilën komunë me pasë mësim tërëditor, duke ditur sa ke buxhet, sa do t’i paguash mësimdhënësit”, – tha Haxhiu.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe dallimet në kushtet e shkollimit mes zonave të ndryshme të vendit.

Kritike ndaj modelit të mësimit gjithëditor të zbatuar në Prishtinë u tregua edhe përfaqësuesja e PSD-së, Teuta Rrusta.

Sipas saj, pilotimi i këtij modeli pa kushte të mjaftueshme infrastrukturore dhe organizative rrezikon ta dëmtojë vetë idenë e reformës.

“Kur fillohet mësimi gjithëditor duke u pilotu pa minimumin e kushteve, mbasandaj veç po e saboton idenë e mësimit gjithëditor”, – deklaroi Rrusta.

Ajo tha se në kryeqytet ka pasur ankesa dhe kritika për mënyrën e zbatimit të këtij modeli, duke e cilësuar atë si një projekt të pamjaftueshëm për t’u marrë si shembull kombëtar.

Kjo nxiti reagimin e Lushaku-Sadriut, e cila mbrojti modelin e aplikuar në Prishtinë dhe argumentoi se ai është përmirësuar pikërisht duke mësuar nga gabimet e mëhershme.

“Ne e kemi mësuar prej gabimeve që i ka bërë PSD-ja në Prishtinë në atë kohë, ne e kemi bërë modelin tjetër”, – tha ajo.

Lushaku-Sadriu theksoi se problemi kryesor mbetet mungesa e mbështetjes financiare nga niveli qendror, duke kërkuar investime shtesë nga Qeveria për zgjerimin e mësimit gjithëditor në të gjithë Kosovën.

Debati më pas mori një drejtim politik, kur Teuta Rrusta kritikoi bartësen e listës së LDK-së, presidenten Vjosa Osmani, për vendimin që fëmijët e saj të mos vijojnë shkollimin në sistemin publik.

Sipas saj, një veprim i tillë dërgon mesazh negativ për shkollat publike.

“Bartja e listës tuaj i ka tërhequr fëmijët prej shkollës publike”, – tha Rrusta.

Lushaku-Sadriu  u kundërpërgjigj duke argumentuar se çështja nuk duhet të fokusohet te individët, por te krijimi i kushteve që të gjitha familjet të kenë mundësi t’i mbajnë fëmijët në shkollë gjatë gjithë ditës.

“Mësimi ditor duhet me pasë krejt shkollat publike që nënat të cilat kanë karrierë duhet me pasë mundësinë që fëmijën me pasë tetë orë në shkollë”, – deklaroi ajo.

Rrusta kundërshtoi këtë argument, duke thënë se presidentja nuk mund të merret si shembull i përditshmërisë së grave të zakonshme, pasi gëzon kushte krejtësisht të ndryshme nga shumica e qytetareve.

Ndërsa, përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, riktheu diskutimin te çështjet programore, duke argumentuar se arsimi ka nevojë për reforma më të thella sesa debatet politike të momentit.

Ajo vuri theksin te nevoja për rishikimin e kurrikulave, ngritjen profesionale të vazhdueshme të mësimdhënësve, paga më të dinjitetshme dhe rritjen e sigurisë në shkolla.

Ndërsa Lushaku-Sadriu ritheksoi se objektivi i saj mbetet krijimi i kushteve që çdo fëmijë në Kosovë të ketë qasje në mësimin gjithëditor në shkollat publike.

Gjatë debatit u hap edhe tema e statusit të mësimdhënësve dhe trajtimit të punëtorëve të arsimit, ku përfaqësuesja e AAK-së, Teuta Haxhiu, rikujtoi miratimin e ligjit për arsimtarët e viteve ’90 gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.

Ajo tha se përmes këtij ligji janë trajtuar rreth 9.000 përfitues dhe se kjo përbën një nga shembujt konkretë të mbështetjes së sektorit të arsimit.

“Nëse ne vërtet nuk i besojmë sistemit arsimor, atëherë nuk mund të themi që e kemi prioritet arsimin dhe mësimdhënësit”, – deklaroi Haxhiu, duke shtuar se shumë mësimdhënës detyrohen të kryejnë edhe punë të tjera për shkak të pagave të pamjaftueshme.

Përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cilësoi ligjin për punëtorët e arsimit të viteve ’90 si një nga proceset më të rëndësishme për njohjen e kontributit të tyre, duke kujtuar sfidat ligjore që kanë shoqëruar zbatimin e tij.

Debati më pas u zhvendos te një nga çështjet më të diskutuara në sistemin arsimor, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe digjitalizimi i shkollave.

Kosova vazhdon të mbetet prapa në përdorimin e teknologjisë në arsim, ndërsa proceset për vlerësimin e mësuesve kanë hasur në kundërshtime dhe zvarritje.

Nga partitë politike u kërkua të shpjegojnë se si do të sigurojnë matjen e performancës së mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.

Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK prezantoi planin e partisë për krijimin e një qendre kombëtare të pavarur që do të merrej me testimin, certifikimin dhe avancimin profesional të mësimdhënësve.

Sipas saj, rekrutimi i kuadrove të reja nuk duhet të mbetet kompetencë e komunave, pasi kjo krijon hapësirë për ndikime politike.

“Duhet patjetër me qenë një institucion i pavarur kombëtar që e bën këtë dhe i heq edhe komunat prej ndikimit të kësaj”, – tha Lushaku.

Ajo shtoi se qendra e propozuar do të merrej edhe me trajnimet e vazhdueshme profesionale, digjitalizimin e kurrikulave dhe përdorimin e teknologjisë në procesin mësimor.

E pyetur se çfarë do të ndodhë me mësimdhënësit aktualë që refuzojnë ose hezitojnë t’i nënshtrohen vlerësimit, Lushaku-Sadriu tha se qëllimi nuk është largimi i tyre nga puna, por ngritja e kapaciteteve profesionale.

“Duhet me pasë një test kombëtar për të gjithë mësimdhënësit në kuptimin e matjes së performancës. Po kjo nuk domethënë që i heqim prej pune, po kjo domethënë me investu që me i avancu”, – deklaroi ajo.

Ndërkohë, Teuta Haxhiu nga AAK tha se procesi i rivlerësimit të mësimdhënësve tashmë është zhvilluar në një pjesë të madhe të sistemit arsimor dhe nuk duhet të paraqitet si reformë e re.

Duke folur nga përvoja e saj si drejtoreshë shkolle, ajo argumentoi se shumica e mësimdhënësve tashmë janë rilicencuar dhe se problemi kryesor mbetet mungesa e investimeve serioze në sistem.

“Duhet me investu në arsim, duhet me investu në planprograme”, – tha Haxhiu.

Ajo kritikoi edhe ngarkesën e madhe të nxënësve me tekste shkollore, duke kërkuar rishikim të thellë të tyre dhe më shumë hapësirë për përdorimin e materialeve digjitale.

Sipas saj, mësuesit duhet të kenë më shumë autonomi në zgjedhjen e teksteve që përdoren në mësimdhënie.

AAK premtoi gjithashtu një rishikim të përmbajtjes së librave shkollorë, me qëllim që nxënësit të mësojnë më shumë për historinë moderne të Kosovës, për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për ngjarjet që kanë shënuar rrugëtimin e vendit drejt pavarësisë.

Diskutimi për cilësinë në arsim u përqendrua më pas te pozita e mësimdhënësve, mënyra e vlerësimit të tyre dhe reformat që partitë propozojnë për ngritjen e performancës në shkolla.

Përfaqësuesja e PSD-së, Teuta Rrusta, kritikoi qasjen e Qeverisë aktuale ndaj mësimdhënësve, duke thënë se procesi i vlerësimit është perceptuar më shumë si ndëshkim sesa si mundësi për zhvillim profesional.

Sipas saj, mësuesit nuk duhet të trajtohen si fajtorët kryesorë për rezultatet e dobëta në arsim, pasi ata janë produkt i vetë sistemit që është ndërtuar ndër vite.

“Është dukur si ndëshkim edhe është dukur që ata që nuk dinë i kanë fajet ata, e jo që janë produkt të sistemit arsimor në Kosovë”, – tha Rrusta.

Ajo tha se mënyra se si janë trajtuar mësimdhënësit gjatë viteve të fundit ka ndikuar në humbjen e autoritetit dhe vetëbesimit të tyre në klasë.

Rrusta argumentoi se përmirësimi i cilësisë nuk mund të arrihet pa përmirësuar kushtet ekonomike të mësuesve.

“Rroga nuk është veç që po të paguajnë. Rroga është edhe diçka për të cilën ti s’preokupohesh mandej a ke gjërat elementare te shtëpia”, – deklaroi ajo.

Edhe përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, u shpreh kundër një sistemi që mbështetet kryesisht në kontroll dhe ndëshkim.

Ajo tha se reforma duhet të ndërtohet mbi motivimin dhe avancimin profesional të mësimdhënësve, duke krijuar mekanizma që i nxisin ata të zhvillohen vazhdimisht.

“Duhet të kemi një platformë e cila është progresive, jo e ndëshkimit dhe e disiplinimit në idenë e frikës, por në idenë e nxitjes dhe vullnetit të mësimdhënësve për të ecur përpara”, – tha Hoxha.

Sipas saj, sistemi duhet të vendosë standarde të qarta profesionale dhe t’u ofrojë mësuesve mundësi për trajnime, certifikime dhe avancim, pa ushtruar presion politik apo institucional.

Hoxha ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e aftësive pedagogjike te një pjesë e kuadrit arsimor.

Ajo argumentoi se shumë mësimdhënës kanë kualifikime formale, por jo domosdoshmërisht aftësitë e nevojshme për të krijuar marrëdhënie cilësore me nxënësit dhe studentët.

“Ne kemi mësimdhënës ekselentë në kuptimin e dokumentacionit, por shumë prej tyre nuk kanë aftësi pedagogjike të theksuara”, – deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK tha se performanca duhet të lidhet drejtpërdrejt me avancimin në karrierë dhe me pagën.

Ajo argumentoi se mësuesit që investojnë në zhvillimin profesional duhet të shpërblehen financiarisht, ndërsa ata që zgjedhin të mos avancohen mund të vazhdojnë punën në të njëjtin nivel.

“Performanca e mësuesit duhet me u lidhë edhe me pagën”, – tha Lushaku-Sadriu.

Ajo përsëriti idenë për krijimin e një institucioni të pavarur që do të merrej me matjen e performancës, trajnimin dhe avancimin profesional të mësimdhënësve.

Në debat u ngrit edhe çështja e mësuesve që nuk arrijnë t’u përshtaten kërkesave të reja të sistemit arsimor.

Teuta Rrusta tha se partitë politike po shmangin një debat të vështirë, por të domosdoshëm, për ata mësimdhënës që nuk mund të përmbushin më standardet bashkëkohore të mësimdhënies.

“Ama asnjë parti s’po e ka guximin me thënë që janë ndonjë gjeneratë ose disa mësimdhënës që nuk mund të trajnohen më”, – deklaroi ajo.

Sipas saj, sistemi duhet të shqyrtojë edhe mundësi si pensionimi i parakohshëm ose sistemimi në pozita të tjera për ata që nuk mund t’u përgjigjen më kërkesave të reformave.

Kjo ide gjeti mbështetje të pjesshme te Teuta Haxhiu nga AAK, e cila tha se ka mësimdhënës që përballen me probleme shëndetësore ose sociale dhe që do të dëshironin të pensionoheshin më herët, por nuk e bëjnë për shkak të pasigurisë financiare.

“Ka të interesuar që kanë vullnet me u pensionu, por pa e pasur pagën e dinjitetshme, ai detyrohet me e mbajtë familjen”, – tha Haxhiu.

Ajo argumentoi se përmirësimi i pagave dhe trajtimi më dinjitoz i mësimdhënësve do të krijonte kushte më të mira edhe për rikualifikim, trajnim dhe reforma të tjera në sistem.

Debati për universitetet u përqendrua te kriza e cilësisë, mungesa e financimit, si dhe raporti mes autonomisë akademike dhe ndikimit politik, ndërsa u ngrit edhe çështja e integrimit të Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe lidhjes së arsimit të lartë me tregun e punës.

Universitetet në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme të brendshme menaxheriale, të cilat sipas saj janë thelluar edhe nga ulja e tarifave të studimit dhe kufizimet buxhetore.

Përfaqësuesja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e vendosi theksin te autonomia e plotë institucionale e universiteteve, duke argumentuar se ndërhyrja politike ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka dëmtuar funksionimin e tyre.

Sipas saj, ndërhyrjet në bordet universitare dhe në vendimmarrje kanë krijuar tensione të vazhdueshme dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në motivimin e stafit akademik.

“Mosndërhyrja politike, pastaj pagat normal, prapë dyfishimi i pagave”, – tha Haxhiu, duke shtuar se pa një rritje të qëndrueshme të financimit, universitetet nuk mund të ecin përpara.

Ajo e lidhi gjendjen e arsimit të lartë me zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se mungesa e investimeve dhe e rritjes ekonomike e kufizon edhe rritjen e pagave dhe kapaciteteve universitare.

Haxhiu ngriti gjithashtu çështjen e pabarazisë në sistemin e pensioneve dhe trajtimit të punëtorëve të arsimit, duke e lidhur këtë me mungesën e vlerësimit institucional për profesionin akademik.

Në një moment më kritik, ajo foli edhe për procesin e integrimit të universiteteve në zonat me shumicë serbe, duke e parë atë si të paplotë dhe të paqëndrueshëm në aspektin shtetëror.

Sipas saj, mungesa e një qasjeje të qartë shtetërore ka krijuar situatë ku integrimi institucional mbetet i pjesshëm dhe i diskutueshëm.

Në anën tjetër, Teuta Rusta nga PSD e zhvendosi diskutimin më shumë te rrënjët e problemit, duke theksuar se sfidat në universitete fillojnë shumë më herët, në arsimin parashkollor dhe në pabarazitë mes zonave urbane dhe rurale.

Ajo tha se studentët që vijnë nga zonat rurale shpesh mbërrijnë në universitet me boshllëqe të mëdha arsimore, të krijuara që në fëmijërinë e hershme, duke thelluar kështu hendekun social dhe arsimor.

Rrusta gjithashtu kritikoi karakterin e Universitetit të Prishtinës, duke e cilësuar si institucion të ngurtë dhe rezistent ndaj ndryshimeve akademike dhe metodologjike.

“Universiteti i Prishtinës shumë pak e ka synim arritjen e dijes së re, më shumë është në mbrojtje të vetes”, – tha ajo, duke shtuar se depolitizimi i universiteteve është kusht themelor për ndryshim.

Sipas saj, pa një transformim më të gjerë shoqëror, çdo reformë universitare mbetet e kufizuar dhe sipërfaqësore.

Përfaqësuesja e PDK-së, Eliza Hoxha, pranoi se universitetet publike përballen me sfida të mëdha strukturore, por theksoi se problemet nuk janë uniforme dhe kërkojnë qasje të shumëanshme.

Ajo vuri theksin te mungesa e investimeve në infrastrukturë, digjitalizim dhe sidomos në zhvillimin profesional të stafit akademik.

Sipas saj, shumë profesorë në Kosovë punojnë pa mbështetje institucionale për kërkime shkencore dhe detyrohen të financojnë vetë aktivitetet e tyre akademike.

“Buxheti i UP-së nuk është rritur asnjëherë këto katër vitet e fundit”, – tha Hoxha, duke shtuar se mungesa e fondeve për botime dhe projekte kërkimore e ka dobësuar ndjeshëm prodhimin shkencor.

Ajo propozoi gjithashtu një rikonfigurim të universiteteve rajonale, duke sugjeruar profilizim të tyre sipas fushave specifike të studimit, në mënyrë që të shmanget përsëritja e programeve dhe të rritet specializimi akademik.

Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK kërkoi një reformë më të strukturuar dhe më të matshme në arsimin e lartë, duke propozuar krijimin e një sistemi kombëtar të profilizimit dhe rangimit të universiteteve.

Ajo tha se universitetet duhet të funksionojnë mbi bazën e performancës dhe konkurrencës akademike, të mbështetura nga fonde të ekselencës për institucionet dhe individët më të suksesshëm.

“Duhet të kemi një rangim nacional të universiteteve”, – tha Lushaku.

Sipas saj, ndërkombëtarizimi, bursat dhe projektet me Bashkimin Europian janë çelës për modernizimin e universiteteve dhe për përmirësimin e kurrikulave.

www.kallxo.com