Gjykimi ndaj ortopedit të akuzuar se ishte kapur nën masa të fshehta duke marrë ryshfet

Sabit Sllamniku i akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre si Kryetar i Komisonit për vlerësimin e invaliditetit është ballafaquar me dëgjimin e dy dëshmitarëve. I njëjti akuzohet se ka kërkuar e më pas pranuar para për dhënien e vlerësimit për Invaliditet.

Rasti kishte filluar të hetohet dhe ishte finalizuar me aktakuzë për Sabit Sllamnikun pas raportimit që kishte bërë KALLXO.com në korrikun e vitit 2021. Fillimisht në KALLXO.com ishte paraqitur viktima, i cili pretendonte se një doktor po i kërkonte para për t`ia caktuar masën e invaliditetit në mënyrë që më pas viktima të merrte pension.

Në seancën e së premtes më 23.02.2024 janë dëgjuar dëshmitari, Sherif Bytyqi dhe Fatbardh Makolli, të cilët ishin propozuar nga mbrojta e të akuzuarit Sabit Sllamniku, avokati Driton Muharremi.

Bytyqi i cili mban postin e shefit të sektorit për buxhet dhe financa në QKUK tha se nuk ka ndonjë akt nënligjor apo ndonjë rregullore për mënyrën se si bëhet pagesa për ekspertët e caktuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

“Jo nuk kemi rregullore për përcaktimin e kësaj baze”- tha Bytyqi.

“Raportet financiare mes Gjykatës dhe QKUK-së nuk ekzistojnë të definuara dhe në mungesë të tyre ne nuk e kemi mundësinë që t`iu bëjmë pagesën këtyre ekspertëve. Prandaj sot e kësaj dite, pagesa ju bëhet direkt nga Gjykata këtyre ekspertëve apo mjekëve…”- shtoi tutje dëshmitari.

Dëshmitari tha se ka pranuar ankesa nga mjekët-ekspertë, se nuk po u bëhet pagesa për ekspertizat që po i kryejnë.

“Po, forma të ankesave kam pranuar kur kam qenë direkt në zyre edhe ju kemi dhënë të njëjtën përgjigje të gjithëve. Kjo çështje nuk është e rregulluar sa i përket çështjeve të pagesave nga ana e QKUK-së që të bëhet pagesa e juaj, por jo pasi po i kryeni ato shërbime ndaj Gjykatës dhe Gjykata ndan mjete për këtë veprim apo shërbim që bëhet, kërkoni nga Gjykata që edhe pagesa juaj si ju bëhet të tjerëve, mjekëve të tjerë të ju bëhet edhe juve”- tha dëshmitari.

Dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari Fatdhardh Makolli, i cili ishte avokat i të dëmtuares F. K. në procedurë administrative që kishin të bënin me rastin e vlerësimit të e invaliditetit.

Dëshmitari tha se sipas praktikës, pagesat e ekspertëve mjekësor që janë propozuar nga pala, janë paguar nga pala propozuesi, në seancë ku është konstatuar në procesverbal, me kalimin e kohës pagesat kanë filluar të kryhen në xhirollogari bankare.

“Sipas praktikës pagesa e ekspertëve mjekësor të propozuar nga ana ime në fillim është bërë nëpër seanca dhe pas ekzaminimit të paditësit është konstatuar në procesverbal të seancës në ndërkohë ka filluar të aplikohet pagesa nëpërmjet xhirollogarisë personale të ekspertëve që e kanë bërë ekspertizën”- tha dëshmitari.

Pas dëgjimit të dy dëshmitarëve, prokurori Zef Prendrecaj administroi provat materiale kurse mbrojtësi i të akuzuarit Sabi Sllamniku, Driton Muharremi propozoi që të administrohen disa prova të tjera për të cilat Gjykata në përbërje prej Alltëne Murseli, Gazmend Bahtiri dhe Gëzim Ademi pritet të vendosë në seancën e radhës e cila do të mbahet më 30.04.2024.

Driton Muharremi tha se dispozitivi II i aktakuzës është ndërtuar mbi bazën e provave që i kanë propozuar ata {pala e akuzuar} gjatë fazës së hetimeve.

Sipas aktakuzës e cila i është dorëzuar Gjykatës më 31.10.2022, i akuzuari Sabit Sllamniku si kryetar i komisionit për Vlerësimin e Invaliditetit kishte kërkuar 100 euro nga i dëmtuari E. S. në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

I akuzuari sipas prokurorisë thuhet se i ka kërkuar nga 100 euro, para kishte kërkuar edhe për anëtarët e tjerë të komisonit për vlerësimin e Invaliditetit, përkatësisht në shumën prej 300 euro gjithsej.

Sllamniku sipas dosjes së Prokurorisë më 13.07.2021 ishte nxënë nën masa të fshehta të vëzhgimit duke pranuar shumën prej 100 euro në formë të ryshfetit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Në diapozitivin e dytë të aktakuzës, Sllamniku si Mjek Ortoped në QKUK si kryetar i komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit me qëllim që të përfitoj për anëtarët e tjerë të komisonit, I. M. dhe G. M., më datë 11.06.2021 ka kërkuar nga e dëmtuara F. K.,  t`i paguhen paratë në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit.

Sipas Prokurorisë, Sllamniku si kryetar i Komisionit ka kërkuar që përmes bankës t`i paguheshin 100 euro për secilin anëtarë të komisionit përmes bankës.

Djali i të dëmtuarës në po atë daë kishte deponuar në xhirollogari nga 100 euro për secilin anëtarë të komisionit.

Kështu i njëjti akuzohet për marrje ryshfeti dhe për diapozitivin dy akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Aktakuza për Sabit Sllamnikun ishte ngritur nga prokurori Shkelzen Ibrahimi.