Foto: Ilustrim

Arrestimi i doktorit në Ortopedi u bë pas raportimit të KALLXO.com

Një doktor në Klinikën e Ortopedisë është arrestuar gjatë ditës së sotme brenda objektit të klinikës nën dyshimin për marrje ryshfeti.

“Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të prokurorit ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet S. S., mjek në ShSKUK, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – Marrja e ryshfetit”, ka njoftuar Prokuroria në Prishtinë.

I gjithë hetimi dhe arrestimi u bë pas raportimit të KALLXO.com.

Fillimisht në KALLXO.com ishte paraqitur viktima i cili pretendonte se një doktor po i kërkonte para për t`ia caktuar masën e invaliditetit në mënyrë që më pas viktima të merrte pension.

KALLXO.com pas pranimit të këtij informacioni kishte njoftuar organet e rendit, gjegjësisht policinë dhe prokurorinë ku për pak kohë është formuar edhe ekipi hetimor i cili gjatë ditës së sotme kreu edhe arrestimin e doktorit të dyshuar.

Prokuroria ka njoftuar sot se doktorit S. S., i është caktuar edhe masa e ndalimit për 48 orë.

KALLXO.com do të ju sjell edhe pamje ekskluzive të hetimit, intervistimit të viktimës dhe arrestimin e doktorit.