Dosja ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Obiliqit të akuzuar se lejuan ndërtime në tokat bujqësore

Tre zyrtarët e Komunës së Obiliqit, Merita Simnica, Burim Gërguri, Ibrahim Krasniqi, të akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë kanë dalë të premten më 05.04.204 para gjykatës.

Prokuroria i akuzon të njëjtit se kundërligjshëm kanë mundësuar ndërtimin e një fabrike në tokë bujqësore për përfitime pasurore.

Në seancë prokurorja e rastit Arbresha Shala lexoi aktakuzën. E njëjta u shpreh e bindur se prokuroria do të mund të dëshmojë fajësinë e të pandehurve.

Në këtë seancë mbrojtësit e tre të akuzuarve dhanë fjalët hyrëse.

Skender Musa avokati i të akuzuarës Merita Simnica parashtroi një propozim para Gjykatës.

“Kërkoj që çështja të kthehet në pikën zero në mënyrë që të kemi mundësinë të bëjmë kundërshtimin e aktakuzës dhe të bashkëngjisim provat e reja, sepse tani kemi situatë krejt të re, kanë kaluar më tepër se 3 muaj nga seanca dhe është ndryshu trupi gjykues”- tha avokati i të pandehurës Simnica, Skender Musa.

Por një propozim i tillë u refuzua nga trupi gjykues.

“Sa për informim në kohën e mbajtjes së seancës së kaluar kam qenë vetëm unë si kryetare e trupit gjykues dhe ajo seancë nuk është mbajt. Pra tek sot po e fillojmë gjykimin. Sa i përket kundërshtimit të aktakuzës kjo procedurë ka kalu, është marrë aktvendim. Kemi vendim të Gjykatës së Apelit”- tha kryetarja e trupit gjykues, Alltën Murseli.

Avokati Skender Musa u shpreh i bindur se klientja e tij nuk e ka kryer veprën për të cilën po akuzohet.

Sipas tij në kohën kur është akuzuar ka pasur vendim të kuvendin komunal për dhënien e lejes.

“Zona kadastrale në të cilën është ndërtuar fabrika në fjalë tani konsiderohet si zonë komerciale, e regjistruar edhe në hartat komerciale. E një plan i tillë është aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. I kemi katër harta të cilat janë aprovuar nga Komuna e Obiliqit dhe nga Ministria e Mjedisit dhe në këto harta toka bujqësore është shndërruar në zonë kadastrale”- tha tutje avokati.

I njëjti më pas ia dorëzoi këto harta gjykatës. “Plani hapësinor që ka hyrë në fuqi nga viti 2023 nuk kufizon asnjë lloj veprimtarie”- tha avokati Musa.

Sipas avokatit Skender Musa nuk ka bazë ligjore që të vazhdohet me procedurë gjyqësore pas ndryshimeve të ndodhura.

Më tutje fjalën e mori avokati Nazim Mehmeti, mbrojtës i të akuzuarit Burim Gërguri.

Fjalën hyrëse i njëjti e nisi duke thënë se i gjithë boshti i kësaj aktakuze është i ngritur nën pretendime të pabazuara dhe të paargumentuara.

Gjithnjë sipas avokatit Nazim Mehmeti prokuroria ka keqinterpretuar provat.

“Vendimet që nënshkruhen nga vendimet e kryesuesit të kuvendit komunal në këtë rast të klientit tim ka qenë në kuadër të kompetencave të tij duke respektuar vendimin kolegjial të kuvendit komunal. Kryesuesi i kuvendit është nënshkrues formal, pra nuk është vendim individual. Vullneti i kuvendit nuk mund të pengohet nga kryesuesi”- tha më tutje mbrojtësi i Gërgurit.

“Ligji për Qeverisja Lokale thotë se vendimet e kuvendit aprovohen me shumicë të anëtarëve që janë të pranishëm. Nuk ka dalur i mbrojturi im asnjëherë jashtë autorizimeve që kishte. Z. Gërguri në afat ligjor ka dorëzuar ligjshmërinë e këtij vendimi në MAPL. Edhe po të kishte dashje apo qëllim nuk ia lejon Ligji, përkatësisht dispozita për shqyrtimin e ligjshmërisë”- përfundoi avokati Mehmeti.

E fundit në radhë ishte mbrojtësja e të akuzuarit tjetër Ibrahim Krasniqit, avokatja Donjeta Leku.

Sipas saj aktakuza kundër Ibrahim Krasniqit nuk është e bazuar dhe nuk ka mbështetje ligjore kjo sepse pretendimet e prokurorisë nuk përcjellën me prova materiale konkrete.

Avokatja tha se Krasniqi si inspektor ka dalë në vendin e ngjarjes për t`i inspektuar parcelat në të cilat SB Construction SHPK dhe Beni SHPK i ka zhvilluar punimet.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes i ka urdhëruar me procesverbal që të ndërpresin punimet për shkak se nuk kanë pasur leje ndërtimi”- tha avokatja Leku.

Edhe në parcelat tek ndërtimi i ‘Bertos’, i pandehuri ka vepruar njëjtë sipas avokates.

Më tutje mbrojtësja e Krasniqit tha se klienti i saj kishte inicuar edhe procedurë kundërvajtëse kundër bizneseve në fjalë.

“Më vonë ka marrë edhe aktvendim për ndërprerje të punimeve, dhe pasi të njëjtit nuk kanë ndërprerë punimet klienti im ka inicuar procedurë për kundërvajtje” – thënë ajo.

Pas fjalëve hyrëse të avokatëve seanca është vendosur të shtyhet.

Deri te shtyrja ka ardhur pasi avokati Nazim Mehmet, mbrojtës i Burim Gërgurit, ka kërkuar të qartësohet se kë përcakton si palë të dëmtuar aktakuza.

Kjo sepse i njëjti u shpreh se kryen funksionin e avokatit të Komunës së Obiliqit, e në rast se kjo e fundit është pala e dëmtuar atëherë do të kishte pasoja në procedurë.

Prokurorja e rastit Arbresha Shala i konfirmoi trupit gjykues të përbërë nga: Alltën Murseli – kryetare, dhe anëtarët: Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri se pala e dëmtuar nga veprimet e pretenduara të të pandehurve do të përcaktohet në seancën e radhës.

Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuza.

Seanca e radhës u vendos të mbahet më 16.05.2024 nga ora 09:00.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së ngritur më datë 30.09.2020 nga prokurorja Merrushe Llugiqi, e pandehura Merita Simnica, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror, ka lëshuar kundërligjshëm më datë 03.04.2019 leje për ndërtimin e një fabrike.

Përkatësisht leja është lëshuar për Blerim Krasniqin pronar i fabrikës së mobiljeve “Berto” sh.p.k, për ndërtimin e fabrikës së mobileve “Berto” sh.p.k, në Milloshevë, komuna Obiliq, në kundërshtim me Udhëzimit administrativ për ndërrimit e destinimit të okës Bubjqësore, në kundërshtim me Ligjin për tokën bujqësore.

Sipas aktakuzës precizohet se, tokës bujqësore nën sistemin e ujitjes nuk mund t’i ndërrohet destinimi i shfrytëzimit përveç ngritjes së objekteve me rëndësi të veçantë publike, pasi që, parcelat kadastrale të lartcekura janë brenda perimetrit të sistemit të ujitjes “Iber Lepenc”.

Kjo për më tepër thuhet në dosjen e prokurorisë është bërë edhe në kundërshtim me Planin Zhvillimor Komunal dhe Urban viti 2009-2020 të komunës së Obiliqit, pasi që ngastrat e lartcekura janë zonë bujqësore.

Prokuroria pretendon se Merita Simnica, ka qenë në dijeni se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës kishte refuzuar kërkesën e Blerim Krasniqit për ndërrim të destinimit të tokës bujqësore në jo bujqësore edhe për parcelat e lartcekura për ndërtimin e objektit afarist.

Më tutje pretendohet se i pandehuri tjetër Burim Gërguri nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të komunës së Obiliqit, ka shfrytëzuar po ashtu detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitoj dobi pasurore.

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com i njëjti më datë 26.12.2018, ka nënshkruar vendimin me të cilin është aprovuar kërkesa e Blerim Krasniqit, për ndërrimin e destinimit të tokës nga ajo bujqësore në atë jo bujqësore. Ani pse edhe për të thuhet të ketë qenë në dijeni se ka qenë në dijeni se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, e kishte refuzuar kërkesën e palës – Blerim Krasniqi, për ndërrimin e destinimit të tokës prej asaj bujqësore në jobuqësore, për parcelat në fjalë.

Për të pandehurin Ibrahim Krasniqi, pretendohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspekcionit të Obiliqit, me qëllim të përfitimit, në periudhë kohore nga viti 2016 deri në vitin 2017 dhe 2018 në vazhdimësi duke mos ndërmarr masat e duhura dhe veçanërisht pasuese në pajtim me autorizimet e tij për ndërprerje të punimeve pa leje ndërtimi të disa bizneseve në fshatin Milloshevë komuna Obiliq.

Inspektori i ndërtimit, sipas prokurorisë, ka lejuar ndërtimin e objektit të tipit montues të konstruksionit metalik nga investitori “Beni-1”, sh.p.k  duke mos ndërmarrë veprime sipas kompetencave të tij si inspektor, që t`i pengoj vazhdimin e ndërtimeve pa leje të organit kompetent, me ç ‘rast i ka mundësuar investitorit përfundoj ndërtimin e objektit pa u pajisur me leje ndërtimore.

I pandehuri Ibrahim Krasniqi si inspektor i ndërtimit, akuzohet se nuk ka kryer detyrat e tij që i takojnë në bazë të ligjit, edhe me rastin e ndërtimit të objektit të fabrikës së mobiljeve të ndërtuar pa leje ndërtimore nga Blerim Krasniqi pronar i “Berto”, sh.p.k, nuk ka nxjerrë vendim për rrënimin e objektit që ishte duke u ndërtuar pa leje ndërtimore.

Duke iu mundësuar pronarëve të këtyre bizneseve përfitime me nga ndërtimi i këtyre objekteve pa leje ndërtimore.

Me këto veprime prokuroria po pretendon se të pandehurit kanë kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar paraparë me Kodin Penal të Kosovës.