25 vjet burgim për babanë e akuzuar për vrasjen djalit

Gjykata e Prishtinës në aktgjykimin e shpallur sot me 08.03.2024 e ka dënuar me dënim unik prej 25 vitesh Naim Smajlin, i cili akuzohet se vrau djalin e tij.

Kundër tij rëndonin dy akuza: vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi ose kontroll të paautorizuar të armëve.

Vendimi u mor nga trupi gjykues: Alltën Murseli- kryetare, si dhe anëtarët: Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahitiri.

Ky aktgjykim nuk është i plotfuqishëm, deri në plotfuqishmërinë e tij Naim Smajli konsiderohet i pafajshëm.

I njëjti është i ankimueshëm në afat prej 30 ditësh.

Mbrojtja e të akuzuarit, avokati Abit Asllani në një prononcim për media pas seancës ka konfirmuar se do të ushtrojnë ankesë.

Çka përmban aktakuza e prokurorisë?

Sipas dosjes Naim Smajli është baba i katër fëmijëve dhe me profesion zjarrfikës.

Aty përshkruhet se më datën 13.06.2022, rreth orës 17:00, në fshatin Bajçinë, komuna Podujevë, për shkak mosmarrëveshjeve lidhur me çështje pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin Edonit Smajli.

Vrasja ka ndodhur deri sa i ndjeri ishte duke punuar përkatësisht kositur barin me traktor në livadhin e fqinjit të tyre Shefqet Smajli.

Prokuroria pretendon se i pandehuri posa e ka vërejtur Edonitin ka shkuar tek shtëpia e tij dhe e ka marrë armën një pushkë automatike dhe të njëjtën e ka futur në veturë.

Gjithnjë sipas dosjes i pandehuri posa ka arritur afër vendit është afruar në një distancë të afërt ndaj të ndjerit Edonit Smajli dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e plagëve të rënda Edonit Smajli vdes.

Më tutje përshkruhet se pas vrasjes i pandehuri e ka hedhur në tokë armën e lartcekur dhe me veturën e tij ka shkuar në shtëpi, e pastaj ka marr mjetin e punës “tërfurk” dhe ka shkuar në livadh për të rrotulluar dhe për të tharë barin e kositur.

Përfundimisht pas mbarimit të punës në livadh Naim Smajli është kthyer në shtëpinë e tij dhe pas disa çasteve ka arritur policia dhe i njëjti ishte arrestuar.

Aktakuza është ngritur nga prokurori Hivzi Bajraktari. Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal për të pandehurin.