Ministria e Mbrojtjes nuk ka njohuri se ushtari i FSK-së ka aktakuzë për manipulim me vota

Bajram Kastrati, i akuzuar për falsifikim të rezultateve të votimit në vendvotimin në shkollën fillore “Azem Bejta” në fshatin Shtuticë të Drenasit më 06.10.2019, aktualisht është ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Për këtë rast, Ministria e Mbrojtjes të martën më 27.02.2024 përmes emailit është përgjigjur për KALLXO.com duke thënë se Zyra Ligjore e këtij institucioni nuk ka pranuar informacion se ndaj Kastratit është ngritur aktakuzë për ndonjë vepër penale.

“Po Bajram Kastrati me gradën Ushtar është pjesëtar i FSK-së. Bajram Kastrati, nuk figuron në evidencat (Dosjen) Disiplinore, dhe rrjedhimisht ndaj tij nuk është iniciuar, shqiptuar asnjë masë disiplinore, po ashtu Zyra ligjore nuk ka pranuar asnjë informatë, raport apo vendim se ndaj tij është ngritur aktakuzë për ndonjë vepër penale” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhënë për KALLXO.com.

Tutje, në përgjigje thuhet se i njëjti me gradën Ushtar është pranuar në FSK më datë 11.11.2022.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 30.11.2022 në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Prishtinës.

Bashkë me Bajram Kastratin të akuzuar në këtë rast janë edhe Gazmend Veliu, Islam Syla, Ardit Beqiri e Meriton Gashi.

Dosja e Prokurorisë thotë se të akuzuarit kanë manipuluar me 91 vota për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Kanë falsifikuar rezultatet e votimit, kanë manipuluar me 91 vota, prej tyre 63 të shtuara të subjekteve politike dhe atë: PDK 60, AAK 1, VV 1 votë, ndërsa u kanë hequr 28 vota dhe atë: PDK 24, AAK 1, VV 1, LDK 2, dhe këto rezultate i kanë bartur në Formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve” – përshkruhet në dosjen e prokurorisë.

Me këto veprime, sipas prokurorisë është dëmtuar KQZ-ja.

Para gjyqtarit Gazmend Bahtiri të gjithë të akuzuarit në fjalë nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë, në seancën fillestare të mbajtur më 22.02.2024.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve sipas udhëzimit të gjyqtarit Gazmend Bahtiri kanë afatin prej 15 ditësh nga data 22.02.2024 të bëjnë kundërshtimin e provave dhe aktakuzës.