Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Nuk e pranojnë fajësinë dy të akuzuarit për keqpërdorim e mashtrim me prokurim publik

Anil dhe Shefqet Damka janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përgjigjur për akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim dhe mashtrim me prokurim publik.

Anil Damka si pronar i kompanisë “MEB” dhe Shefqet Damka si përfaqësues i kompanisë akuzohen se kanë shkelur rregullat e prokurimit publik.

Në seancën e sotme, 20.03.2024, në Gjykatën e Prishtinës, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.

Në këto rrethana, gjyqtari i çështjes, Gazmend Bahtiri, njoftoi palët se kanë të drejtë që të bëjnë kundërshtimin e provave  dhe kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri Anil Damka në cilësinë e pronarit të kompanisë “MEB” në bashkëkryerje me të pandehurin Shefqet Damka si përfaqësues i kompanisë kanë shkelur rregullat e prokurimit publik.

Të dy akuzohen se kanë paraqitur dokumentacione të rrejshme, në atë mënyrë që kanë përpiluar kontrata fiktive kinse janë lidhur mes “MEB” dhe kompanive “Remateks” SH.A., “Diokom”  dhe “Ks Rosa Security”.

Këto kontrata fiktive, sipas Prokurorisë, i kanë paraqitur si referenca më pas në dosje të tenderit në vitin 2021. Referencat nuk ishin deklaruar fare në qarkullimin e Administratës Tatimore të Kosovës.

Prokuroria tutje pretendon se palët e akuzuara kanë falsifikuar dokumentin e datës 14.10.2022 kinse të lëshuara nga BKT. Këtë dokument Prokuroria pretendon se e kanë përdorur në procedurën e tenderimit duke i vënë në lajthim autoritetet kontraktuese dhe kanë arritur sipas Prokurorisë që t’i nënshkruajnë tri kontrata me institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, më 20.01.2021 operatori ekonomik “MEB” ka lidhur kontratë me Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për “Sigurimin fizik për KM”.  Vlera e kësaj kontrate, sipas aktakuzës, përshkruhet të jetë 18 mijë euro.

Operatori “MEB” më 14.05.2021 ka lidhur kontratë me Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor për “Mirëmbajtje higjenike të objektit të Sekretariatit të KGJK-së” në Graçanicë dhe objektin e divizionit të Gjykatës së Apelit me seli në Mitrovicë. Vlera e kësaj kontratë del të jetë mbi 65 mijë euro.

Kurse me 26.04.2021 është lidhur kontrata, sipas Prokurorisë, mes Ministrisë së Financave dhe Transfereve për pastrim dhe mirëmbajtje të objektit në shfrytëzim nga MFPT në vlerë prej mbi 11 mijë euro.