Gjykimi për korrupsion - Foto: KALLXO.com

Akuzohen se i mundësuan një kompanie blerjen e 200 mijë tonëve thëngjill për 1.6 milion euro, deklarohen të pafajshëm

Të akuzuarit Vllaznim Emërllahu, Muhamet Selmani dhe Flamur Bekteshi, të akuzuar për korrupsion, janë ulur më 08.03.2024 në bankën e të akuzuarve të Gjykatës së Prishtinës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Zef Prendrecaj, të tre janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që Prokuroria ua vë në barrë.

Rasti është duke u gjykuar në Departamentin e krimeve të rënda nga gjyqtari Alban Ajvazi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, e cila është ngritur më 23.10.2023, i akuzuari Vllaznim Emërllahu akuzohet se si zyrtar i lartë i Zyrës së Prokurimit në KEK nuk i ka përmbushur detyrimet e tij zyrtare që parashihen me ligj me qëllim të përftimit pasuror për tjetrin.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në cilësi të zyrtarit përgjegjës si bartës i lëndës për tenderin me titull “Shitja e qymyrit” më 12.02.2021 i ka dërguar email menaxheres për përkrahje të Prokurimit të KEK-ut që të dërgojë ofertën për publikim në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik pa u përfunduar dosja e tenderit.

Tutje sipas aktakuzës, KRPP i ka kthyer email më 15.02.2021 menaxheres për përkrahje të Prokurimit, duke kërkuar që oferta për shitje të qymyrit të publikohet në platformën E-Prokurimi.

Këtë email të KRPP-së menaxherja për përkrahje të Prokurimit ia ka dërguar tashmë të akuzuarit Emërllahu duke kërkuar që të veprohet sipas udhëzimeve të KRPP-së, por i pandehuri përkundër rekomandimeve të KRPP-së nuk e ka publikuar ofertën në E-Prokurimi, as në atë të KRPP-së dhe as në platformën e KEK-ut. Emërllahu, sipas aktakuzës, e kishte vazhduar aktivitetin.

Më 23.02.2021, gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Emërllahu takohet me të pandehurin tjetër, Muhamet Selamani, si menaxher i Departamentit të Punëve dhe Shërbimeve në KEK dhe së bashku takojnë përfaqësuesin e operatorit ekonomik “Enertech” Sh.p.k, Ilmi Zhugollin dhe kishin biseduar për tenderin në fjalë. Pas këtij takimi Prokuroria pretendon se kompania në fjalë e ka fituar tenderin për blerjen e 200 mijë tonëve qymyr me çmim prej 1.6 milion eurove.

Ndërsa i pandehuri Flamur Bekteshi akuzohet se si zyrtar përgjegjës i Zyrës së Prokurimit në KEK, përkundër përgjegjësive që kishte, përveç që nuk kishte ndërmarrë veprimet ligjore për ndërprerjen e këtij aktivitetit të kundërligjshëm, ai prapë se prapë kishte vazhduar tutje me procedurën e prokurimit.