Foto: KALLXO.com

Rasti “Veteranët”, 4 komandantë brigadash rrëfejnë për procesin e verifikimit të statusit të veteranëve të UÇK-së

Pesë dëshmitarë të rinj kanë dëshmuar më 28.02.2024 në procesin gjyqësor i njohur si “Veteranët” që po zhvillohet në Gjykatën e Prishtinës.

Në këtë proces të akuzuar janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Ata akuzohen se si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni, duke ua mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Në cilësi të dëshmitarit u dëgjua Afrim Buzolli, i cili rrëfeu për kohën kur kishte shërbyer si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të Brigadës 141 në Zonën Operative të Shalës

Ai tha se në atë kohë ka qenë 17-vjeçar.

“Në UÇK kam qëndruar deri në përfundimin e luftës. Unë kam qenë ushtar dhe kam qenë i armatosur. Arma ime ka qenë automatike“ – tha dëshmitari.

Dëshmitari Buzolli rrëfeu se si kishte mashtruar për moshën në mënyrë që të pranohej për të luftuar në radhët e UÇK-së.

“Për herë të parë jam paraqitë në korrik 1998, por nuk më kanë pranuar sepse kam qenë 16-vjeçar, pastaj zëvendëskomandanti më ka thënë se mosha e re e do të thërrasim. Çdo dy javë jam paraqitë në Batalionin 4 deri sa kam mbushur 17 vjet dhe i kam rrejtë se kam mbushë 19 vjet për me më marrë në radhët e UÇK-së” – tha dëshmitari Buzolli.

Përveç tij në seancë u dëgjuan edhe katër dëshmitarë, të cilët kishin qenë komandantë të brigadave.

Fillimisht u dëgjua Mehmet Ballazhi, aktualisht kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, e në kohën e luftës kishte qenë zëvendëskomandant i Brigadës 162 në Zonën Operative të Nerodimes.

Ai pohoi se kishte qenë pjesë e procesit të verifikimit të statusit të veteranëve dhe se mban përgjegjësi për të gjitha nënshkrimet që ka dhënë gjatë asaj procedure.

Përveç prokurorit Valdet Gashi pyetje i parashtroi edhe i akuzuari Shkumbin Demalija lidhur me faktin se a ka ndërhyrë ndonjëri prej anëtarëve të Komisionit në punën e tij.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk e mban në mend por që “nuk mu ka kriju përshtypje që është përzi ndokush”.

Pyetje të natyrës së njëjtë i parashtroi edhe i akuzuari Shukri Buja dëshmitarit Ilmi Ramusholli, komandant i Brigadës 161 në Zonën Operative të Nerodimes.

“Në zinxhirin komandues të brigadës a është përzi komandanti i zonës në verifikim apo a ju ka bërë ndonjë lloj presioni?” – ishte pyetja e Shukri Bujës, i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të Nerodimes.

“Jo, nuk na është përzi, kemi marrë udhëzime prej sekretarisë” – u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari i radhës ishte Selami Neziri, i cili kishte qenë komandant i Brigadës 173 në Zonën Operative të Karadakut.

E në fund u dëgjua edhe dëshmitari Milaim Limoni, anëtar i shtabit të Zonës Operative të Karadakut, Brigada 172.

Limoni rrëfeu lidhur me procedurat e verifikimit dhe konfirmoi se ai kishte qenë i autorizuar për të marrë pjesë në këtë procedurë pasi që, sipas tij, komandanti i Brigadës ka pasur probleme shëndetësore.

Rasti “Veteranët” po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i kryesuar nga Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Kushtrim Shyti.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022 dhe seanca e parë e rigjykimit u mbajt me 31.10.2023.

Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çekun, për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit qeveritar në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit në mënyrë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga ky status.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.

(Shënim: Ky artikull është edituar, me ç’rast është hequr fjalia dhe citati i z. Selami Neziri. Artikulli është edituar më 29.02.2024, në ora 19:06)