Gjykimi ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, dëshmitari tregon për shitblerjen e banesës nga i akuzuari Lavdim Krasniqi

Ish-drejtori i Sekretarit të KPK-së Lavdim Krasniqi, ish-asistentja e këtij të fundit Marigona Berisha dhe Flora Doda u paraqitën edhe një herë tjetër në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat e prokurorisë.

Lavdim Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi, mosraportim të pasurisë.

Në seancën e sotme u dëgjuan si dëshmitar Fitim Arifi personi që kishte blerë banesën nga Krasniqi dhe vjehrri i të akuzuarit, Alush Zariqi lidhur me shitblerjen e banesës, paratë në vlerë prej 40 mijë euro për të cilat Prokuroria e akuzon ish-drejtorin e Sekretariatit që nuk i ka deklaruar në regjistrin për raportimin e pasurisë.

Arifi ishte propozuar që të dëgjohet si dëshmitar nga trupi gjykues në përbërje prej Alban Ajvazi – kryetar, Gëzim Ademi dhe Alltëne Murseli- anëtarë.

Arifi duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues tha se e njihte të akuzuarin Krasniqi që nga viti 2011 pasi që banonin në të njëjtin objekt banesor.

Dëshmitari tha se kishte blerë banesë nga i akuzuari në shtator të vitit 2020 pasi që kishin lidhur para-kontratë. Pjesën e parë të parave i njëjti tha se e kishte bërë në vlerë prej 40 mijë euro një muaj pasi kishin lidhur para-kontratën ndërsa pjesën tjetër prej 25 mijë euro kishin mbetur që ta bënin vitet në vijim.

“Kur e kemi bo para-kontratën kemi bo pagesë në tetor të vitit 2020, në vlerë 40 mijë euro”- u përgjigj dëshmitari, Zariqi.

Zariqi shtoi se e kishte pranuar banesën nga i akuzuari në tetor të vitit 2021, e që në tërësi çmimi i banesës kishte vlerën 65 mijë euro.

“Po, ka pas, unë kam qenë i obliguar me bo pagesën deri në fund të vitit 2021 e shitësi – Lavdimi ka qenë i obliguar ta lëshojë/dorëzojë banesën në qershor të vitit 2021 me ma dorëzu banesën, në njërën prej neneve shkruan që nëse shitësi nuk arrinë me bart banesën në emër tim duhet t`i kthejë të gjitha paratë”- shtoi dëshmtari.

Në këtë proces gjyqësor dëshminë e tij lidhur me këtë rast e dha edhe vjehrri i të akuzuarit Krasniqi, Alush Zariqi, lidhur me shumën e të hollave prej 10 mijë euro që i akuzuari ia kishte dhënë mikut të tij.

Fillimisht dëshmitari i prokurorisë u njoftu për të drejtën e tij për të mos dëshmuar lidhur me këtë rast, por i njëjti në mënyrë vullnetare u pajtua që të vazhdojë dhënien e dëshmisë.

I njëjti tha se në deklarimin e tij të më hershëm kishte përmendur shumën prej 10 mijë euro që Lavdimi ja kishte dhënë vëllaut të dëshmitarit, përmes xhirollogarisë bankare.

Kujtojmë që në këtë proces i akuzuar është edhe Ardian Krasniqi por ndaj të njëjtit ëshët veçuar lënda pas mungesës së njëpasnjëshme të tij në rigjykim. Ndaj të njëjtit ka urdhër arrest.

Ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha, dhe Ardian Krasniqi nga Gjykata Themelore ishin gjetur fajtor për veprat që rëndonin mbi ta. Kurse Flora Doda ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi i këtij rasti, i cili filloi marsin e vitit 2021, Lavdim Krasniqi që atëherë mbante postin e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Marigona Berisha u shoqëruan për në stacionin policor nën dyshimet se janë përfshirë në afera korruptive.

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B. M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B. M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B. M. në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.

Raportimet e Kallxo.com për kë rast – LINK