Seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-sekretarit të KPK-së, Lavdim Krasniqi dhe të tjerëve - FOTO KALLXO - 09.03.2023

Gjykata vendos për ish-sekretarin e KPK-së dhe të akuzuarit tjerë

Lavdim Krasniqi, ish-sekretar i Këshillit Prokurorial – KPK, është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me gjashtë muaj burgim dhe 8,000 euro gjobë. Krasniqit dënimi me bugrim prej gjashtë muajsh nëse pranon mund t`i zëvëndësohet me dënim me të holla.

Lavdim Krasniqi u gjet fajtor se nuk ka deklaruar pasurinë dhe dhuratat, kështu deklarimi i tij nuk ka përfshirë përfitimin e 40 mijë eurove që ka pranuar për shitjen e një banese dhe ka kryer veprën penale të mos deklarimit të pasurisë.

E akuzuara Marigona Berisha është gjetur fajtore nga Gjykata për falsifikim të dokumenteve dhe është dënuar me gjobë 5,000 euro.

Ardian Krasniqi u gjet fajtor për veprën penale keqpërdorim të detyrës. I njëjti u dënua 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6,000 euro gjobë, dënim unik Ardian Krasniqit i ndalohet ushtrimi i funksionit publik.

Gjykata mori vendim që makina e tipit “T-Roc” i kthehet Marigona Berishës si pronare.

E akuzuara tjetër, Flora Doda është liruar nga akuza që i vihej në barrë.

Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi janë liruar nga akuza për veprën penale të ushtrimit të ndikimit në cilësinë e personit zyrtar.

 

Seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-sekretarit të KPK-së, Lavdim Krasniqi dhe të tjerëve – FOTO KALLXO – 09.03.2023

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i këtij rasti, i cili filloi marsin e vitit 2021, Lavdim Krasniqi që atëherë mbante postin e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Marigona Berisha u shoqëruan për në stacionin policor nën dyshimet se janë përfshirë në afera korruptive.

Asokohe KPK nuk kishte informacion se përse ishte shoqëruar Krasniqi për në Polici. Pas marrjes në pyetje Krasniqi dhe Berisha u ndaluan për 48 orë në stacionin policor.

Akoma pa kaluar 24 orë, Prokuroria kishte paraqitur kërkesën për caktim e masës së paraburgimit në Gjykatën e Prishtinës.

Menjëherë pas inicimit të procedurës penale nga ana e Prokurorisë, Këshilli Prokurorial kishte vendosur për suspendimin e Krasniqit nga detyra.

Me të pranuar kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Prishtinës, më 3 mars 2021 caktoi masën e paraburgimit ndaj Krasniqit në kohëzgjatje prej 1 muaji. Ndërsa ndaj Berishës u caktua arresti shtëpiak si masë e sigurisë.

Mirëpo pak ditë pas arrestimit të tyre, u arrestua dhe i’u caktua paraburgimi edhe Ardian Krasniqit, shoferi i sekretarit Lavdim Krasniqit.

Sipas dosjes që KALLXO.com e posedonte në atë kohë, pretendohej se Lavdim Krasniqi ka pranuar 40 mijë euro nga B. M. me qëllim që të mos realizohej ekzekutimi i dënimit ndaj tij.

Sipas shkresave të cilat i posedonte në atë kohë KALLXO.com, B. M. i ka dhënë drejtorit të Sekretariatit 40 mijë euro dhe një veturë në vlerë prej 25 mijë euro me qëllim që të mos shkonte në burg.

Prokuroria pretendonte se drejtori i KPK-së ka marrë dhurata në mënyrë direkte ose përmes të tjerëve me pretendimet se është në gjendje të ushtrojë ndikim edhe në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme për uljen e dënimit.

Gjykata e konsideroi “të varfër” personin që dyshohet se i dha 65 mijë euro dhurata Lavdim Krasniqit

Pas kalimit të 30 ditëve në paraburgim Lavdim Krasniqi bashkë me shoferin e tij u liruan dhe i’u caktua masa e arrestit shtëpiak.

Gjatë kësaj kohe, Prokuroria ka vazhduar me hetimin e rastit dhe në gusht të vitit 2021, hetimet i kurorëzoi me aktakuzë kundër Lavdim Krasniqit, ish-sekretarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Krasniqi, shoferit të tij, Marigona Berisha asistentes së tij, dhe zyrtares Flora Doda.

Si pasojë e kësaj aktakuze erdhi edhe shkarkimi i Lavdim Krasniqit nga pozita si drejtor i sekretariatit të KPK-së.

Gjykimi kundër këtyre 4 personave zyrtarë të KPK-së filloi në tetor të 2021, ku ata u deklaruan se ndihen të pafajshëm për veprat që prokuroria u vinte barrë, madje edhe shfrytëzuan të drejtën për të kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Mirëpo aktakuza u aprovua në tërësi përveç dy pikave të cilat e ngarkonin Krasniqin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Kështu me aprovimin e aktit akuzues edhe vazhdoi procedura penale ndaj tyre me dëgjim të dëshmitarëve dhe administrim të provave.

Mirëpo, në këtë rast penal mbrojtja e të akuzuarve përsëri shfrytëzoi të drejtën e tyre dhe kërkuan nga trupi gjykues me në krye gjyqtarin Alban Ajvazi që të precizohet saktë periudha kohore për avancimin- transferimin e Zejnullah Gashit, prokurorit të çështjes nga Departamenti i Përgjithshëm në Prizren në Departamentin për Krime të Rënda në Prishtinë.

Këtë kërkesë gjyqtari Ajvazi e ka refuzuar. Kurse prokurori Gashi e ka quajtur të pashembullt të kontestohet mandati i Prokurorit të Shtetit.

“Është e paprecedent për gjykatat e vendit tonë, që nga muaji i dhjetë të kontestohet mandati i Prokurorit të Shtetit, kjo është cenim i drejtpërdrejt i kredibilitetit të Prokurorit të Shtetit në rastin konkret, është jo korrekte që nga muaji i dhjetë të zvarritet procedura vetëm për shkak të kontestimit të mandatit ligjor të Prokurorit” – ishte shprehur prokurori në seancën e shkurtit 2023.

Kurse në seancën tjetër të radhës prokurori pati kërkuar nga trupi gjykues që të vendosin drejtësi pavarësisht tentimeve për të interferuar në këtë çështje.

Deklaratë kjo që bëri që gjyqtari i çështjes të ndërprejë seancën dhe ti drejtohet u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i cili kishte njoftuar Gjykatën se deklarimi i tillë i Prokurorit Gashi nuk bjen ndesh me pozitën e Prokurorit të Shtetit.

Dosja e Prokurorisë

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B. M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B. M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B. M. në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK