Ardian Krasniqi i paarritshëm për Gjykatën, veçohet procedura ndaj tij
Në Gjykatën e Prishtinës sot u mbajt seanca e parë e rigjykimit në rastin ku ish ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, shoferi i tij, Ardian Krasniqi, Flora Doda dhe Marigona Berisha, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra të tjera.
Rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit që lamë pas.
Kujtojmë se ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha, dhe Ardian Krasniqi nga Gjykata Themelore ishin gjetur fajtor për veprat që rëndonin mbi ta. Kurse Flora Doda ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Rigjykimi ishte i paraparë të fillojë në dhjetor, por që seanca dështoi të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarit Ardian Krasniqi. I njëjti mungoi edhe në seancën e sotme, por që gjykata mori vendim që ta veçonte procedurën ndaj tij.
Kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, bëri të ditur se ndaj Ardian Krasniqit është në fuqi edhe një urdhërarrest i cili ende nuk ka arritur të ekzekutohet pasi që i akuzuari është i pa arritshëm për organet e rendit.
Sipas gjyqtarit Ajvazi, i akuzuari Ardian Krasniqi është duke iu shmangur drejtësisë pasi që as aktgjykimin e shkallës së parë nuk e kishte pranuar.
Aktgjykim me të cilën i njëjti ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6,000 euro gjobë si dhe i është ndaluar ushtrimi i funksionit publik, pasi ishte gjetur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kështu, Ardian Krasniqi nuk kishte prezantuar as në seancën e mbajtur në Gjykatën e Apelit në tetor të vitit të kaluar.
Fillimisht të akuzuarit prezent, Lavdim Krasniqi, Flora Doda dhe Marigonë Berisha u deklaruan të pafajshëm sa i përket akuzave që u vihen në barrë.
Tutje në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari bashkëpunues B. M., i cili sa i përket pyetjeve të prokurores Arbërshë Shala, i qëndroi prapa dëshmisë së dhënë në gjykimin e parë, kurse mbrojtja nuk kishte asnjë pyetje për të njëjtin.
Prokurorja Shala, tutje, parashtroi propozim për angazhimin e një eksperti të prokurimit publik, sipas saj, për të sqaruar më thellësisht ligjshmërinë e procedurave të prokurimit që kanë të bëjnë me rastin.
Propozimi i tillë u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarve. Avokati Ramë Gashi, i cili në këtë procedurë përfaqëson të akuzuarin Lavdim Krasniqi, e quajti një ekspertizë të tillë të panevojshme.
Trupi gjykues në përbërje nga kryesuesi Alban Ajvazi dhe anëtarët Gëzim Ademi dhe Alltën Murseli, vendosën që propozimin e prokurores ta miratojnë.
Tutje, trupi gjykues bëri të ditur që sipas detyrës zyrtare dhe duke u bazuar në rekomandimet e Gjykatës së Apelit të ftojë në cilësi të dëshmitarit Fitim Arifin.
Ky person përmendet në pikën e gjashtë të aktakuzës e cila shtjellon se i njëjti i kishte deponuar shumën prej 40 mijë euro në xhirollogarinë e të akuzuarit Lavdim Krasniqi.
Një lloj do të ftohet edhe dëshmitari Alush Zariqi për të dëshmuar lidhur me të njëjtën pikë të akuzës.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më datë 16 janar 2024.
Në mars të vitit që shkoi gjykata e shkallës së parë kishte gjetur fajtor Lavdim Krasniqin për mos deklarim të pasurisë dhe dhuratave dhe e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 8,000 euro gjobë.
Kurse për akuzat e ushtrimit të ndikimit Lavdim Krasniqi ishte liruar nga akuzat.
Ndërkaq Marigonë Berisha ishte gjetur fajtore për falsifikim të dokumenteve dhe është dënuar me gjobë 5,000 euro.
Ardian Krasniqi u gjet fajtor për veprën penale keqpërdorim të detyrës dhe u dënua 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6,000 euro gjobë, ndërsa me dënim unik i ndalohet ushtrimi i funksionit publik. Kurse për akuzat e ushtrimit të ndikimit, i njëjti ishte liruar nga akuzat.
E akuzuara tjetër, Flora Doda ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Aktakuza
Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B. M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.
Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.
Po ashtu, siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.
Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.
Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B. M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.
Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B. M. në atë dokument nuk ishte i tij.
Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.
Raporimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK