Gjykata vendos për të akuzuarit për tentim vrasje të avokatit Gazmend Halilaj - VIDEO

Në Gjykatën e Prishtinës sot u bë shpallja e aktgjykimit ndaj Ibrahim Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit, të akuzuar për vrasjen në tentativë të avokatit Gazmend Halilaj.

Fillimisht gjykata bëri rikualifikim e veprës penale nga vrasja e rëndë në tentativë në vrasjë në tentativë.

Për këtë vepër, i akuzuari Xhelal Zeqiri u dënua me 3 vite burgim kurse i bashkëakuzuari i tij Ibrahim Lushtaku me 2 vite e 5 muaj burgim.

Sa i përket veprës penale për dëmtim dhe asgjësim të pasurisë të akuzuarit u dënuan me nga 1 mijë euro gjobë secili.

Kurse për armëmbajtje pa leje u dënuan me nga 1 mijë euro gjobë secili, vepër kjo për të cilën të akuzuarit e kishin pranuar fajin në shqyrtim fillestar.

Vendim ky i marrë nga trupi gjykues me kryetare Alltën Murseli dhe anëtarët Gëzim Ademi dhe Gazmend Bahtiri.

Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen për veprat penale tentim vrasje e rëndë dhe dëmtim të pasurisë kundër avokatit Gazmend Halilaj.

Të njëjtit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Të akuzuarit Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri pranuan fajësinë vetëm për veprën penale armëmbajtje pa leje ndërsa për tentim vrasje të rëndë dhe dëmtim të pasurisë, nuk e pranuan fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në “Facebook” kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nisan Qashai” e ka goditur veturën  e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas prokurorisë, pasi Halilaj është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku akuzohej se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove  në kohën e luftës, e kishte thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohet se nga data e panjohur e deri më  22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur  pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x.