Gjykata vendos ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi

Ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës Lavdim Krasniqi është liruar nga akuzat e Prokurorisë për ushtrim ndikimi në bashkëkryerje dhe mosraportim të pasurisë.

Në seancën e mbajtur të premten më datë 16.02.2024, Krasniqi gjithashtu është liruar nga Gjykata e Prishtinës edhe nga akuza për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Nga kjo akuzë është liruar edhe akuzuara Flora Doda.

E akuzuara Marigona Berisha, u gjet fajtore në akuzën lidhur me veprën falsifikim i dokumentit dhe është dënuar me 3000 euro gjobë, në të cilën do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Dënimi me gjobë të njëjtës mund t’i zëvendësohet me dënim me burgim, çdo ditë e kaluar në burg mund t’i llogaritet 20 euro.

Berisha u lirua nga Gjykata prej akuzës për veprën penale blerja, pranimi ose falja e sendeve të përfituara me vepër penale.

Lirimin nga akuzat respektive gjatë shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi e ka arsyetuar me faktin se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Aktgjykimi është marrë nga trupi gjykues në përbërje të gjyqtarëve: Alban Ajvazi – kryetar, Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi, anëtarë.

Kundrejt këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve.

Lidhur me akuzat edhe në rigjykim Lavdim Krasniqi, Flora Doda dhe Marigona Berisha janë deklaruar të pafajshëm.

Kujtojmë që në këtë proces i akuzuar është edhe Ardian Krasniqi por ndaj të njëjtit është veçuar lënda pas mungesës së njëpasnjëshme të tij në rigjykim. Ndaj të njëjtit ka urdhër arrest.

Ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha, dhe Ardian Krasniqi nga Gjykata Themelore ishin gjetur fajtor për veprat që rëndonin mbi ta. Kurse Flora Doda ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi i këtij rasti, i cili filloi marsin e vitit 2021, Lavdim Krasniqi që atëherë mbante postin e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Marigona Berisha u shoqëruan për në stacionin policor nën dyshimet se janë përfshirë në afera korruptive.

Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga B. M., duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Sipas aktakuzës të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për B. M. me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të B. M. me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8,400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i B. M. në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-Roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.

Raportimet e Kallxo.com për kë rast – LINK

(Shënim: Tekstit i është shtuar pejsa që palët kanë të drejtë ankese – Koha e editimit: 10:45 – 16.02.2024)