Seanca 14.02.2024, Gjykata e Prishtines, Foto:KALLXO.com

Gjykimi për aferat korruptive në KPK, nuk aprovohet kërkesa për ekspertizë të re për rastin

Gjykimi ndaj Lavdim Krasniqit ish-drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Flora Dodës e Marigona Berishës, të akuzuar për aferën korruptive brenda këtij institucioni, po prek fundin për herë të dytë. Shpallja e aktgjykimit për këtë rast pritet të bëhet më 16.02.2024.

Në Gjykatë e Prishtinës, i akuzuari Lavdim Krasniqin po përballet me akuzat se kishte ndikuar në uljen e dënimit të një personi të dënuar në këmbim të dhuratave me vlerë 65 mijë euro.

Përveç akuzave për ushtrim ndikimi, ai akuzohet se së bashku me të akuzuarën Flora Doda kishin pranuar mobilje në vlerë prej 9 mijë e 480 euro kundërligjshëm në KPK, duke shkelur rregullat e prokurimit publik.

Pikërisht për këtë çështje, të mërkurën më 14.02.2014 u dëgjua mendimi i ekspertes, Blerina Shamolli, e cila tha se në procedurën në fjalë sipas dokumenteve të prezantuara nuk ishin shkelur rregullat e prokurimit publik, përpos pjesës së faturave.

“Domethënë përpos pjesës së pagesës së faturës, e gjithë procedura ka qenë sipas ligjit të prokurimit” – tha ekspertja para gjykatës.

Mendim të njejtë nuk ndau prokurorja e rastit Arbresha Shala e cila tha se kjo ekspertizë nuk ishte e plotë dhe kërkoi të bëhet ekspertizë e re.

Një gjë të tillë nuk e pa të arsyeshme gjyqtari Alban Ajvazi, i cili refuzoi propozimin e prokurores për ekspertizë të re me ekspert tjetër.

Palët mbetën pranë fjalëve përfundimtare të dhëna para kësaj gjykate, para se ky rast të kthehej në rigjykim.

Trupi gjykues përbëhet nga: Alban Ajvazi – kryetar dhe anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi.

Lavdim Krasniqi ishte gjetur fajtor nga kjo gjykatë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim dhe gjobë 8 mijë euro, kurse asistentja e tij Marigona Berisha ishte dënuar me 5 mijë euro gjobë kurse Flora Doda ishte liruar nga akuza.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Në këtë rast ishte dënuar edhe shoferi i Lavdim Krasniqit, Ardian Krasniqi me burgim 4 vite e 8 muaj burgim dhe gjobë 6 mijë euro. Por, procedura ndaj tij është veçuar meqë nuk ka qenë i arritshëm për organet e sigurisë.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet të premten më 16.02.2024.

Të gjitha lajmet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.