E premtja e tretë radhazi e KPM-së para Komisionit parlamentar, a ka kërkuar falje Telekomi i Serbisë për mesazhet mbështetëse për terroristët e Banjskës?

E premtja e 23.02.2023 ishte e treta radhazi që Komisoni i Pavarur për Media ka raportuar për vendimmarrjen e saj lidhur me rikthimin e kanaleve sportive “Arena”.

Rikthimi i tyre ishte bërë pasi të njëjtat ishin pezulluar meqë kishin shfaqur mesazhe mbështetëse dhe glorifikuese për terroristët e vrarë në Banjskë më 24.09.2023.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, e kishte arsyetuar vendimin e institucionit që ai drejton për të rikthyer kanalet sportive “Arena”, duke thënë se kanë marrë garanci që do të respektohen rregulloret e KPM-së.

KPM-ja në mbledhjen e sotme ka dorëzuar disa kontrata të papërkthyera dhe një pjesë të tyre të hijezuara për të cilat kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, tha se i kanë dorëzuar ashtu siç janë deponuar në vitin 2021.

Salih Zyba, deputet i LVV-së, tha se në mesin e dokumenteve nuk ishte dokumenti i “Kërkim faljes” nga “Artmotion”, si një ndër arsyet që kishte përmendur kryetari Mehmeti për vendimin për rikthimin e kanaleve.

Niman Racaj, drejtor i Departamentit Ligjor të KPM-së, njëkohësisht draftues i vendimit për rikthimin e kanaleve, u përgjigj duke thënë se nuk ka pasur kërkim falje në mënyrë tekstuale, por që në përgjigjen e dhënë nga Telekomi ka pasur elemente pendese.

“Sot nga komunikimi i institucioneve që ndodh nuk mund të kërkosh në mënyrë tekstuale në thonjëza “Ju kërkojmë falje” “- tha Racaj para Komisionit parlamentar.

Ai tha se në përgjigjen e dhënë nga Telekomi i Serbisë duhet të shihet një anë pozitive në përgjigjen e tyre.

“Përgjigjja e dhënë nga Telekomi për KPM-në është e tillë që i ka të gjitha elementet e pendimit në raport me atë që ka ndodhur. Thotë: “Këto pasoja nuk kanë qenë të qëllimshme”, “Do të ndërmarrim masa që këto shkelje të mos përsëriten asnjëherë”. Ne duhet të nxjerrim një gjë shumë pozitive në përgjigjen e tyre. Si kompani publike serbe (Telekomi) ka dhënë zotim që do ta respektojë autoritetin dhe rregulloret e KPM-së, ta ka njoftë thjesht një institucion publik kushtetues, që rrjedhimisht e njeh shtetin e Kosovës, e njeh republikën tonë. Përmes asaj përgjigje nxirren të gjitha elementet” – shtoi Racaj.

Çështje tjetër që u ngrit në diskutim nga deputetët por edhe nga anëtarë të KPM-së ishte edhe reagimi i BE-së lidhur me pavarësinë e KPM-së në ushtrimin e detyrave të saj.

Besnik Tahiri, nga radhët e AAK-së, tha se duhet të kenë kujdes mos ta prekin “vijën e kuqe” ndaj KPM-së dhe ta respektojnë pavarësinë kushtetuese kurse kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga ta.

“Për që kërkojmë llogari prej këtyre anëtarëve na e kemi të drejtën e plotë, mirëpo kufiri deri ku ne mund të shkojmë në trajtimin e çështjeve janë deri aty ku është përgjegjësia jonë, e tutje është përgjegjësia e tyre. Kjo nënkupton që na ia respektojmë pavarësinë kushtetuese që ua kemi japë edhe faktin që ju jeni të zgjedhur. Derisa e keni mandatin për të ushtruar funksionin përndryshe nëse bëni diçka të kundërligjshme duhet me u marrë drejtësia me ju”- tha Tahiri në mbledhje.

Ai tha se po bëhet një diskutim që po u bëhet dëm institucioneve të pavarura.

“Ata (BE) shprehin brengë serioze në raport me ndikimin tonë te një institucion i pavarur”- tha ndër të tjera ai.

Luljeta Aliu, anëtare e KPM-së, lidhur me këtë reagim të BE-së tha se i njëjti nuk duhet të ndikojë në pavarësinë e KPM-së, duke shtuar edhe faktin se jo gjithherë është pajtuar me kolegët e saj.

Shkeljet nga “Artmotion” ajo tha se kanë qenë shkelje që janë dashur të procedohet në prokurori për të parë nëse ka ekzistuar mashtrimi, qoftë ndaj qytetarëve ose ndaj KPM-së. Të njëjtën gjë e kishte theksuar edhe në mbledhjen e datës 16.02.2024.

“Siç e dini vazhdoj me mendu se kjo është ikje nga përgjegjësia në atë rast të kolegëve të mi sepse qytetarët dëshirojnë zgjidhje nga institucionet dhe jo të kalohet topi nga një institucion te tjetri”- tha Aliu sot.

Kjo mbledhje vazhdoi deri në orën 12:00 për shkak të obligimeve të deputetëve dhe mospajisjes me dokumente të përkthyera të paraqitura nga KPM-ja.

KPM-ja për vendimmarrjen e saj për rikthimin e kanaleve serbe ishte ballafaquar me deputetët e LVV-në këtë Komision edhe më 09.02.2024 dhe më 16.02.2024, në të cilat mbledhje anëtarët e KPM-së ishin pyetur nëse kanë pasur presion për t’i rikthyer këto kanale e nëse kanë pasur takim me “Devollët”.

Jeton Mehmeti në përgjigjen e tij kishte deklaruar se ai takohet me të gjitha mediat e licencuara në Kosovë të cilat rregullohen nga KPM-ja.

Shkarkimin e anëtarëve të KPM-së lidhur me këtë e kishte kërkuar deputeti i LVV-së Nijazi Isaku, duke e cilësuar vendimmarrjen e tyre si skandaloze.

Diskursin e përdorur nga deputetët e LVV-së në mbledhjen e datës 09.02.2024 deputeti Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kishte quajtur si presion politik.

Kurse Isak Shabani në mbledhjen e datës 16.02.2024 kishte thënë se mbledhja në fjalë ishte sulm direkt në KPM.

Në mbledhjen e KPM-së të datës 06.02.2024 çështja e rikthimit të kanaleve në fjalë nuk kishte qenë e pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar te pjesa “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Kjo pikë ishte propozuar nga zëvendëskryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Faruk Rexhaj, kurse u nxor në votim nga kryesuesi i mbledhjes, Jeton Mehmeti.

4 anëtarët që votuan pro në mënyrë unanime rreth kërkesës së “Artmotion” janë; kryetari Jeton Mehmeti dhe anëtarët Besnik Berisha, Fatih Basha dhe Fitim Veliu.

Pjesa e mbledhjes kur u miratua kjo kërkesë u monitorua vetëm nga BIRN Kosova. Media të tjera nuk kishte.

Çështja e kanaleve serbe ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Në mbledhjen në fjalë, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkim-faljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe se “është marrë mësimi i duhur”.

Shfuqizimi i vendimit të KPM-së erdhi një ditë pasi MINT njoftoi se ka nxjerrë vendim përmes të cilit u ka lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.