Vendimi i fundit i Gjykatës ndaj tre të arrestuarve për rastin 'Banjska'

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë, nga i cili sulm mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër, ju është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Në çështjen penale kundër të pandehurve V. T., B. S. dhe D. M., Gjykata Themelore në Prishtinë– Departamenti Special më datë 22.04.2024 ka marrë vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve ju është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”- tha Gashi për KALLXO.com.

Sipas përgjigjes së Gjykatës, masa e paraburgimit të njëjtëve do t`ju vazhdohet deri në muajin qershor të vitit 2024.

Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, gjenden në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori 2023.

Çka përmban dosja e prokurorisë për tre të dyshuarit?

Në kërkesë thuhet se të pandehurit Vladimir Toliq dhe Blogoje Spasojeviq me një grup personash ende të pa identifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme.

Si pasojë, Prokuroria Speciale thotë se ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.

Ndërsa i pandehuri tjetër Dushan Maksimoviq, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje i ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Në kërkesë, prokurori Naim Abazi e thekson faktin se tre të pandehurit janë shtetas edhe të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar.

“…si dhe rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale. Këtë mundësi reale të arratisjes së të pandehurve duhet ndërlidhur edhe me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden të lirë, për shkak të disa rrethanave”- thuhet në kërkesë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Vladimir Toliq aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, ndërsa dy të pandehurit e tjerë Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq janë në ndalim në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, kishte propozuar që ndaj tre të pandehurve fillimisht të ju caktohet masa e paraburgimit në afat prej 1 muaj.

Lidhur me rastin ‘Banjska’ përveç Millan Radoiçiqit lista e personave të cilët tashmë kanë fletarrest nga organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

KALLXO.com ka siguruar edhe dosjen me emrat e personave të cilët janë në listën e të dyshuarve për ngjarjen në Banjskë.

Listës i prinë Radoiçiq për dyshimet se i njëjti ka kryer veprat penale, konkretisht vepra të rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës, kryerje të veprave terroriste si dhe pastrim parash.

Në anën tjetër, personat e tjerë në listën me fletarrest janë: L. S., M. R., M. J., M. K., M. V., M. V., N. S., S. P., S. J., S. R., T. V., U. J., U. M., V. Gj., V. R., V. V., V. A., V. J., A. M.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës. KALLXO.com raportoi sot edhe për veprat penale për të cilat dyshohet se INTERPOL lëshoi vendimin për fletarrestin ndaj Millan Radoiçiqit.

Millan Radoiçiq, i cili publikisht pranoi se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL. KALLXO.com ka siguruar edhe fletarrestin të cilin INTERPOL e lëshoi për Radoiçiqin.

Fletarresti bazohet edhe në dy vendime të Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me të njëjtin person.

Pra në bazë të informacioneve që ka siguruar KALLXO.com, INTERPOL ka përmendur edhe dy urdhër arreste të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës më 3 dhe 11 tetor të 2023.

Gjithashtu përmendet edhe vendimi për Radoiçiqin si person i kërkuar nga Kosova më 6 tetor 2023.

Millan Radoiçiq sipas vendimeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste, konkretisht, vepra të rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës, kryerje të veprave terroriste si dhe pastrim parash.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator 2023.

Në orët e para të kësaj dite, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori 2023 dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Aktualisht, Millan Radoiçiq gjendet në Serbi.

Raportimet për rastin “Banjska” mund t`i lexoni duke klikuar KËTU.