Komuna e Vitisë planifikon të jap 20 mijë euro subvencion për klubin i cili po hetohet për kurdisje të një ndeshjeje futbolli

Komuna e Vitisë ka planifikuar që të subvencionoj me 20 mijë euro klubin futbollistik “Vllaznia” nga Pozhorani ndonëse ky klub tashmë është duke u hetuar nga ana e autoriteteve të drejtësisë për kurdisje të një ndeshjeje futbolli.

Kjo pasi që KF “Vllaznia” tashmë është duke u hetuar për një ndeshje të futbollit e cila është zhvilluar me KF “Ulpiana”.

Në bazë të një vendimi të Komunës së Vitisë e cila mban datën 22.04.2024, Komisioni Vlerësues për ndarjen e subvencioneve ka shpallur edhe listën dhe vendimin preliminar për subvencionimin e OJQ-ve nga fusha e kulturës, rinisë dhe sportit. Në këtë listë në vendin e gjashtë është edhe “KF Vllaznia” e cila në bazë të listës do të marrë 20 mijë euro subvencion për ndihmë në ngritje dhe mbajtjen e nivelit të sportit në Komunën e Vitisë për vitin 2024.

Komisioni i Garave të Superligës dhe të Ligës së Parë të Federatës së Futbollit të Kosovës kishin konstatuar se ndeshja mes ‘KF Ulpiana’ dhe ‘KF Vllaznia’ e Pozhoranit, e zhvilluar në kuadër të javës së 21-të të ‘Raiffeisen’ Liga e Parë, grup B, ishte e kurdisur.

Sipas njoftimit të FFK-së më 11.04.2024 , ndeshja mes dy ekipeve ka përfunduar me rezultatin 4:3 për klubin ‘Vllaznia’ e Pozhoranit. Por, FKK-ja thotë se rezultati i kësaj ndeshje nuk do të regjistrohet në tabelën e klasifikimit të ligës përkatëse.

Në listën e Komunës së Vitisë janë 31 OJQ që do të subvencionohen me shuma të ndryshme ndërsa shuma më e madhe është ajo që do të jepet si subvencion për “KF Vllazninë”.

Dosja e cila mban datën si vendim i nxjerrë më 22.04.2024 ka ardhur si bazë e vendimit fillestar të ndërmarrë nga Kryetari i Vitisë Sokol Haliti më 01.03.2024 për të hapur thirrjen publike për mbështetje financiare për formimin e komisionit që do të vlerësoj subvencionimin për OJQ-të në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në bazë të këtij vendimi të Halitit, Komisioni Vlerësues pasi ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet me 22.04.2024 ka nxjerrë edhe vendimi preleminar për subvencionimin e OJQ-ve në të cilën bën pjesë edhe “KF Vllaznia”.

Më 12.04.2024 ishte FKK që bëri të ditur rastin e ndeshjes së futbollit ‘KF Vllaznia’ dhe ‘KF Ulpiana’ ndërsa një ditë më vonë, Prokuroria kishte konfirmuar për KALLXO.com se tashmë ishin autorizuar organet e sigurisë për të hetuar këtë rast.

‘KF Vllaznia Pozhoran’ kishte reaguar në rrjetin social Facebook më 13.04.2024 për çështjen e kurdisjes së ndeshjes së futbollit me ‘KF Ulpiana’.

“Ju informojmë se tani kemi dorëzuar ankesat kundër vendimeve të marra ndaj nesh të cilat janë të pabazuara dhe se nuk kanë asnjë argument dhe fakt, duke qenë tendecioze. Ne presim vendim meritor dhe kërkim falje ndaj nesh nga të gjithë ata që po tentojnë ta prishin imazhin e klubit tonë i cili ekziston më shumë se gjysmë-shekulli”- thuhet në reagimin e ekipit.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë edhe një qëndrim në lidhje me këtë subvencion nga ana e kryetarit të ‘KF Vllaznisë së Pozhoranit’, Shpend Musa.

I njëjti përmes telefonit tha se nuk ka ndonjë përgjigje dhe rekomandoi që pyetjet t’ia dërgojmë në mënyrë që të marrë përgjigje nga klubi.

Musa konfirmoi se kanë aplikuar për këto subvencione por ende nuk janë ekzekutuar pagesat.

“Sipas informacioneve nga sekretari i klubit, ne kemi aplikuar në Komunën e Vitisë për subvencione. Lista qenka shpallur këtë janë që shkoj dhe tash qenka afati i ankesave, ende nuk kemi nënshkruar kontratën dhe ende nuk janë bërë pagesat”- tha Musa për KALLXO.com.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Komunës së Vitisë në lidhje me këtë çështje por deri në publikim të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.