Vendimi i Gjykatës për kanalet e Arena Sport që transmetuan mesazhe në përkrahje të sulmit terrorist në Banjskë

Gjykata Komerciale, shkalla e dytë, përmes një vendimi të publikuar sot ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për refuzimin e propozimit të Artmotion lidhur me vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave për ndalimin e transmetimeve të programeve televizive në mbështetje të sulmit terrorist në Bansjkë.

Vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Dren Rugova – kryetar i kolegjit dhe anëtarët Krenar Berisha dhe Ramush Bardiqi.

Në fillim të tetorit të vitit që lamë pas, pas sulmit terrorist në Banjskë, Komisioni i Pavarur i Mediave doli me një vendim përmes të cilit kërkoi nga operatorët e shpërndarjes ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të kanaleve “Arena”.

“Do të kujtojmë”  e “Lavdi Heronjëve” ishin mesazhet e transmetuara në këto kanale që kishin përmbajtje mbështetëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, si rrjedhojë e të cilave erdhi deri tek vendimi i KPM-së.

Në mesin e platformave televizive në të cilat u transmetuan këto kanale ishte edhe Artmotion, e cila përmes rrugëve gjyqësore të Gjykatës Komerciale kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPM-së.

Megjithatë ky propozim ishte refuzuar si i pabazuar nga Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale më 7 nëntor të vitit që shkoi.

Kundrejt këtij vendimi Artmotion parashtroi ankesë dhe propozoi që aktvendimi i tillë të anulohet. Këtë ankesë Artmotion e kishte bazuar në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Mirëpo, përmes vendimit të publikuar sot (03.01.2024), Dhomat e Shkallës së Dytë të Komerciales këtë ankesë e kanë gjetur të pabazuar dhe vendimin e shkallës së parë e kanë vërtetuar.

Me këtë vendim shkalla e dytë e Komerciales ka shtjelluar se e konsideron të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e shkallës së parë.

Tutje në këtë aktvendim thuhet se përmbajtja e programeve në fjalë përbën cenim për integritetin territorial të Kosovës përmes promovimit të veprave terroriste.

“Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësojnë se përmbajtja programore e kufizuar me vendimet e kontestuara ka shprehur hapur cenim për sigurinë kombëtare dhe integritetit territorial përmes mbështetjes dhe promovimit të akteve terroriste në përmbajtjet audiovizuele dhe tekstuale të transmetuara në kanalet Arena Sport”- thuhet në vendimin në fjalë.

Tutje gjykata përmes vendimit të publikuar ka thënë se këto programe synojnë promovimin e akteve terroriste.

“Publikimi i përmbajtjeve të tilla që synojnë promovimin e akteve terroriste dhe veprimeve që mund të nxisin dhunë shtesë në Republikën e Kosovës pa mëdyshje paraqesin veprim kundër interesit publik”.

Në arsyetimin e dhënë kolegji ka vlerësuar se Artmotion deri më tani nuk ka paraqitur prova se publikimet e tilla nuk do të përsëriten apo do të kufizohen në çfarë do mënyre.

Kujtojmë se gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit u vra rreshteri Afrim Bunjaku, i cili u shpall “Hero i Kosovës” nga Presidentja e Kosovës, një ditë pas rënies së tij.

Ky sulm u dënua nga institucionet vendore dhe nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.