Komisioni i Pavarur per Media/KPM

KPM kërkon nga operatorët të ndalin transmetimin e kanaleve “Arena”

Komisioni i Pavarur për Media ka kërkuar nga operatorët e shpërndarjes që menjëherë të ndalojnë transmetimin e kanaleve “Arena”, pas shfaqjes së mesazheve e thirrjeve mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator në Banjskë, përmes platformave televizive pasditen e së shtunës.

“Si komision kërkojmë nga operatorët e shpërndarjes që menjëherë të ndalojnë transmetimin e kanaleve Arena” – tha kryetari i KPM-së Jeton Mehmeti.

Rekomandimi u votua nga 5 anëtarët e komisionit.

KPM ka një rregullore të vitit 2020-2021  për ofruesit e shërbimeve autovizuele.

Zyra ekzekutive e KPM, me datë 1 tetor ka iniciuar monitorim të këtyre ofrueseve për shkak të dyshimit se disa kanale kanë transmetuar përmbajtje që cenojnë sigurinë dhe interes nacional.

“Kanalet ‘Arena’ kanë transmetuar përmbajtje që janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së. Mesazhet e tilla që glorifikojnë grupe që kanë sulmuar policinë e Kosovës janë në kundërshtim me Nenin 19- neni 2.  Andaj, sipas rregullores, ofruesit kabllor menjëherë të ndalojnë transmetimin e kanalit arena sepse cenojnë interesin nacional dhe sigurinë kombëtare” – tha Jeton Mehmeti.

Anëtari i KPM-së, Besnik Berisha u shpreh i indinjuar me pamjet që u shfaqën në këto kanale ku sipas tij, ndodhi propagandë vulgare.

“Ngjarjen së pari e kam përjetuar si qytetar dhe kam qenë shume i indinjuar. Ka qenë një propagandë. Audienca i merr infot nga mediat pavarësisht a janë vendore a të huaja. Në rastin konkret e kemi të evidentuar që ka ndodh një propagandë vulgare, rrezikim i sigurisë nacionale dhe interesit publik. Spoti në bazë të evidencave që kemi është shfaq disa herë. Një mesazh të tillë duhet ta dimë si e ka përjetuar qytetari. Na duhet të sillemi si anëtar të komisionit, por interesi nacional na bënë që të sillemi në mënyrë koherente. Mendohet se sporti i bashkon njerëzit dhe jo kanale të sportit të shfrytëzohen për nxitje për dhunë”- u shpreh

Derisa, anëtarja Luljeta Aliu u shpreh se këto kanale duhet të ndërpriten pasi është keqpërdorim i platformës.

Sipas saj, interesi biznesor i disa personave është me i madh se ai shtetëror.

“Kjo është keqpërdorim i platformës Arena, kjo është e papranueshme. Mendoj që ne sot nuk do të duhej fare që të mblidhemi, por vet ofruesit ta largonin kanalin sepse e kanë obligim moral por interesi biznesor i disa personave është më i madh se ai shtetëror. Këtë e kemi parë me mënyrën e regjistrimit të disa bizneseve në Serbi” – u shpreh ajo.

Mesazhet mbështetëse për terroristët e varë në sulmin terrorist në Banjskë të Zvecanit, të dielën e 24 shtatorit u transmetuan përmes platformave televizive si ‘Artmotion’, ‘Kujtesa’ dhe ‘Ipko’, pasditen e së shtunës.

KPM reagon për transmetimin e mesazheve mbështetëse për terroristët në kanalet sportive serbe që transmetohen në Kosovë