Aliu: Kam kërkuar që shkeljet e kontratave të konsumatorëve nga ‘ArtMotion’ t’i dërgoj në prokurori, nuk kam gjetë mbështetje

Anëtarja e Komisionit të Pavarur për Media, Luljeta Aliu në mbledhjen e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës – 16.02.2024, deklaroi se ka kërkuar që shkeljet e kontratave të konsumatorëve nga ‘ArtMotion’ t’i dërgoj në prokurori.

Ajo theksoi se për këtë, nuk ka gjetur mbështetje.

“Më vjen shumë keq ta them prej anëtarëve. Lidhur me shkeljet e kontratave nga ‘ArtMotion’ ndaj konsumatorëve kam kërkuar ta dërgoj në prokurori. Nuk kam gjetë mbështetje”- ka thënë ajo.

Raportimi i KPM-së para Komisionit parlamentar për Media, i cili kishte filluar më 09.02.2024 dhe kishte përfunduar atë ditë për të vazhduar sot është duke vazhduar edhe sot më 16.02.2024.

Raportimi ka të bëjë me vendimmarrjen e KPM-së mbi shfuqizimin e vendimit të saj me të cilin kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena” pasi këto të fundit kishin transmetuar mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë në Banjskë më 24.09.2023.

Mbledhja e datës 09.02.2024 ishte përcjellë me shumë polemika mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre opozitarë drejtuar anëtarëve të KPM-së lidhur me këtë vendimmarrje të këtyre të fundit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi e ka pyetur kryetarin e KPM-së, Jeton Mehmeti se “A jeni taku me Devollët kohëve të fundit ju personalisht?”.

Mehmeti në përgjigjen e tij ka deklaruar se ai takohet me të gjitha mediat e licencuara në Kosovë të cilat rregullohen nga KPM-ja.

“Ka tetë muaj që e kam pozitën e kryetarit të KPM-së dhe ne rregullojmë mediat që janë të licencuara në Kosovë. Unë kam vizituar pothuajse të gjitha televizionet që janë të licencuara në Kosovë me qëllim që t’i njoftoj me rregulloret e reja që po vijnë, me qëllim që të dëgjoj edhe hallet e industrisë të cilën e rregullojmë”- tha Mehmeti.

“Unë nuk i fsheh takimet e mia nga mediat të cilat i vizitoj dhe i rregulloj. Unë nuk i mshefi takimet e mia, unë nuk jam për me u mshef mbrapa tavolinës dhe vetëm të shqiptoj gjoba e sanksione sepse jemi për ngritje të cilësisë. Unë i kam vizituar të gjitha mediat përfshirë edhe Klan Kosovën nëse e keni aty qëllimin”- shtoi ai.

Mehmeti të premten më datë 16.02.2024 tha se vendimi për shfuqizimin e pezullimit për “Arena Sport” ka ardhur pas katër muajve që nga vendimi i parë për pezullimin e kanaleve.

Ai shtoi se vendimmarrja është bërë duke u bazuar në Rregulloren e KPM-së tek neni 30, para 1.4 kur pezullimi bëhet për një periudhë të caktuar kohore.

“Pas 4 muajve e kemi marrë vendimmarrjen. Jemi ballafaquar me kërkesa të vetë nga operatorët shpërndarës 2-3 herë, jemi ballafaquar me kërkesa direkte nga “Arena Sport”, “aman rishqyrtojeni vendimin, kemi mekanizma të reja do të garantojnë që nuk do të përsëriten”- ka deklaruar Mehmeti.

Deputeti Muzaqi pyet kryetarin e KPM-së: A jeni taku me Devollët ju personalisht?