Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri: Diskursi i përdorur nga LVV ndaj KPM-së ka emër dhe mbiemër, presion politik

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) është duke raportuar para Komisionit parlamentar për Media pas vendimit për rikthimin e kanaleve sportive të “Arena”.

Ky vendim u kritikua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë pjesë e këtij komisioni. Ata kërkuan edhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së.

Diskurin e përdorur nga deputetët e LVV-së, deputeti Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur si presion politik.

“Diskursi i përdorur në këtë mbledhje e ka vetëm një emër dhe mbiemër, presion politik”- ka thënë ai.

Tahiri tha se Komisioni për Media ka keqpërdorur misionin e saj sot gjatë raportimit të Komisionit të Pavarur të Mediave.

“Sot e them me përgjegjësi të plotë edhe si anëtar i komisionit, jemi duke e keqpërdorur misionin tonë thelbësor për me i mbrojtë institucionet e pavarura kushtetuese. Mos e qitni në nivel patriotizmi por vetëm të rregullave. Mos i’u leni plagë”- tha ai.

 

Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti ka shfuqizuar vendimin e tij  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje nuk kishte qenë e pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Në mbledhjen e në fjalë, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

Shfuqizimi i vendimit të KPM-së erdhi një ditë pasi MINT njoftoi se ka nxjerrë vendim ku ka lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, dje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.