Seanca 23.02.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto: Jetlira Buzhala/ KALLXO.com

Paradite “llogarikërkues”- pasdite “llogaridhënës”, kryetari i komisionit parlamentar para Gjykatës

Valon Ramadani, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e nisi ditën duke u kërkuar llogari të tjerëve, ndërsa më vonë iu deshtë të paraqitet në Gjykatë për të dhënë vetë llogari për një vepër që dyshohet ta ketë kryer vite më parë.

Gjatë paradites, ai e kryesoi mbledhjen e Komisionit parlamentar për media në të cilën vazhdoi raportimi i anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, për çështjen e rikthimit të kanaleve sportive të “Arena”, kurse pasdite u përball me akuzat hedhje të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 21.03.2018.

Para gjyqtares Anita Krasniqi-Prenaj, deputeti Ramadani, më 23.02.2024, vendosi të mbrohet në heshtje.

Në heshtje ishte mbrojtur edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca lidhur me akuzat për gazin lotsjellës.

Avokati i të akuzuarit Ramadani, Valdrin Behrami i tha gjykatës se nuk është i pajisur me shkresat e lëndës meqë ishte autorizuar ditën e sotme si avokat nga i akuzuari.

Çka thotë dosja e prokurorisë për këtë rast?

Aktakuza e ngritur më 26.07.2019 thotë se deputeti në fjalë ka ndezur dhe ka hedhur bombolë të gazit lotsjellës më 21.03.2018  rreth orës 17:09 gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e VV-së kishin hedhur gaz lotsjellës në këtë seancë menjëherë sapo ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kishte hedhur në votim marrëveshjen për demarkacionin.

Sigurimi i Kuvendit kishte ndërhyrë duke i larguar bombolat e gazit lotsjellës.

Kjo seancë ishte ndërprerë.

Veç kësaj, ai akuzohet se ka penguar edhe deputetët tjerë në kryerjen e detyrave të tyre duke pamundësuar punimet në seancë me hedhjen e gazit lotsjellës.

Provat të cilat i ka në dispozicion prokuroria sipas dosjes së saj janë raportet policore, ekspertizë mbi mjetin e bombolës, videoinqizime, fotodokumentacion dhe vendimi i Kryesisë së Kuvendit mbi ndalimin e pjesëmarrjes dhe vazhdimin e seancës.

Dosja shpalos se i akuzuari Ramadani para policisë është mbrojtur në heshtje.

Ky rast do të vazhdojë me 05.03.2024.