Foto: Ministria e Mbrojtjes
Maqedonci në takim me homologët evropianë përmend sulmin terrorist në Banjskë
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, gjatë takimit me homologët europianë në kuadër të Ministerialit të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Budapest të Hungarisë, ka theksuar se përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit vazhdojnë të jenë të lirë dhe të pandëshkuar për aktin e kryer.
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes me anë të një komunikate, Maqedonci ka rikonfirmuar orientimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO.
“Ministri Maqedonci kërkoi përkrahjen e vendeve pjesëmarrëse në këtë format, për realizimin e këtyre aspiratave të vendit tonë, për të na mundësuar dhënien kontributit më të madh për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”, thuhet në komunikatë.
Në adresimin e tij, ai ka folur edhe për Ukrainën.
“Në adresimin tim ritheksova gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informova të pranishmit për kontributin e vendit në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tonë”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator 2023.
Në orët e para të kësaj dite, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.
Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.
Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.
Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.