"Referendumi" në veri, Tahiri: Qasjet eksperimentuese e dëmtojnë Kosovën

Kryetari i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se si parti kanë deklaruar vazhdimisht se mbajtja e votimeve në veri të Kosovës është eksperiment i rrezikshëm.

Ai tha se dje [më 22.04.2024] u pa që ndikimi i Serbisë te komuniteti serb i Kosovës, në atë pjesë të vendit, është shumë i madh.

“Frikësimi, presioni politik, ndikimi politik i Vuçiqit vazhdojnë të jenë me ndikim”- u shpreh Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë, më 22.04.2024.

Sipas tij, Kosova duhet ta shtrijë sovranitetin e plotë në atë pjesë të Kosovë, por gjithmonë duke argumentuar para faktorit ndërkombëtar për legjitimitetin demokratik.

“Në qoftë se shteti i Kosovës nuk ka fuqi ta hap një shkollë për të mbajtur zgjedhjet, por duhet në kontejner, për t’u bërë lajm në mediat ndërkombëtare se si nuk ka rrymë e ngrohje, kështu nuk funksionon. Kërkesa jonë si AAK është që në temat që ndërlidhen me sovranitetin, integrimin e plotë, duhet të trajtohen me një kujdes të veçantë dhe me ndjeshmëri serioze. Në të kundërtën, qasjet eksperimentuese vazhdojnë ta dëmtojnë Kosovën”- ka thënë ai.

Tahiri ka shtuar se Serbia duhet ta kuptojë se Kosova e ka rregullin e vet kushtetues, ligjor dhe se legaliteti dhe legjitimiteti demokratik e detyron të ketë institucione të zgjedhura.

Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.