Tentim vrasje në Dragash

Tentim vrasja në Dragash, i dyshuari kishte kanosur ish-vjehrrin në janar të këtij viti

K.Q. mbeti të premten më 26.04.2024 i plagosur në qendër të Dragashit pas gjuajtjes me armë zjarri që dyshohet se u bë nga ish–dhëndri i tij, O.M., pas një mosmarrëveshje paraprake rreth procesit të divorcit në mes vajzës së viktimës dhe të dyshuarit.

Të dhënat që ka siguruar KALLXO.com nga Gjykata Themelore në Prizren, tregojnë se i dyshuari më 20.01.2024 e kishte kanosur ish-vjehrrin e tij.

Për këtë rast të iniciuar si “Kanosje”, Gjykata më 06.04.2024 kishte pranuar aktakuzë.

Përpos këtij rasti, të dhënat e siguruara tregojnë se i dyshuari ka një të kaluar kriminale me gjithsej edhe tri raste të tjera aktive e katër të tjera në të cilat e ka shfrytëzuar të drejtës për shlyerje.

Këto të dhëna tregojnë se i dyshuari për vrasje në tentativë që ndodhi të premten më 26.04.2024 ka edhe katër vepra të ndryshme të tjera penale.

Të dhënat tregojnë se O.M. ka një rast aktiv për “Mospërfillje të Gjykatës”, e që ka të bëjë me mos respektimi i vendimit gjyqësor nga zgjidhja e martesës, pra mos përmbushje e obligimit për alimentacion.

I dyshuari po ashtu ka një aktakuzë për vepër penale të narkotikëve, e edhe një tjetër për veprën penale keqpërdorim i besimit.

Në këtë të fundit, për 31-vjeçarin thuhet se gjatë vitit 2022 – 2023, akuzohet se ka përvetësuar para nga biznesi ku punonte.

Prokuroria Themelore Prizren ka njoftuar se ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orëve 31-vjeçarin O.M., i cili po dyshohet për veprat penale “Tentim vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Siç është thënë në njoftim Prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

KALLXO.com raportoi më herët detaje lidhur me këtë rast të cilat mund t’i gjeni KËTU.

Ndalohet për 48 orë i dyshuari që tentoi të vrasë ish vjehrrin në Dragash