Ministria nxjerr vendim: Qytetarët mund ta shkëpusin kontratën për kabllorët nëse operatori nuk i përmbahet kontratës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve që i ka pranuar Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.

Sipas MINT, detyrimi që u është vënë konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/kanaleve, është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

“Detyrimi që iu është vënë konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/ kanaleve, është në kundërshtim me nenin 72, paragrafi 1, nën paragrafi 1.15 i Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku specifikohet që ‘Kushtet të cilat konsiderohen si të padrejta janë ato kushte të cilat kanë qëllimin apo efektin e: Detyrimit të konsumatorit që të përmbushë të gjitha detyrimet e tij kur shitësi ose furnizuesi nuk i përmbush obligimet e tij’”- thekson ministria.

Qytetarët kanë raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve, ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.

MINT-i pati thënë se do të merren veprime sipas ligjeve në fuqi për këtë çështje.

Një numër ankesash për këtë çështje ishte thënë se janë duke u trajtuar edhe nga Komisioni i Pavarur për Media.

Ankesat e qytetarëve ndaj operatorëve kabllorë, reagon MINT

www.kallxo.com