Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com
Amandamendet e propozuara nga Serbia për Kosovën rrëzohen nga Komiteti për Politikë i KiE-së
Komiteti për Politikë në kuadër të Këshillit të Europës i ka hedhur poshtë amandamentet e propozuara nga Serbia, njëherësh nuk e ka kaluar as amandamentin e propozuar nga Italia, i cili rekomandonte përfshirjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ky takim në Këshillin të Europës ku po qëndron ekipi i Kallxo.com ishte i mbyllur, por lajmin që nuk janë votuar amandamentet e Serbisë e dha Besnik Tahiri i cili është pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në KiE.
“ Nuk janë miratuar- të gjitha janë refuzuar”- tha Tahiri për Kallxo.com.
Gjithsej ishin 15 amandamente për raportin e raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis.
Ky opinion i Bakoyannis që pritet të votohet sot nga ora 17:00 nga delegatët e shteteve anëtare të KiE, rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rru votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.
Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.
Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.
Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.
Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Ndërsa si shtet, Kosova do të bëhet e barabartë me 46 vendet e tjera anëtare.