Zyra e BE-së: Anëtarët e KPM-së duhet të jenë të lirë të ushtrojnë detyrat e tyre

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është takuar me anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave të entjen më 22.02.2024.

Sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së, në takim u theksua se pavarësia e KPM-së do të respektohet në çdo kohë dhe se çdo ndërhyrje e motivuar politikisht do të eliminohet.

Po ashtu është thënë se anëtarët e KPM-së duhet të jenë të lirë të ushtrojnë detyrat e tyre.

“Në një takim me Kryesuesin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Shefi i Seksionit për Sundim të Ligjit dhe Juridik të PSBE-së theksoi se pavarësia e KPM-së do të respektohet në çdo kohë, se çdo ndërhyrje e motivuar politikisht do të eliminohet dhe se anëtarët e KPM-së duhet të jenë të lirë të ushtrojnë detyrat e tyre” – u tha nga Zyra e BE-së.

Tutje është njoftuar se dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për projektligjin për KPM-së, i cili u njoftua se aktualisht është duke u analizuar nga BE-ja.

Në njoftimin e Zyrës së BE-së u shtua se mbetet thelbësore që Kosova ta miratojë Ligjin në një proces të shpejtë, të hapur dhe transparent, me konsultime të duhura duke përfshirë shoqërinë civile dhe organizatat mediatike.

Ndryshe raportimi i KPM-së para Komisionit parlamentar për Media, i cili kishte filluar më 09.02.2024 dhe kishte përfunduar atë ditë për të vazhduar më 16.02.2024, pritet të vazhdoj edhe të premten më 23.02.2024.

Raportimi ka të bëjë me vendimmarrjen e KPM-së mbi shfuqizimin e vendimit të saj me të cilin kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena” pasi këto të fundit kishin transmetuar mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë në Banjskë më 24.09.2023.