Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kurti çuditet me raportin e DASH-it: Kosova do të duhej të lavdërohej
Ditë më parë, Departamenti i Shtetit Amerikan publikoi raportin ku vlerësoi se vendi përballet me probleme si në pavarësinë e gjyqësorit e në liri të mediave.
Por, me këto vlerësime nuk është pajtuar shefi i qeverisë kosovare, Albin Kurti. Në një intervistë për Deutsche Welle ai tha se Kosova do të duhej të lavdërohej.
“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin do të duhej të lëvdohej Kosova”– ka thënë Kurti.
Kurti gjithashtu ka folur për përgatitjet e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Ai u shpreh i bindur që vendi do të anëtarësohet në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtarë.