Kryetari i KPM-së arsyeton vendimin për kanalet ‘Arena’: Kemi marrë garanci që do të respektohen rregulloret tona

Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Jeton Mehmeti ka arsyetuar vendimin e institucionit që ai drejton për të rikthyer kanalet sportive të “Arena”, duke thënë se kanë marrë garanci që do të respektohen rregulloret e KPM-së.

Këto kanale kishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë serbë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Ende pa u bërë 3 ditë që kur KPM-ja shfuqizoi vendimin e saj për pezullimin e kanaleve sportive të “Arena”, Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka thirrur në raportim Komisionin e Pavarur për Media.

Mehmeti i pyetur nga deputeti, Njazi Isaku nga Lëvizja Vetëvendosje, se si erdhi deri te vendimi për rikthimin e këtyre kanaleve, ai tha se rrethanat tashmë kanë ndryshuar.

Ai tha se janë bërë kërkesa të vazhdueshme për rishkim të vendimit.

“Kanë ndryshuar rrethanat , janë bërë kërkesa të vazhdueshme për rishikim të vendimit, 85%e konsumatorëve kishin mbetur pa ato kanale sportive”- tha Mehmeti.

“Vendimarrja (për rikthimin e kanaleve) është e bazuar në 3 kushte ato janë kërkim falja po ashtu kemi marrë garanci se do të krijojnë ekipe që do të rishikojnë çdo lloj kontenti në territorin e Kosovës. Kanë dhënë siguri se do të respektohen rregulloret e KPM-së. Ri përsëritja e një mesazhi politik do të rezultojë në mbylljen permanente të këtyre kanaleve në Kosovë”- tha ai.

Deputeti i LVV-së, Njazi Isaku ka kërkuar shkarkimin e anëtarëve të KPM-së pas vendimit për rikthimin e kanaleve të sportit, ‘ Arena’ duke e quajtur skandaloz vendimmarrjen.

Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti ka shfuqizuar vendimin e tij  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje nuk kishte qenë e pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Në mbledhjen e në fjalë, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

Shfuqizimi i vendimit të KPM-së erdhi një ditë pasi MINT njoftoi se ka nxjerrë vendim ku ka lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, dje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.