Isak Shabani nga PDK: "Takimi i sotëm sulm direkt në KPM"

Raportimi i KPM-së para Komisionit parlamentar për Media, i cili kishte filluar më 09.02.2024 dhe kishte përfunduar atë ditë për të vazhduar të premten më 16.02.2024 prapë u përcoll me akuza të deputetëve të VV-së ndaj anëtarëve mbi vendimarrjen e KPM-së.

Raportimi i sotëm pati të bëjë me vendimmarrjen e KPM-së mbi shfuqizimin e vendimit të saj me të cilin kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena” pasi këto të fundit kishin transmetuar mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë në Banjskë më 24.09.2023.

Në takim e sotëm deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi ka akuzuar kryeshefin e Komisionit të Pavarur të Mediave, Faruk Rexhajn dhe kryetarin e bordit Jeton Mehmeti, se janë takuar me Devollët në zyret e këtyre të fundit.

Muzaqi ka kërkuar sqarime nëse për këtë takim, janë njoftuar Bordi i KPM-së.

“Më 14 nëntor në ora 10:00 jeni taku te Devollët bashkë me kryetarin e KPM-së, a i keni njoftu anëtarët e tjerë të bordit?”- ka pyetur Muzaqi.

“Ne me kryetarin kemi vizitu shumë media, kemi vizitu shumë media tjera”- është përgjigjur Rexhaj.

Për ngritjen e temës së takimit tek Devollët, anëtari i Komisionit parlamentar për Media, nga radhët e PDK-së Isak Shabani tha se ka shumë supozime e dyshime për të cilat ai tha se duhet që vetëm organet kompetente të japin mendimin konkret, kurse takimin e sotëm ai e konsideroi si sulm direkt ndaj KPM-së.

“Kjo pyetja lidhur me takimin me 14.11 te Devollët, ne e kuptuam nga përfaqësuesit e komisionit që keni majt disa takime, dhe menjëherë pas 14 nëntorit e shiqova vendimin për shfuqizim kur u marrë , tek o’ me 07.02.2024, dmth mas 3 muajve. Këtu ka shumë supozime, dyshime për të cilat mendoj që vetëm organet kompetente munden me japë mendimin konkret” – tha Shabani në mbledhjen e sotme.

“Kosova është një vend që kryesisht është i vlerësuar për lirinë e mediave dhe është invesuar 20 vite. Takimi i sotëm sipas mendimit tim është një sulm direkt në Komisionit të Pavarur të Mediave” – tha ndër të tjera ai.

Në fjalën e tij ai foli edhe për pavarësinë e Komisonit të Pavarur për Media dhe “imunitetin nga ndikimet” duke cituar nene specifike lidhur me këtë çështje.

“Është fakt që KPM-ja është një organ i pavarur sipas nenit 3 të Ligjit, gjithashtu neni 6 pavarësia e KPM-së apo anëtarëve të KPM-së si dhe personeli i KPM-së nuk marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë edhe subjekte qeveritare. Pavarësia e KPPM-së respektohet në cdo kohë dhe asnjë person apo subjekt nuk lejohet  të ndikojë tek anëtarët e KPM-së për realizimin e detyrave të tyre” – shtoi ai.

Anëtarja e bordit të KPM-së, Luljeta Aliu në mbledhjen e sotme tha se çështja e këtij takimi për të është shumë shqetësuese.

“Këto çështje për mua janë goxha shqetësuese, për këtë arsye deshta edhe një herë prej deputetit me ditë saktësisht pyetjen cilën e shtruat. Ju pyetët se “a jeni taku me Devollët”, këta njerëz që e kanë ArtMotion në pronësi a po jo. Tani Klan Kosova nuk e di që është e Devollëve, këtu erdhi një përgjigje që janë taku me Klan Kosovën, te ne nuk figuron askund emri i familjes Devolli. Nëse ArtMotion ka qenë aty dhe qenka përfaqësues i Klan Kosovës se prapë është krijim i një monopoli dhe më të madh”- tha Aliu.

Aliu ka kërkuar nga kolegët e saj nga KPM-ja që të tregojnë se me kë janë takuar dhe çka kanë diskutuar.

“Edhe unë do doja ta dijë prej dy kolegëve të mi të nderuar se me kë saktësisht janë taku dhe çka kanë diskutu dhe për atë arsye kam kërku që kur të bëhen takimet me palë të treta të jemi edhe ne dikush prej bordit e jo të jeni vetëm ju. Unë nuk po them që keni bo ndonjë shkelje, nuk mund ta them duhet të vërtetohet, mirëpo nëse ka pasë tentativa prej jashtë që ju të ndikoheni në vendime që na keni përfshi edhe neve, atëherë e meritoni me të vërtetë që të hetoheni”- ka shtuar ajo.

Mbledhja e sotme do të vazhdojë më 23.02.2023, ditë e premte.