Deputeti Muzaqi pyet kryetarin e KPM-së: A jeni taku me Devollët ju personalisht?

Në mbledhjen e Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës po vazhdon raportimi i Komisionit të Pavarur për Media.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi e ka pyetur kryetarin e KPM-së, Jeton Mehmeti se “A jeni taku me Devollët kohëve të fundit ju personalisht?”.

Mehmeti në përgjigjen e tij ka deklaruar se ai takohet me të gjitha mediat e licencuara në Kosovë të cilat rregullohen nga KPM-ja.

“Ka tetë muaj që e kam pozitën e kryetarit të KPM-së dhe ne rregullojmë mediat që janë të licencuara në Kosovë. Unë kam vizituar pothuajse të gjitha televizionet që janë të licencuara në Kosovë me qëllim që t’i njoftoj me rregulloret e reja që po vijnë, me qëllim që të dëgjoj edhe hallet e industrisë të cilën e rregullojmë”- tha Mehmeti.

“Unë nuk i fsheh takimet e mia nga mediat të cilat i vizitoj dhe i rregulloj. Unë nuk i mshefi takimet e mia, unë nuk jam për me u mshef mbrapa tavolinës dhe vetëm të shqiptoj gjoba e sanksione sepse jemi për ngritje të cilësisë. Unë i kam vizituar të gjitha mediat përfshirë edhe Klan Kosovën nëse e keni aty qëllimin”- shtoi ai.

Mehmeti të premten më datë 16.02.2024 tha se vendimi për shfuqizimin e pezullimit për “Arena Sport” ka ardhur pas katër muajve që nga vendimi i parë për pezullimin e kanaleve.

Ai shtoi se vendimmarrja është bërë duke u bazuar në Rregulloren e KPM-së tek neni 30, para 1.4 kur pezullimi bëhet për një periudhë të caktuar kohore.

“Pas 4 muajve e kemi marrë vendimmarrjen. Jemi ballafaquar me kërkesa të vetë nga operatorët shpërndarës 2-3 herë, jemi ballafaquar me kërkesa direkte nga “Arena Sport”, “aman rishqyrtojeni vendimin, kemi mekanizma të reja do të garantojnë që nuk do të përsëriten”- ka deklaruar Mehmeti.

KPM-ja i ka dorëzuar dokumentet me shkrim Komisionit parlamentar për Media mbrëmjen e 15.02.2023, njoftoi Nijazi Isaku, kurse në mesin e këtyre dokumenteve i njëjti tha se nuk gjendet askund kërkimfalja që ishte përmendur ai arsyetim nga kryetari Jeton Mehmeti.

Isaku me fillimin e mbledhjes pyeti prapë anëtarët e KPM-së nëse kanë pasur presion mbi vendimmarrjen e tyre.

Fitim Veliu nga KPM tha se nuk kanë pasë kurrë presion nga deputetët.

“Kurrë presion nga ju deputetë nuk kemi pasë, ju falënderoj publikisht për këtë. Po dua me i sqaru dy çështje, “a mund ta shqyrtoni”, dhe” bëje”. Këtë të dytën nuk e kam pas kurrë”- tha Veliu.

Raportimi i KPM-së para Komisionit parlamentar për Media, i cili kishte filluar më 09.02.2024 dhe kishte përfunduar atë ditë për të vazhduar sot është duke vazhduar edhe sot më 16.02.2024.

Raportimi ka të bëjë me vendimmarrjen e KPM-së mbi shfuqizimin e vendimit të saj me të cilin kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena” pasi këto të fundit kishin transmetuar mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë në Banjskë më 24.09.2023.

Mbledhja e datës 09.02.2024 ishte përcjellë me shumë polemika mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre opozitarë drejtuar anëtarëve të KPM-së lidhur me këtë vendimmarrje të këtyre të fundit.

Vazhdon raportimi i KPM-së para Komisonit parlamentar për Media