Deputeti i LVV-së e quan 'skandaloz' vendimin e KPM-së për të rikthyer kanalet e sportit 'Arena'

Ende pa u bërë tri ditë që kur Komisioni i Pavarur për Media shfuqizoi vendimin e saj për pezullimin e kanaleve sportive të “Arena”, Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka thirrur në raportim Komisionin e Pavarur për Media.

Deputeti Njazi Isaku nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e këtij komisioni ka pyetur anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media se pse janë kthyer këto kanale në platformën “Artmotion.”

Ai ka kërkuar shkarkimin e anëtarëve të KPM-së pas vendimit për të rikthyer kanalet e sportit “Arena.”

“Mbledhja ka të bëjë me vendimin që ju keni rikthyer kanalet e ‘Arena’, në mënyrë të pa paralajmëruar. Aq shpejt e keni ndryshuar këtë vendim. Ky vendim është ataku edhe në Gjykatën Komerciale. Çka ndodhi me kthimin që e bëtë, pa media, pa rend dite. Unë e pash që këtë vendim e përshëndetën ‘Artmotion’ nga Serbia”- tha ai.

Isaku e ka përshkruar si “skandaloze” rikthimin e kanaleve të “Arena Sportit” duke thënë se operatorët “po ia shesin shpirtin djallit për disa euro më shumë.”

“A e kuptoni çka ka ndodh në Banjskë, kur dihet se ka qenë sulm terrorist i financuar nga Serbia, e kemi edhe një hero. Çka i thoni familjes Bunjaku pas këtij vendimi? Fatkeqësisht kemi operatorë që ë kane shitur shpirtin e tyre djallit. Këta shqiptarë që flasin shqip dhe mendojnë serbisht. KPM-ja ka rol të madh duhet me dashtë pak ma shumë këtë vend. Nëse na nuk i mbrojmë, kush duhet me i mbrojt?”- tha ai

Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti ka shfuqizuar vendimin e tij  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje nuk kishte qenë e pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Në mbledhjen e në fjalë, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

Shfuqizimi i vendimit të KPM-së erdhi një ditë pasi MINT njoftoi se ka nxjerrë vendim ku ka lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, dje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.