Foto: KALLXO.com

KPM rikthen kanalet e “Arena” që shfaqën mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator në Banjskë

Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e tij  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Sot, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

“Kanalet e (pezulluara) kanë marrë mësimin e duhur, janë bërë glorifikime jo të duhura. E kemi treguar veten shumë seriozë, pa hezitim kemi vendosur, e kanë marrë leksionin e duhur. Zyra e ka monitoruar gjatë gjithë kohës zbatimin e këtij vendimi. Një qasje e tillë nuk do të tolerohet”- u tha në mbledhjen e KPM-së.

Kërkesën për rikthim të kanaleve kompania “Artmotion” e kishte bërë dje, më 5 shkurt, duke thënë se “vendimi i KPM-së do të ishte mirë të revokohet” dhe të lejohet rikthimi i kanaleve të “Arena”.

“Duke u bazuar në faktin se “Artmotion” ka siguruar të gjitha mekanizmat e monitorimit për kanalet e “Arena Sport” si dhe rëndësinë e eventeve sportive për klientët tanë… meqë vendimi kishte karakter të përkohshëm dhe konsiderojmë se janë plotësuar kushtet të cilat e lejojnë KPM-në të aprovojë kërkesën tonë për rikthim në ritransmetim të kanaleve të “Arena” gjithmonë nën monitorim të rreptë nga ‘Artmotion’” – thuhet në kërkesën e bërë nga “Artmotion”.

KMP-ja me 4 vota pro e miratoi kërkesën, duke thënë se do nxirret një vendim i ri për këtë çështje me karakter paralajmërues në gjoba më direkte në rast të përsëritjes së atyre veprimeve.

Kjo çështje nuk ka qenë e pjesë e agjendës së ditës, por u propozua tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të piakve të tjera të rendit të ditës.

Kjo pikë u propozua nga zëvendëskryeshefi ekzekutiv i KPM-së Faruk Rexhaj, kurse u doli në votim nga kryesuesi i mbledhjes, Jeton Mehmeti.

4 anëtarët që votuan pro në mënyrë unanime kundrejt kërkesës së Artmotion janë; kryetari Jeton Mehmeti dhe anëtarët, Besnik Berisha, Fatih Basha dhe Fitim Veliu.

Pjesa e mbledhjes kur u miratua kjo kërkesë ishte nën monitorimin vetëm të BIRN Kosova, pa media tjera prezentë.

KPM-ja në vazhdën e miratimeve në mbledhjen në fjalë vendosi që t’i vazhdojë licencimin kompanisë “Artmotion”, nën kushtet deri në marrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar për çështjen e pezullimit të certifikatës së saj nga ARBK-ja.

Në këtë mbledhje u bë edhe raportimi i kryeshefit ekzekutiv, aprovimi i objektivave dhe Plani i veprimit për vitin 2024.

Gjithashtu u miratua edhe raporti tremujor i punës së KPM-së për periudhën tetor-dhjetor 2023.

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, dje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.

Ministria nxjerr vendim: Qytetarët mund ta shkëpusin kontratën për kabllorët nëse operatori nuk i përmbahet kontratës

www.kallxo.com

Shënim: Artikulli është përditësuar duke publikuar votat e anëtarëve të KPM-së.