366 kontejnerë të rinj i shtohen kryeqytetit, Foto: Kryeqyteti Prishtina/Facebook

366 kontejnerë i shtohen kryeqytetit, një mijë të tjerë do të prodhohen brenda muajit

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë ka njoftuar se 366 kontejnerë të rinj të prodhimit gjerman do të vendosen në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Përveç këtij njoftimi, ata kanë bërë të ditur edhe një sasi kontejnerësh që priten të prodhohen nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Brenda muajit shtohen edhe mbi 1000 tjerë, ndërkohë, po ashtu do të shpërndahen kontejnerët tjerë, prodhim vendor nga Ndërmarrja Publike Banesore” – thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.

1000 kontejnerët që do të prodhohen nga Ndërmarrja Publike Banesore i kishte paralajmëruar Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” më 09.02.2024, pas një bashkëpunimi tjetër me NPB ku kishin finalizuar fazën e parë të projektit për prodhimin e 300 kontejnerëve për kryeqytetin.

“Kemi nisur edhe marrëveshjen e re me Ndërmarrjen Publike Banesore për prodhimin edhe të 1000 kontejnerëve të rinj” – kanë thënë nga kompania “Pastrimi”- më 09.02.2024.

Së fundmi, pesë asamblistë të qytetit të Cyrihut në Zvicër: Flurin Capaul, Pascal Lamprecht, Përparim Avdili, Reis Luzhnica dhe Dafi Muharemi, i kanë kërkuar këshillit të këtij qyteti që t’ia dhurojë qytetit të Prishtinës, kamionët e mbeturinave që nuk i nevojitëm më qytetit zviceran.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga asamblisti i Cyrihut, Flurin Capaul, që është njeri prej nënshkruesve të kërkesës dhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

Në postimin e tij në Facebook, më 29.03.2024 Capaul, bën të ditur se pasi Qyteti i Cyrihut po ndërron makinat për grumbullimin e mbeturinave, ai dhe kolegët i tij kanë kërkuar nga Këshilli që ato t i dorëzohen Prishtinës.

Ndërsa, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar asamblistët e Cyrihut për iniciativën e tyre.

Ndërkaq, KALLXO.com po raporton vazhdimisht për deponitë dhe grumbujt e bërllokut gjithandej në Prishtinë.