Asamblistët e Cyrihut i kërkojnë këshillit të qytetit që t'i dhurojë Prishtinës kamionë për mbledhjen e mbeturinave

Pesë asamblistë të qytetit të Cyrihut në Zvicër: Flurin Capaul, Pascal Lamprecht, Përparim Avdili, Reis Luzhnica dhe Dafi Muharemi, i kanë kërkuar këshillit të këtij qyteti që t’ ia dhurojë qytetit të Prishtinës, kamionët e mbeturinave që nuk i nevojitëm më qytetit zviceran.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga asamblisti i Cyrihut, Flurin Capaul, që është njeri prej nënshkruesve të kërkesës dhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

Kjo kërkesë e asamblistëve nga Cyrihut vjen pasi  Qyteti i Cyrihut planifikon të ndërrojë flotën e tij të automjeteve për grumbullimin e mbeturinave komunale.

Në postimin e tij, në Facebook, Capaul, bën të ditur se pasi Qyteti i Cyrihut po ndërron makinat për grumbullimin e mbeturinave, ai dhe kolegët i tij kanë kërkuar nga Këshilli që ato t i dorëzohen Prishtinës.

“Makina komunale të qytetit po elektrizohen dhe zëvendësohen. Çfarë bëni me të vjetrat? Ne (Pascal Lamprecht dhe unë me bashke nënshkrues Përparim Avdili Reis Luzhnica Dafi Muharemi) kemi paraqitur një postulat (kërkesës)  ndërpartiak: qyteti duhet të kontrollojë nëse makinat për grumbullimin e mbeturinave mund të dorëzohen në Prishtinë”- duke postuar edhe kërkesën drejtuar Këshillit të Qytetit të Cyrihut.

Ndërsa, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një postimin në Facbook, ka falënderuar asamblistët e Cyrihut për iniciativën e tyre.

“E falënderoj asamblistin e Zurich, z. Përparim Avdili, i cili me kolegët e tij kanë filluar një iniciativë shumë domethënëse për Kryeqytetin! Shpresoj që kjo nismë të përkrahet nga qyteti i Zurich, dhe të kemi kamionët sa më shpejtë në Prishtinë!”- ka shkruar ai.