Foto: Përparim Rama/Facebook

Shtimi i kamionëve për pastrim, Rama: Janë rezultat i ndryshimeve që kam bërë në menaxhment të Drejtorisë së Shërbimeve Publike

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një video-mesazhi në Facebook teksa ka njoftuar se kanë rritur kapacitetet e kryeqytetit për mbledhjen e mbeturinave rregullisht, ka përmendur se rritja e kapaciteteve dhe shpërndarja e kontejnerëve të rinj janë rezultat i ndryshimeve që ka bërë në menaxhment të Drejtorisë së Shërbimeve Publike. 

Rama, më 02.02.2024, kishte njoftuar se për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave e ka shkarkuar nga detyra Ilirik Musliun, i cili vjen nga radhët e PDK-së.

Ndërsa, në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 09.02.2024 Përparim Rama përsëriti se ish-drejtorin Ilirik Musliu e ka shkarkuar pikërisht për gjendjen në Prishtinë me bërllokun.

Në vend të Musliut është vendosur Bekim Brestovci, ish-pjesëtar partisë NISMA.

Brestovci po ashtu deklarohet në video-mesazhin e Ramës për rritjen e kapaciteteve për mbledhjen e mbeturinave të kryeqytetit.

Me këtë rritje të kapaciteteve, Rama shprehet se “problemit të mbeturinave në kryeqytet i erdhi fundi”.

“Nga sot kemi rritur kapacitetet e organeve të Kryeqytetit për të mbledhur mbeturinat rregullisht. Rritja e kapacitetit bashkë me kontejnerët e rinj që po shpërndahen janë rezultat i ndryshimeve që kam bërë në menaxhment të Drejtorisë së Shërbimeve Publike” – ka deklaruar Rama.

Kurse Brestovci ka treguar një numër punëtorësh që do të angazhohen në përditshmëri në pastrimin e kryeqytetit.

“Nga sot për pastërtinë e kryeqytetit do kemi edhe mekanizëm shtesë. Janë këta 10 kamionët e rinj, të cilët do angazhohen e po ashtu edhe 30 punojnës, të cilët në përditshmëri do përkujdesen që Prishtinën ta kemi për çdo ditë e më të pastër” – ka thënë Brestovci.

Si përfundim, Rama ka bërë thirrje ndaj qytetarëve duke i lutur që të jenë të përgjegjshëm në hedhjen e mbeturinave, në mënyrë që ta mbajnë Prishtinën të pastër.

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë më 30.03.2024 kishte njoftuar se 366 kontejnerë të rinj të prodhimit gjerman do të vendosen në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Përveç këtij njoftimi, ata kishin bërë të ditur edhe një sasi kontejnerësh që pritej të prodhohen nga Ndërmarrja Publike Banesore.

“Brenda muajit shtohen edhe mbi 1000 tjerë, ndërkohë, po ashtu do të shpërndahen kontejnerët tjerë, prodhim vendor nga Ndërmarrja Publike Banesore” – thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës, më 30.03.2024.

Këta 1000 kontejnerët që pritej të prodhohen nga Ndërmarrja Publike Banesore i kishte paralajmëruar Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” më 09.02.2024, pas një bashkëpunimi tjetër me NPB ku kishin finalizuar fazën e parë të projektit për prodhimin e 300 kontejnerëve për kryeqytetin.

“Kemi nisur edhe marrëveshjen e re me Ndërmarrjen Publike Banesore për prodhimin edhe të 1000 kontejnerëve të rinj” – kanë thënë nga kompania “Pastrimi”- më 09.02.2024.

Ndërsa, pesë asamblistë të qytetit të Cyrihut në Zvicër: Flurin Capaul, Pascal Lamprecht, Përparim Avdili, Reis Luzhnica dhe Dafi Muharemi, i kanë kërkuar këshillit të këtij qyteti që t’ia dhurojë qytetit të Prishtinës, kamionët e mbeturinave që nuk i nevojitëm më qytetit zviceran.

Një gjë e tillë ishte bërë e ditur nga asamblisti i Cyrihut, Flurin Capaul, që është njeri prej nënshkruesve të kërkesës dhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

Në postimin e tij në Facebook, më 29.03.2024 Capaul, bën të ditur se pasi Qyteti i Cyrihut po ndërron makinat për grumbullimin e mbeturinave, ai dhe kolegët i tij kanë kërkuar nga Këshilli që ato t i dorëzohen Prishtinës.

Ndërsa, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar asamblistët e Cyrihut për iniciativën e tyre.

Ndërkaq, KALLXO.com po raporton vazhdimisht për deponitë dhe grumbujt e bërllokut gjithandej në Prishtinë.