Kontenjerët e prodhuar për Prishtinën, Foto: KRM Pastrimi/Facebook

Prodhohen 300 kontejnerë, KRM “Pastrimi”: Procesi i prodhimit u ideua në bashkëpunim me Donjeta Sahatçiun dhe Ilirik Musliun

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Banesore kanë finalizuar fazën e parë të projektit për prodhimin e 300 kontejnerëve për kryeqytetin.

Sipas njoftimit, procesi i prodhimit të këtyre kontejnerëve u ideua dhe u fillua në nëntor të vitit 2023, në bashkëpunim me ish-nënkryetaren e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu dhe ish-drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Këta të fundit janë shkarkuar nga pozitat e tyre me vendim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Rama, më 2 shkurt, kishte njoftuar se për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave e ka shkarkuar nga detyra Musliun.

Kurse, më 5 shkurt, Sahatçiu është liruar edhe nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Arsimit.

Ndërsa, sonte në emisionin “Kallxo Përnime” Përparim Rama përsëriti se ish-drejtorin Ilirik Musliu e ka shkarkuar pikërisht për gjendjen në Prishtinë me bërllokun.

“Procesi i prodhimit të kontejnerëve u ideua dhe u fillua në nëntor 2023 në bashkëpunim me nënkryetaren znj. Donjeta Sahatçiu dhe Drejtorin e Shërbimeve Publike z.Ilirik Musliu si nevojë që në Kryeqytet të rrisim numrin e kontejnerëve për shkak të mungesës së madhe dhe e cila ka ndikuar edhe në shërbimin cilësor” – ka njoftuar KRM “Pastrimi” në Facebook.

Më tej, KRM “Pastrimi” është shprehur se përmes këtij projekti cilësor kanë arritur që me kosto të ulët ta kursejnë buxhetin e kompanisë dhe njëherit ta ndihmojnë Komunën në shtimin e numrit të tyre, dhe presin që të ndikojë dukshëm në ngritje të cilësisë.

Gjithashtu, ata kanë bërë të ditur se do të prodhohet edhe një sasi tjetër e kontejnerëve.

“Menjëherë po e fillojmë shpërndarjen e tyre në lagje te ndryshme të kryeqytetit. Kemi nisur edhe marrëveshjen e re me Ndërmarrjen Publike Banesore për prodhimin edhe të 1000 kontejnerëve të rinj” – kanë shtuar nga kompania “Pastrimi”.

KALLXO.com po raporton vazhdimisht për deponitë dhe grumbujt e bërllokut gjithandej në Prishtinë.

Pamje të tmerrshme në Prishtinë – Mbeturinat mbulojnë një pjesë të rrugës ‘Muharrem Fejza’

www.kallxo.com