Shitjet e Ndërmarrjeve për Skrap

Kosova u nda nga Ish-Republika Socialiste e Jugosllavisë. Sikur të gjitha vendet që dolën nga Bashkimi Sovjetik dhe ish-Jugosllavia, edhe Kosova u obligua të zgjidh çështjen e statusit të ndërmarrjeve shoqërore, që i trashëgoi nga ish sistemi. Me vendim të UNMIK-ut, përkatësisht shtyllës së katër të saj, nisi procesi i dhimbshëm i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, që deri atëherë ishin të askujt dhe të gjithëve njëkohësisht.

Privatizimi në Kosovë ishte në radh të parë proces politikë, sepse i njëjti u kundërshtua nga Serbia e cila kishte pretendime mbi këto prona. Menjëherë pas fillimit të procesit të privatizimit, nisen edhe telashe. Fillimisht shumë punëtor mbetën pa punë, ndërsa 20 përqindëshi i premtuar u zvarritë duke shkaktuar protesta e pakënaqësi të punëtorëve.

Para shpalljes së pavarësisë u privatizuar vetëm ndërmarrjet shoqërore nga ana e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që ishte pjesë e shtyllës së katër të UNMIK-ut. Pas shpalljes së pavarësisë, AKM-ja u transferua në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. AKP-ja nuk i trashëgoi të gjitha dokumentet nga AKM-ja, pasi një pjesë e tyre u dogjën, ndërsa asaj ju transferuan edhe shumë probleme me ndërmarrje të privatizuar deri në atë kohë. Edhe AKP-ja e vazhdoi procesin e privatizimit, për të cilën kishte shumë pakënaqësi e dyshime për parregullsi e korrupsion.

Ndërkohë, pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës u përcaktua për privatizimin e ndërmarrjeve publike. U vendos për privatizim të një pjesë të KEK-ut, përkatësisht privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit si dhe privatizimin e PTK-së. Për Aeroportin u zgjedh një formulë tjetër, dhënien e tij me koncesion për 20 vjet.

Dështimi i Privatizimit të PTK-së

Qeveria e Kosovës kishte vendosur të heq dorë prej pronësisë së një prej ndërmarrjeve më të suksesshme deri në atë kohë- Postën dhe Telekomin e Kosovës. Tenderi i parë për privatizimin e PTK-së dështoi pasi nga gara u tërhoq kompania mbrapa se cilës ishte Telekomi Gjerman. Për dështimin e procesi të parë të privatizimit të PTK-së u fajësua kurdisja e tenderit, si dhe kriza financiare. Tenderi i parë dështoi në vitin 2011 pasi që në garë kishte mbetur vetëm një kompani. Qeveria kishte pohuar se nuk donte të vazhdonte procesin me vetëm një kompani por do të nxiste konkurrencën. Tenderi i dytë i privatizimit ishte shtyrë pesë herë dhe Qeveria e arsyetonte këtë me “nxitjen e konkurrencës”.

Konzorciumi gjermano amerikan, Axos në prill të vitit 2013 u shpall fitues për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, me çmimin e ofruar prej 277 milionë eurosh.

Mirëpo, privatizimi i PTK-së nuk ndodhi për shkak se procesi nuk mori bekimin e Kuvendit të Kosovës ku opozita kundërshtonte ashpër këtë proces dhe kishte bojkotuar disa herë seancat në Kuvend, kur kërkohej që të votohej raporti i qeverisë për shitjen e PTK-së.

Partitë opozitare kërcënuan se nuk do ta votojnë edhe buxhetin e vendit për vitin 2014, pas tentimit të qeverisë që me një amendament në këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Telenovela e privatizimit të PTK-së zgjati deri në ditët e fundit të muajit dhjetor 2013, kur përfundimisht qeveria vendosi të mos e nënshkruaj kontratën e shitjes së aksioneve të PTK-së, pa vendim të Kuvendit të Kosovës.

Kompania “Axos” me 4 qershor 2015 e kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GJNA). Kompania Axos ka kërkuar dëmshpërblim në shumë prej 50 milionë eurove.

Ministri që e udhëhiqte Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli pati deklaruar se Qeveria nuk do të kompensojë kompaninë ‘Axos’ me të cilën nuk u nënshkruara kontrata pasi u shpall fituese në tenderin për blerjen e aksioneve të korporatës së Postë-Telekomit të Kosovës.

Ismajli kishte thënë se qeverinë e Kosovës e mbrojnë dokumentet e transaksionit dhe nuk ndihet e kërcënuar për kompensimin që Axos po e kërkon.

“Qeveria i ka të gjitha instrumentet dhe është e mbrojtur me dokumentet e transaksionit ku ka pas të drejtën me nenin 1.1 të këtyre dokumenteve me anulu në çdo moment këtë proces”, ishte deklaruar Ismajli.

Qeveria disa here ka ndarë mjete për mbrojtje ligjore. Në shtator të vitit 2015 qeveria ishte mobilizuar për gjyqin e privatizimit të PTK-së.

Dështimi i privatizimit të PTK-së shkoi në arbitrazh ku në vitin 2015, Kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa iu është dashur të mobilizoj qeverinë për përfaqësim para kësaj gjykate.

Ministri i Drejtësisë së asaj kohe Hajredin Kuçi, kishte thënë se kanë ardhur në përfundim që Zyra e Avokatit të Shtetit nuk ka kapacitete adekuate për një përfaqësim të tillë dhe nuk ka përvojën e duhur.

Prandaj sipas tij kjo duhet të bëhet nga një përfaqësi adekuate e autorizuar.

Në dhjetor të 2016-tës, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 150 mijë euro për të mbuluar koston e ekspertizës në çështjen e kontestit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për privatizimin e PTK-së.

Kabineti qeveritar ka autorizuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për inicimin e procedurave të përfaqësimit lidhur me kërkesën për arbitrazh drejtuar Institucioneve të Republikës së Kosovës nga kompania “ACP Axos Capital” GMBH, në lidhje me çështjen e privatizimit të dështuar Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK).

Sipas raportimit të mediave përfaqësuese ligjore nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për kontestin e privatizimit PTK-Axos është shpallur një kompani nga Bullgaria me emrin “KPMG Bulgaria” e që për punën që do ta kryen do të paguhet 100 mijë euro.

Hyrja e Turqve në Aeroport

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP), është koncesionuar me 1 qershor të vitit 2010 ku Qeveria e Kosovës kishte shpallur fitues konzorciumin e kompanisë turke “LIMAK” dhe kompanisë franceze “Aeroport de Lyon”.

Kompania franceze kishte 10 për qind të aksioneve dhe kishte eksperiencë në fushën e aeroporteve, kurse kompania “Limak”, që kishte 90 për qind të aksioneve në atë kohë ishte e njohur për përfshirje në ndërtim, energji dhe cement dhe përvoja e saj në fushën e menaxhimit të aeroporteve ishte minimale.

Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqej nga president i tanishëm Hashim Thaçi, në 2010-ën u mbrojt me faktin se po ruante pronësinë e aeroportit, ndërsa atë po e jepte vetëm për 20 vjet, kurse konzorciumi fitues me kontratë obligohej të zgjeronte kapacitetet e aeroportit.

Nën moton “I gatshëm për Botën”, ishte përuruar terminali i ri i aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i ndërtuar nga konzorciumi turko-francez Limak – Aeroport de Lyon në tetor të vitit 2013.

Ndërtimi i terminalit të ri të aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, në ditën e promovimit u tha se kushtoi 130 milionë euro. 

Ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ceremonisë së zhvilluar në aeroport në tetor 2013, e quajti Erdoganin vëlla, duke u kujdesur që homologut turk t’ia kthejë komplimentin që Erdogan i bëri kur vizitoi Kosovën në vitin 2010. Erdogan e kishte quajtur atëherë vëlla Hashim Thaçin.

Qeverisja e Erdogan ishte përfshirë në një valë të hetimeve për korrupsion në Turqi të cilat prekën edhe kompaninë Limak.

Gazeta Jeta në Kosovë në janar të vitit 2014 kishte shkruar se gazeta e përditshme turke Hurriyet publikoi emrat e 41 personave të profilit të lartë të kërkuar për dyshime korrupsioni nga prokurori Muammer Akkas më 25 dhjetor 2013. Në mesin e tyre ndodhej edhe emir i Nihat Ozdemir, kryetari i bordit të kompanisë Limak. Ndërmarrja turke që ka në menaxhim për njëzet vjet aeroportin e Prishtinës, ndërsa ka privatizuar rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji, kishte mohuar se ndaj Ozdemirit është ngritur akuzë. Por, rasti i hetimeve rreth ndërtimit të aeroportit në Stamboll sipas gazetës nuk ishte përballja e parë dhe e vetme e Nihat Ozdemirit të Limakut me drejtësinë turke.

Gazeta JnK, gjithashtu ka shkruar se dhëndri i kryeministrit që e udhëhiqte Turqinë, Rexhep Taip Erdogan udhëheq privatizuesin e distribucionit.

Erdogan në Turqi ishte akuzuar nga partia më e madhe opozitare për keqpërdorim të autoritetit të tij si Kryeministër për dobi të “Çalik Holding”, ku kryesues është miku i tij Ahmet Çalik e Kryeshef Ekzekutiv i korporatës është dhëndri i tij Berat Albayrak.

Shitja e Lirë e KEDS-it

Në vitin 2012 ishte finalizuar procesi i privatizimit. Qeveria e kishte shpallur fitues konzorciumin e kompanive turke, ‘Çalik & Limak’. Kompanitë Çalik dhe Limak fillimisht kishin qenë konkurrentë për blerjen e KEDS-it, në ndërkohë ato ishin bashkuar gjatë procesit. Bashkimin e tyre e kishte miratuar edhe Komisioni Ndërministror i privatizimit të KEDS-it.

Ky konzorcium kishte ofertuar 26.3 milionë euro për blerjen e rrjetit energjetik dhe furnizuesit publik.

Çmimi ishte cilësuar mjaft i ulët dhe kishte shkaktuar pakënaqësi dhe protesta të sindikatës dhe opozitës. Ishin arrestuar edhe disa deputetë të cilët ia kishin mësyrë ndërtesës së Qeverisë ku bëhej procedimi i privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit.

Konzorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) dhe instituti GAP, atëkohë kundërshtuan shitjen e distribucionit me çmim kaq të ulët.

KOSID tregoi se Maqedonia 90 për qind të aseteve të saj të furnizimit dhe shpërndarjes së rrymës i ka shitur për një çmim dhjetëfish më të lartë se Kosova, ndërsa Mali i Zi 80 për qind të aksioneve të tij të kësaj fushe i ka shitur për 380 milionë euro. Shqipëria shiti 76 për qind të aksioneve të saj për 125 milionë euro.

Më 9 tetor 2012, Instituti për Studime të Avancuara, GAP, publikoi analizën “Procesi i privatizimit dhe vlera e aseteve të Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë”, në të cilën, ndër të tjera, MZHE-ja kritikohet për mostransparencë në procesin e privatizimit. Një ditë më vonë, kjo ministri reagoi duke i klasifikuar si të pabaza analizat e GAP-it, dhe duke pohuar se kanë qenë mjaft transparent.

Pas privatizimit, KEDS ka larguar disa punëtor të cilët kanë punuar më shumë se një dekadë, nga puna sipas raportimeve në korrik të vitit 2016. Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala kishte thënë se se shkëputja e kontratës bëhej me vullnetin e plotë të të dyja palëve. Kurse, palët kanë raportuar ndryshe. Sipas tyre KEDS e kishte arsyetuar vendimin me mbylljen e njësisë ku ata kanë punuar për më shumë se një dekadë

Gjithashtu edhe në shtator të 2016-ës ishin larguar edhe 95 punëtorë të tjerë. Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike kishte marrë vendim që për arsye ekonomike, teknike dhe organizative të mbyllë Departamentin e Projekteve në Operim, dhe si rezultat të gjithë të punësuarve në këtë Departament u ndërpriten kontratat e punës.

Në po atë muaj Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ndaj Qeverisë duke kërkuar përgjegjësi për largimin e punëtorëve.

Nënshkrimi i Kontratës për Privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit; Foto: mzhe-ks.net

Në muajin mars të 2017-ës, Prokuroria Speciale kishte nisur hetimin për “faljen” e katër hidrocentraleve. Ato ishin përfshirë në një pako me Distribucionin dhe Furnizimin, i cili ishte shitur për vetëm 26.3 milionë euro tek konzorciumi i kompanive turke, ‘Çalik & Limak’.

Gazeta JnK, kishte shkruar se privatizimi i katër hidrocentraleve ishte bërë në mënyrë tinëzare. Për përfshirjen e tyre në kontratën e privatizimit sipas gazetës nuk kishin pasur informata asnjë nga ministrat që kishin votuar për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit.

Së fundi, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Institutit GAP në lidhje me ankesën e kësaj të fundit ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila nuk i kishte ofruar qasje në dokumentet publike që lidhen me procesin e privatizimit të KEDS-it dhe Ofertimit të Projektit “Kosova e Re”.

Më 3 qershor 2013, Instituti GAP në emër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ka parashtruar padi kundër MZHE për mos lejim të qasjen në dokumente publike. Organizatat anëtare të KOSID, gjatë periudhës 2011-2013 kanë parashtruar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike në proceset e privatizimit. Të gjitha kërkesat janë refuzuar nga MZHE me arsyetimin se ato dokumente janë drafte dhe janë dokumente te klasifikuara për të cilat nuk lejohet qasje.

Ky Aktgjykim, ka ardhur katër vite e gjysmë pas parashtrimit të padisë, ndërsa GAP e cilëson si të vonuar për shkak se tashmë ka përfunduar procesi i privatizimit të KEDS-it.

Termocentrali i Shtrenjtë

Me 20 dhjetor Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane “Counter Global” kanë nënshkruar marrëveshjet komerciale për termocentralin “Kosova e Re”.

Në 19 janar Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka publikuar kontratat e nënshkruara të cilat janë në gjuhën angleze.

Për kontratat shumfaqeshe të këtij projekti u tha se merr 3 muaj kohë që të përthehet në gjuhën shqipe. Edhe për këtë projekt nuk kishte konkurrencë. Gjykata kishte vlerësuar se është shkelje e ligjeve dhe kushtetutës fakti që nuk janë publikuar draftet e kontratave për këtë projekt.

Para se të nënshkruhet kjo marrëveshje Qeveria e Kosovës kishte dalë me një komunikatë se kanë arritur mirëkuptim për të gjitha marrëveshjet.

Në anën tjetër Albin Kurti nga Lëvzija Vetëvendosje e kishte cilësuar kontratën me “Couneter Global” si hajni me transparencë.

Një grup i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë ka thënë sot se ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike deri në 50%.

Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka shprehur shqetësimin se Qeveria ka ndërmarrë vendime jo-transparente që shkojnë në dëm të interesit të Kosovës kur ka vendosur për ndërtimin e këtij termocentrali.

KOSID kundërshtimin e tyre për këtë projekt nuk e bazon vetëm në një argument. Ata prej kohësh kanë prodhuar shumë raporte të cilat japin të dhëna tjera prej atyre që deri më tani i ka prodhuar Qeveria e Kosovës. Ky konzorcium i organizatave të shoqërisë civile kishte kërkuar vazhdimisht që qeveria e Kosovës të investojë në ulje të humbjeve të energjisë si dhe në eficiencës të energjisë. Këto investime janë të nevojshme për të parë se sa ka nevojë Kosova për energji. Përvec kësaj ky konzorcium bazuar në studime të bëra nga ekspert me renome ndërkombëtare kishte thënë se termocentrali Kosova e Re është lehtë i zëvendësueshëm nga energjia që mund të prodhohet nga burimet e ripërtritshme. Madje, ata këmbngulin që energjia e ripërtritshme është më e lirë se sa e energjia e prodhuar nga një termocentral nëse merren parasysh edhe ndikimet anësore që vije nga ndotja dhe zhvendosjet nga një termocentral.

Ideja për një termocentral të tretë, për përmbushjen e nevojave për furnizim me energji elektrike ishte nisur në vitin 2005.

Atëbotë kur qeveria udhëhiqej nga Bajram Kosumi, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik nga Et’hem Çeku u hartua strategjia e zhvillimit të energjisë që parashihte  ndërtimin e termocentralit të quajtur “Kosova C”. Një vit më pas, më 2006, u hap për herë të parë tenderi për ndërtimin e tij. Projekti fillestar ishte ndërtimi i një termocentrali 2,100 megavatësh, në kuadër të të cilit ishte edhe miniera e qymyrit.

Plani fillestar ishte që ndërtimi të niste në vitin 2008, ndërsa në punë të lëshohej në vitin 2012.

Në fund të vitit 2007, qeverinë e mori PDK-ja dhe Kryeministri Hashim Thaçi.

Projekti u zvarrit. Qeveria Thaçi nuk arriti të përmbyllë këtë projekt. Në mandatin e dytë të Thaçit si kryeministër, gjithë energjia ishte e fokusuar në dy projekte tjera të mëdha: Privatizimin e PTK dhe KEDS-it, duke e anashkaluar termocentralin e ri.

Projekti “Kosova e Re” ishte në prag të dështimit në kohën kur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik po bëhej ndërrimi i timonierit. U largua Besim Beqaj dhe u bë ministër, Fadil Ismajli.

Ismajli e përfundoi mandatin në fund të vitit 2014, ndërsa ende nuk i kishte hapur as ofertën për këtë projekti. As ky nuk arriti t’ia qesë pikën këtij projekti.

Me ardhjen në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci bëri hapjen e ofertave të kësaj kompanie. Nuk vonoi shumë dhe u nënshkrua një memorandum i mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane, me anë të të cilave ato zotoheshin që të negociojnë disa mospajtime për përmbylljen e marrëveshjeve komerciale.

Marrëveshjet nuk u nënshkruan, përkundër që Stavileci ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik deri në shtator të 2017.

Marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” zyrtarisht u nënshkrua nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Joseph Brandt, drejtori ekzekutiv i “Countur Global”, Arben Gjukaj nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Kadri Kadriu nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Januz Kabashi, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Ekonomike “Ibër-Lepenci”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes 1.3 miliard euro të gjithë shtrënguan duart së bashku.

“Grandi” dhe Amortizatorët

Më 10 gusht 2006, Hoteli Grand u privatizua dhe kaloi në pronësi të kompanisë kosovare “Unio Commerce” me drejtor Zylqif Berisha i cili pagoi 8,1 milionë euro për blerje të tij.

Më 31 maj 2012, Agjencia Kosovare e Privatizimit mori vendim që t’i tërheqë aksionet e Berishës mbi asetet e “Hotel Grand” Sh.P.K për shkak se privatizuesi kishte dështuar t’i përmbushë obligimet nga Marrëveshja e Zotimit.

Sipas kësaj marrëveshje, privatizuesi ka pasur për obligim që të investojë 20,2 milionë euro dhe punësimin e 270 punëtorëve gjatë gjashtë muajve të parë dhe 540 të tjerë në fund të 12 muajve, të gjitha këto para 13 tetorit 2009.

AKP kishte thënë se se Berisha  ka përmbushur vetëm 8.32  për qind të zotimit për investimit dhe vetëm 79.5 përqind të zotimit për punësim.

Berisha nuk u pajtua me vendimin  e Bordit të Drejtorëve të AKP-së dhe dorëzoi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në aktgjykimin e Dhomës së Posaçme të cilën e kishte siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, Berisha ishte arsyetuar se investimet nuk i kishte bërë për shkak të paqartësisë së pronës.

Selim Pacolli, vëllai i zëvendës kryeministrit në largim Behxhet Pacolli, me kompaninë “Mabetex” dhe Remzi Ejupi me kompaninë e tij “Eurokoha” pretendojnë që nga fillimi se kanë hise në Grand Hotel Prishtina.

Bazuar në këtë aktgjykim ata pretendojnë se janë pronarë të 60 për qind të aksioneve (40 përqind Pacolli dhe 20 për qind Ejupi) të hotelit.

Mirëpo, Dhoma e Posaçme me aktgjykimin e fundit, nuk i ka njohur si pronar Pacollin dhe Ejupin në Hotelin Grand.

“Palët ndërhyrëse [Pacolli e Ejupi] nuk kanë pasur asnjë raport materialo-juridik me të paditurën (AKP) por vetëm një marrëveshje mirëkuptimi për blerjen e aksioneve me paditësin (Zelqif Berisha)” thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykimin e 17 korrikut 2014, Dhoma e Posaçme në Gjykatën Supreme në lidhje me AKP-në vendosi në favor të AKP-së e cila tërhoqi aksionet e pronarit të ri mbi asetet e hotelit.

Yjet Nuk Shndrisin Më Mbi Grand

Punëtorët e këtij hoteli të privatizuar disa vjet më parë ishin ballafaquar me zyrtarë të AKP-së, të cilët sipas tyre kanë ardhur që t’ua ndërpresin kontratat dhe t’i largojnë nga puna rreth 92 punëtorë.

Por, ky largim i punëtorëve nuk ndodhi, pasi që është arritur një marrëveshje e përkohshme për punëtorët e Hotelit Grand me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, pas mbledhjes që u zhvillua mes dy palëve.

92 punëtorë të “Hotel Grand” kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë të drejtat të tyre. Peticioni ka katër kërkesa kryesore, të cilat, nënshkruesit e tij ia kanë paraqitur Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi gjinore, Persona të pagjetur dhe Peticione.

Privatizim me shumë bujë ishte edhe shitja e Fabrikës së Amortizatorëve. Blerës të kësaj kompanie ishte Kompania Devolli Group. Për këtë privatizim disa herë është diskutuar në Kuvendin e Kosovës, sidomos nga deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje. Drejtësia në Kosovë kishte gjetur se me rastin e privatizimit të kësaj fabrike kishte parregullsi.

Parregullsitë në privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve