Dagestan, Rusi: Turma sulmon aeroportin ne kërkim të pasagjerëve hebrenj nga Izraeli

Një turmë në rajonin kryesisht mysliman të Dagestanit të Rusisë e ka sulmuar aeroportin në Makhachkala në kërkim të pasagjerëve hebrenj nga Izraeli pasi dolën raporte se një fluturim nga Tel Avivi po mbërrinte në këtë qytet. Pasagjerët u detyruan të strehoheshin në avionë ose të fshiheshin në aeroport nga frika se mos sulmoheshin. Autoritetet lokale shëndetësore thanë se 20 persona janë lënduar pa dhënë detaje të mëtejshme. Autoritetet thanë se aeroporti do të mbetet i mbyllur në pritje të “normalizimit” të situatës.

Qeveria e Dagestanit ka thënë se po forcon masat e sigurisë në të gjithë republikën, e cila është shtëpia e rreth 3 milionë njerëzve.

Sergei Melikov, udhëheqësi i Dagestanit, ka thënë se incidenti ishte një shkelje e rëndë e ligjit, edhe pse Dagestanët “ndjehen me vuajtjet e viktimave të veprimeve të njerëzve dhe politikanëve të padrejtë dhe luten për paqen në Palestinë”.

Izraeli u ka kërkuar autoriteteve ruse t’i mbrojnë izraelitët dhe hebrenjtë pas një vale të fundit dhune kundër objektivave izraelitë dhe hebrenj.

Në ditët e fundit, një qendre hebraike në ndërtim e sipër në Nalchik, kryeqyteti i republikës ruse të Kabardino-Balkaria, u dogj, thanë zyrtarët e emergjencës atje.

Kishte gjithashtu raporte në mediat sociale për tubime të vogla anti-izraelite gjatë fundjavës në Dagestan dhe në të gjithë Kaukazin e Veriut në jug të Rusisë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala