Behxhet Pacolli i Rikthehet Hotel Grandit

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli deklaron veten javën e kaluar si pronar i rëndësishëm aksionesh në hotelin “Grand” përkundër vendimit të autoriteteve që e kthen ndërmarrjen në pronësi shoqërore. 

Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) vendosi më 31 maj të vitit të kaluar që të tërhiqte aksionet e blerësit të hotelit “Grandit” në Prishtinë, pasi që privatizuesi dështoi që të përmbushte kontratën duke investuar mbi dhjetë milionë euro në të. 

Pacolli nuk njihej nga shteti si pronar aksionesh as gjatë kohës sa ndërmarrja ishte e konsideruar nga Agjencioni i Privatizimit në pronësi private. 

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, paraardhësja e AKP-së, e shiti hotelin në vitin 2006 për një shumë prej 8.1 milionë euro. Ajo, atëherë e administruar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kishte lidhur kontratë me privatizuesin “Unio Commerce”, pronë e Zelqif Berishës. 

“Blerës i kësaj ndërmarrje shoqërore ka qenë vetëm ‘Unio Commerce’, me pronar Zelqif Berishën dhe jo ndonjë kompani ose pronar tjetër”, thotë Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së. 

Sipas Kaloshit, çështjet e tjera që dalin nga marrëveshjet e brendshme ndërmjet personave të ndryshëm u takojnë atyre dhe jo e AKP-së.

“Grandi është qind për qind problem politik. Behxhet Pacolli

Megjithatë, zv/kryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Pacolli, e deklaroi si pasuri të patundshme hotelin “Grand” në formularët e deklarimit të pasurisë që dorëzohen në Agjencinë Kundër Korrupsion. 

Pacolli shënoi se ka pasuri në hotel në vlerë prej 3.3 milionë eurosh në deklarimin për vitin 2013. 

Të njëjtën vlerë ai e ka deklaruar në formularët e publikuar nga Kundër Korrupsioni edhe në vitin 2011 dhe vitin 2012.

Pacolli pretendon që ka fakte për pronësinë e tij në “Grand”. 

“Për ‘Grandin’ janë paguar paratë dhe ky shtet i ka marrë ato. ‘Mabetexi’ i ka paguar paratë dhe nuk ka pasur qasje asnjëherë në Grand”, thotë Behgjet Pacolli në për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Grandi është qind për qind problem politik”, shton Pacolli.  

Ai thotë se ky rast dëshmon për gjyqësor jo të pavarur.

“Grandi është shembulli më eklatant i politizimit të gjyqësisë sonë dhe uzurpimit nga njerëzit e ‘fortë’”, thotë Pacolli.

Pacolli reagoi të shtunën nëpërmjet postimit të një deklarate të tij në rrjetin virtual facebook.com 

Ai përmendi një vendim të Gjykatës Komunale të Prishtinës që kishte vendosur në favor të tij por pohoi se bashkëpronari i hotelit ishte ankuar dhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. 

“Një gjykatës i Gjykatës së Apelit e kishte kthyer në rishqyrtim për shkaqe të pakuptueshme dhe të pabaza. Ky rishqyrtim ende nuk është proceduar”, pohoi Pacolli pa përmendur emrin e gjykatësit dhe vitet se kur janë marrë vendimet e gjykatave. 

Zëvendëskryeministri nuk ka folur konkretisht as se për kë e ka fjalën kur përmend njerëz të fortë nga politika dhe as për atë se si ka mundur të ndikohet gjyqësori.

“Pronarë të grandit jemi ne” 

AKP-ja tash më nuk e njeh për pronar as Berishën pasi që në gusht të vitit të kaluar ka ekzekutuar vendimin e marrë nga Bordi i Drejtorëve në maj të vitit 2012.

“Pronar i vetëm i ‘Grandit’ është AKP-ja, si administratore e ndërmarrjeve në pronësi shoqërore, ashtu siç është e përcaktuar me ligjin mbi AKP-së”, thotë Ylli Kaloshi për Gazetën Jeta në Kosovës.

Me këtë vendim që në fillim nuk ishte pajtuar Zelqif Berisha. Ai kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit për tërheqje të aksioneve në Dhomën së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Grandi | Foto: Njomza Salihi

Në AKP deklarojnë se ky institucion ka vendosur në favor të tyre. “Pas seancën vendimmarrëse të mbajtur me datë 20 mars 2013, (Kolegji i Specializuar ) ka lëshuar aktgjykim, sipas të cilit, padia e paditësit refuzohet si e pabazuar në ligj”, thotë Ylli Kaloshi.

“Me këtë aktgjykim të Kolegjit të Specializuar rikonfirmohet se Bordi i Drejtorëve kishte marrë vendim të drejtë, të ligjshëm, pra në pajtim më ligjin e AKP-së dhe në pajtim me nivelin e përmbushjes së obligimeve të kontratës”, shprehet ai.

Por blerësi i “Grandit”, Zelqif Berisha beson që “lufta” e tij me AKP-në për këtë hotel po vazhdon . 

“Nuk është e vërtetë që kemi humbur rastin. Jemi në Dhomën e Posaçme dhe Gjykata ka dhënë masën e përkohshme deri kur të përfundojë krejt procesi”, thotë ai.

“Në qoftë se ka drejtësi, unë fitoj 100 për qind”, thotë Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Berisha ndërkohë pohon se ai është 100 për qind aksionar, si i vetmi person që kishte lidhur kontratë me agjencinë e privatizimit, dhe se Pacolli nuk ka mbështetje në pretendimet e tij.

Në AKP deklarojnë se masa e përkohshme e vendosur nga gjykata, të cilës i referohet Berisha, asaj i pamundëson vetëm të ndërmarrë veprime në lidhje me ri-tenderimin e hotelit. 

Kjo agjenci deklaron që kur e ka marrë nën administrim këtë hotel nga biznesmeni Zelqif Berisha biznesi ka pasur rritje të hyrash në veprimtaritë e saj. 

Sipas AKP-së është arritur inkasimi i qirasë e borxheve, ndërmarrja ka arritur të paguaj shërbimet publike e komunale, të rrisë të hyrat nga bujtjet si dhe të paguaj pagat e punëtorëve me rregull.

Akuzat për ryshfet në rastin “Grand”

Hotel “Grand” ishte regjistruar si ndërmarrje e re në prill të viti 2006 nga AKM-ja dhe pak kohë pas ishte privatizuar me metodën e “spin-off”-it special. 

Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit (AKM) nënshkroi kontratë për shitblerje aksionesh me Zelqif Berishën, si pronar i kompanisë “Unio Comerce”. 

Kontrata parashihte ruajtjen e natyrës së këtij biznesi, numrin e punëtorëve dhe investimin e një shume prej 20 milionë eurosh. 

Deri në vitin 2010, sipas AKP-së, në “Grand” ishin investuar vetëm 1.2 milionë euro.

AKP-ja trashëgoi këtë kontratë dhe disa herë i ka tërhequr vërejtjen e dhënë privatizuesit që t’i përmbahet kontratës, derisa në proces kishin dalë përplasje brenda kapitalit financiar që privatizoi këtë NSH.

Biznesmenët Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi ngritën padi në Gjykatën Komunale kundër Zelqif Berishës.

Gazeta Zëri në mars të vitit të kaluar raportoi se vendimi i Gjykatës Komunale e njeh Pacollin për pronar të 40 për qind të aksioneve në hotel si dhe Remzi Ejupin për pronarë të 20 për qind të të aksioneve. 

“Në aktgjykim thuhet se pas marrëveshjes nga ekstrakti i bankës rezulton se kompania ‘Eurokoha’ ka transferuar në konton e kompanisë ‘Unio Comerce’ shumën prej 4milionë e 11 mijë e 676 eurosh. Pas një kohe nga llogaria ‘Eurokoha’ janë transferuar edhe 1 milionë e 3 mijë e 200 euro”, raportoi gazeta Zëri.

“Pacolli e Ejupi deklaruan se Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Gazmend Abrashi dhe Naser Osmani u kishin kërkuar ryshfet në emër të Asanajt, ryshfet që arrinte në vlerë prej 4 milionë eurosh. 

Pacolli në reagimet e tij publike pretendon se ai ia ka dhënë afro 4 milionë euro Berishës për të kryer pagesën.

Përveç kontestit të hisedarëve mes vete, në rastin Grand kishte pasura akuza për ryshfet ndaj zyrtarëve shtetërorë.

Remzi Ejupi, pronar i kompanisë “Eurokoha”, akuzoi publikisht ish-kryetarin e bordit të AKP-së Dino Asanajn, tashmë i ndjerë. Ejupi pohonte në emisionin Interaktiv në qershor të vitit 2012 se Asanaj i kishte kërkuar ryshfet zv/kryeministrit të Kosovës Behgjet Pacollit. 

Një muaj më pas Asanaj vdiq nga plagët e marra me thikë. Autopsia përshkroi se bëhej për vetëvrasje. Prokuroria konstatoi se ishte vetëvrasje por po heton ende nëse ai ishte i shtyrë ta bënte këtë. 

Në rastin e Grand-it prokuroria kishte nisur hetime bazuar në akuzat publike të Ejupit. Gazeta “Koha Ditore” publikoi intervistat e hisedarëve të pretenduar dhënë hetuesve të EULEX-it ku ata deklaronin se Dino Asanaj u kishte dërguar persona të tretë për t’u kërkuar ryshfet me kusht që AKP-ja të mos e merrte vendimin për tërheqje të aksioneve, siç edhe ndodhi në majin e 2012-ës. 

Pacolli e Ejupi deklaruan se Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Gazmend Abrashi dhe Naser Osmani u kishin kërkuar ryshfet në emër të Asanajt, ryshfet që arrinte në vlerë prej 4 milionë eurosh.

EULEX-i hetoi mbi këto akuza, por mbylli hetimet ndaj të akuzuarve nga Pacolli e Ejupi në mungesë të provave. 

Pacolli nuk komentoi publikisht rastin e këtyre hetimeve. 

Ejupi në mars të këtij viti pohoi për Gazetën “Koha Ditore” se dyshonte se edhe Pacolli mund të jetë bërë pjesë e pazareve korruptuese për të mbyllur hetimet ndaj personave të përmendur për ryshfet. 

“Është korrupsion. Lënda e krimit dhe e korrupsionit nuk plaket kurrë. Këta mund ta korruptojnë këndo sot, por prapë do të zbardhet rasti”, pati thënë ai për gazetën “Koha Ditore”.