PTK - Shtyrja e Pestë

Qeveria shtyri të enjten për të pestën herë afatin e dorëzimit të ofertave të konkurrentëve për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Afati është shtyrë me arsyetimin nga MZHE-së se po vendoset për rritje të konkurrencës në procesin e privatizimit të PTK-së e cila kishte dështuar të shitet në tenderin e parë.

Në tetor të vitit 2011, tenderi i parë ishte anuluar pasi që pas tërheqjes së “Deutche Telecom” në garë kishte mbetur vetëm “Telecom Austria”. Qeveria kishte pohuar se nuk dëshironte të vazhdonte me vetëm një konkurrente, por kishte vendosur që të nxiste konkurrencën në këtë proces privatizimi.

Dy konferenca ndërkombëtare qenë mbajtur për promovimin e shitjes së aksioneve të PTK-së. Njëra ishte mbajtur në Londër e tjetra në Stamboll.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik njoftoi të enjten se Komisioni Qeveritar i Privatizimit vendosi të shtyjë sërish afatin edhe përkundër paralajmërimit që hapja e ofertave do të bëhej në ora 16:00. Këshilltari i ministrit të zhvillimit, Gëzim Baxhaku, nuk dha një shpjegim se pse qeveria ndryshoi qëndrim brenda një dite.

“Nuk kemi çfarë të shtojmë më shumë nga ajo që është shkruar në komunikatë”, tha Baxhaku.

MZHE-ja, në kumtesën e saj, tha se “KQP bazuar në këshillat e këshilltarëve të transaksionit, konsideron që shtyrja prej 2 javësh e procesit është në të mirë të rritjes së konkurrencës dhe realizimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për ekonominë e vendit”.

Afati i dorëzimit të ofertave në tenderin e dytë për privatizimin e PTK-së ishte shtyrë edhe katër herë të tjera.

Shtyrja e parë kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Konkurrentët kishin kohë të ofertonin deri më 15 janar. Qeveria pati thënë se për shtyrje kishte ndikuar interesimi për mbështetje nga institucionet financiare veçmas pas pranimit të Republikës së Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Shtyrja vlente deri më 15 janar. Por, më 9 janar ishte njoftuar se procesi po shtyhej edhe për dy javë tjera. Shtyrja e dytë ishte arsyetuar me anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe nga interesimi i këtij institucioni financiar për mbështetje të procesit të privatizimit.

Kjo shtyrje, thuhej nga MZHE-ja, ishte ndikuar edhe nga interesimi për mbështetje nga institucionet financiare, veçmas pas pranimit të Republikës së Kosovës si anëtare e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), si dhe ishte bërë në pajtueshmëri me rekomandimet e këshilltarit të transaksionit dhe atij strategjik, me qëllim të ofrimit të kohës adekuate për përgatitje të ofertave për kompanitë aplikuese.

Shtyerja e tretë kishte ndodhur më 23 janar të këtij viti. James Schmidt, këshilltar strategjik për privatizim, kishte deklaruar në një konferencë shtypi se shtyrja ishte bërë për të rritur konkurrencën, në mënyrë që të ketë oferta me çmime sa më të larta.Ndërkohë, vetë ministri Beqaj kishte deklaruar se kjo do të ishte shtyrja e fundit në tenderin e dytë të procesit të privatizimit të Postë-Telekomit.

Po atë ditë ishte njoftuar se ka ndryshime ne konzorciumet që janë në garë për privatizimin e PTK-së. KQP kishte miratuar përfshirjen e Citigroup Venture Capital International Advisors (CVCI) në konsorciumin e Twelve Hornbeams S.a.r.l /Avicenna Capital LLC, dhe përfshirjen e Central Balkan Investments Limited (CBI) në konsorciumin e M1 International Ltd.

Në fillim, në garë ishin pesë konzorciume, por mbetën katër pas tërheqjes zyrtare të “Albright Capital Menagment”. Në katër konzorciumet e mbetura ka kompani që kanë lidhje me politikanë si dhe kanë probleme me shkelje ligjore.

Për të katërtën herë shtyrja kishte ndodhur më 13 mars të këtij viti. “Shtyrja ka ardhur si rezultat i kërkesës së investitorëve për kompletimin e dokumenteve të tyre”, thuhej në kumtesën e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik (MZHE).

Më tej, MZHE-ja në arsyetimin e saj thoshte se ka marrë parasysh vëllimin e madh të dokumenteve të nevojshme që kërkohen nëpërmjet këtij procesi privatizimi, të cilin e klasifikon si “kompleks”.

“Me këtë vendim komisioni… favorizon konkurrencën e cila është vendimtare për suksesin e procesit të privatizimit…”, thuhet në këtë kumtesë.

Punëtorët protestojnë kundër shtijës së PTK-së

Punëtorë të PTK-së kanë protestuar edhe të enjten kundër shitjes së kësaj ndërmarrje publike.

Protesta përveç në Prishtinë ka pasur edhe nëpër qytete tjera të Kosovës.

Kreu i sindikalistëve të kësaj ndërmarrje Milazim Alshiqi ka paralajmëruar radikalizim të protestave nëse nuk ndalet privatizimi dhe nëse nuk nënshkruhet kontrata kolektive që ata e kërkojnë për siguri në punë pas privatizimit eventual.

Punëtorët e PTK-së kanë protestuar tash e tri vite kundër privatizimit prej hapjes së tenderit në vitin 2010.