Tentim Për Të Mbytur Protestën

Tentim për ta mbytur shprirtin e protestës dhe zërin e shoqërisë civile.
 
Kështu i ka quajtur Sami Kurteshi, Avokat i Popullit, reagimet e Policisë së Kosovës gjatë protestave të Lëvizjes “Vetëvendosje” në kundërshtim të privatizimit të distribucionit të KEK-u dhe më pas bisedimeve me Serbinë që nisën me një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Ivica Daçiq.

Gjatë këtyre protestave, deputetët e “Vetëvendosjes” u ndaluan të hynin në ndërtesën e Qeverisë dhe të Kuvendit, disa nga ata u përgjakën nga policët dhe shumë aktivistë u arrestuan e u lënduan. Disa organizata ndërkombëtare kanë kritikuar sjelljen policore.
 
Për më tepër, Kurteshi në emisionin “Jeta në Kosovë” ka akuzuar direkt Bajram Rexhepin, ministrin e Punëve të Brendshme, se po tenton “të instalojë shtet policor”.

Ombudspersoni Kurteshi tha se institucioni që ai drejton është ende në fazën e kompletimit të raportit në lidhje me protestën e cila u kthye në të dhunshme. “Nga raportet e para që kam lexuar, fatkeqësisht më duhet të konstatoj se ka tejkalim të qartë të kompetencave, gjatë veprimeve të policisë, në përdorimin e forcës”, tha Kurteshi.

 “Nga raportet e para që kam lexuar, fatkeqësisht më duhet të konstatoj se ka tejkalim të qartë të kompetencave, gjatë veprimeve të policisë, në përdorimin e forcës” Sami Kurteshi

Sipas tij, përveç përdorimit të forcës, ka pasur edhe përdorim të forcës që është shndërruar në përdorim të dhunës.

“Këto janë ato elemente që i kemi në bazë të pamjeve, vëzhgimeve apo bisedave qoftë me të ndaluarit apo ato që kanë parë në vendin e ngjarjes”, tha Kurteshi.

Rashit Qalaj, komandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, nuk e përjashton mundësinë që ndonjë polic të ketë tejkaluar autorizimet, por për këtë thotë se ekziston Inspektorati i Policisë i cili heton rastet e këtilla. Megjithatë, Policia e Kosovës thotë ai ka ndërmarrë veprimet e saj për të mbrojtur institucionet e shtetit, rendin dhe ligjin.

“Kemi pasur eskalim të disa situatave, të dhunës së protestuesve mbi policinë, dhe reagim normal të policisë”, tha Qalaj, duke reflektuar në veprimet e forcave të rendit që edhe nga organizatat ndërkombëtare si Amnesty International janë cilësuar si të dhunshme.

Në raportin e Amnesty International thuhet se “personat janë shtrirë në tokë dhe janë rrahur me shkopinj gome ose shqelma. Një burrë i moshuar u godit në kokë me një shkop dhe demonstrues që nuk bënë kurrfarë rezistence për t’i arrestuar  u shtynë në mes të policëve. Njerëzit e ulur në mënyrë pasive në tokë përballë  rreshtit të policëve, janë rrahur me shkopinj e individë të tjerë duket se janë keqtrajtuar edhe pasi ishin vënë nën kontroll dhe prangosur”.

Me këtë rast, AI ka rikujtuar se edhe në vitin 2011, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës  ka shprehur shqetësimet e tyre për Policinë e Kosovës kur pjesëtarë të “Vetëvendosjes” janë arrestuar e keqtrajtuar kur janë intervistuar.

Qalaj tha se policia nuk përdorë dhunë, por forcë në mënyrë të arsyeshme e proporcionale në raport me kundërshtarin. Ai shtoi se “disa skena që janë shfaqur në media janë nxjerrë nga konteksti”.

Sidoqoftë, sipas tij, ka shkelje individuale dhe jo të instituconit.

“Kemi pasur eskalim të disa situatave, të dhunës së protestuesve mbi policinë, dhe reagim normal të policisë” Rashit Qalaj

“Jemi shumë të interesuar që për çdo shkelje individuale, kushdo qoftë ai polic, të jepet dënimi i merituar në bazë të sjelljeve që ka bërë”, tha Qalaj. “Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar me hetimet preliminare të të gjitha këtyre rasteve që kanë ndodhur në sheshin ‘Nënë Tereza’. Kemi dërguar raportin e përdorimit të forcës të secilit polic të involvuar në menaxhimin e kësaj proteste në Komisionin për Përdorimin e Forcës”.

Ndërhyrja e Rexhepit – Joligjore

Ombudspersoni Kurteshi ndërkohë tha se ndërhyrja e Bajram Rexhepit, ministrit të Punëve të Brendshme, është veprimi më joligjor që ka mundur të ndodhë dhe i cili, sipas tij, do të duhej të hetohej nga një komision parlamentar.

Ministri pati thënë se ai kishte dhënë urdhër që deputetët protestues të mos lejoheshin të futeshin në ndërtesën e Qeverisë.

“Del ministri i Punëve të Brendshme edhe deklaron ‘për një minutë me m’i largu nga këtu’. Ky është urdhër operativ i ndaluar me ligj. Policia e ka për detyrë të mos e dëgjojë ministrin për urdhër operativ”, tha Kurteshi.

Ai deklaroi se është i vetëdijshëm se nëse një urdhër i tillë nuk dëgjohet edhe mund të ketë shkarkime. “Ky është problemi. Kjo është porosi për qytetarin e jo për policin”, tha Kurteshi.

Sipas Avokatit të Popullit, me këtë veprim, ministri Rexhepi ia përcjell porosinë qytetarëve se-“shikoni deputetëve çfarë iu bëj, po juve në rrugë”.

“E kjo është mbytje e kurajës qytetare. Këto janë elemente shqetësuese”, tha Kurteshi. “Ai deklaroi se kishte dhënë urdhër. Pastaj se ‘unë e ndal deputetin, kryesinë e Kuvendit, kryetarin e Kuvendit e  deri te Presidenca’. Këtë duhet ta shikojë Kuvendi me një komision hetimor parlamentar”, tha Avokati i Popullit.

Kurteshi tha se policia është e ndarë nga politika dhe urdhër japin vetëm komandanti, shefi operacional e kështu me radhë.

Ai hodhi poshtë mundësinë që deklaratat e tij të kenë ndonjë lidhje me faktin që vëllai i tij, Ismajl Kurteshi, është pjesëtar i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe ish-kandidat i saj për deputet të Kuvendit të Kosovës. Avokati i Popullit tha se me qëndrimet e tij i është besnik vetëm betimit të dhënë në Kuvend.

Nuk kishte urdhër për rrethim të Kuvendit

Komandanti rajonal i policisë Rashit Qalaj tha se nuk ka ekzistuar urdhër për “rrethim të Kuvendit”, ashtu si e kishte përshkruar gjendjen kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“A ka diçka më të keqe se të sulmohen institucionet? Ne kemi marrë masa paraprake për evitimin e një të keqe më të madhe”, tha ai.

foto  
Rashit Qalaj, komandant i policisë për rajonin e Prishtinës  

Qalaj e mohoi në mënyrë kategorike mundësinë që policia të jetë e përfshirë në lojëra politike. “Nuk jam kompetent t’i komentoj deklaratat e ministrit. Por policia nuk gjendet në mes dy zjarresh. Policia zbaton ligj. Problemi është se deputetët e nderuar po u prijnë  protesuesve për këto veprime”, tha Qalaj gjatë debatit të emisionit “Jeta në Kosovë’.

Sipas tij, ata kështu nuk po arrijnë t’i ndajnë deputetet nga protestuesit. “Dikujt ky shtet duhet t’i besojë. Unë i besoj shumë Inspektoratit Policor të Kosovës. Problemi i menaxhimit të trazirave është problemi më kompleks i të gjitha shteteve demokratike”, tha Qalaj.

“Policia e ka hierarkinë e saj komanduese edhe i bindet asaj hierarkie. Raportet e zyrtarit policor dhe MPB janë të rregulluara me Ligjin për Policinë. Policët nuk dëgjojnë urdhër nga politika, por nga eprorët e vetë”, tha ai.

Sipas Qalajt, policia ka marrë masa që të mos ketë dhunë në objektin e qeverisë dhe me këtë ka vepruar në pajtim me kompetencat preventive që të mos ndodhë diçka e keqe në institucionet e  Kosovës.