FOTO: KALLXO.COM Kompania, " Pastërtia" Nëntor 2020

Suspendohet përkohësisht nga puna kryesindikalisti i KRM "Pastërtia" në Ferizaj

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj sot, më 02.05.2024, ka marrë vendim mbi suspendimin e përkohshëm nga puna të kryesindikalistit Mexhid Ramusa.

Në vendim thuhet se arsye e suspendimit janë “veprimet e jashtëligjshme” të zhvilluara nga Mexhid Ramusa për zhvillimin e grevave të jashtëligjshme sipas dispozitave ligjore e të cilat greva kanë sjellë deri në shpalljen e gjendjes emergjente në grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave në qytetin e Ferizajt.

KALLXO.com ka kontaktuar kryesindikalistin Mexhid Ramusa, i cili ka thënë që ky vendim është hakmarrës dhe i padrejtë.

“Sot jam njoftuar nga telefoni nga zyrtari i burimeve njerëzore për suspendimin nga puna për arsye të organizimit të grevës, edhe pse unë kryetar i organizatës nuk kam qenë organizator i grevës por e kam mbështetur revoltën e punëtorëve e cila ka fillu si shkak i pakënaqësive dhe keqpërdorimeve ndaj menaxhmentit të kompanisë” – ka thënë ai.

Ramusa gjithashtu shtoi se ai nuk ka qenë organizator i grevave por vetëm mbështetës i grevës.

“Unë nuk kam qenë organizator i grevës por vetëm mbështetës, e kam mbështetur dhe vazhdoj ta mbështes grevën sepse punëtorët e kompanisë janë të shkelur, nuk u paguhet mundi i tyre, nuk u paguhet puna që e bëjnë dhe pretendimet e tyre se unë jam organizator nuk janë të vërteta” – ka shtuar Ramusa.

“Ky vendim është thjesht hakmarrës dhe nuk kanë të drejtë ligjërisht të marrin këtë vendim sepse unë jam zgjedhur nga punëtorët e kompanisë me vota dhe kam imunitet. Ky vendim është i padrejtë” – shtoi tutje Ramusa.

KALLXO.com ka kontaktuar kryeshefin ekzekutiv të KRM “Pastërtia”, Basri Sylën, i cili ka treguar arsyet që e kanë shtyrë për të marrë këtë vendim.

“Sot me datë 02.05.2024 e kam marrë një vendim për suspendim ndaj Mexhid Ramusa për arsye se i njëjti person ka bërë thirrje për grevë e cila ka qenë e ndaluar dhe e jashtëligjshme edhe nga Inspektorati i Punës në të kaluarën. Unë detyrimisht e kam marrë ketë vendim duke u bazuar në ligjet dhe rregulloret e kompanisë” – tha Syla.

Ai tregoi që e kanë ftuar dhe lutur Mexhid Ramusën që mos të bëjë këto veprime.

“E kam ftuar dhe lutur disa herë: “Të lutem mos bëj veprime që janë të jashtëligjshme!” Ai nuk ka dëgjuar dhe nuk ka bashkëpunuar”- tha tutje Basri Syla.

Ai tha se ka shkrime në rrjetet sociale që Ramusa ka bërë thirrje për grevë.

“Ka shkrime që Ramusa i ka bërë në rrjetet sociale për thirrje për grevë” – shtoi Syla.

KALLXO.com ka siguruar vendimin mbi suspendimin e përkohshëm nga puna të kryesindikalistit, Mexhid Ramusa, nga kryeshefi ekzekutiv i KRM “Pastërtia”.

Më 26.04.2024 Komuna e Ferizajt kishte shpallur gjendjen emergjente për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave në këtë komunë. Kjo pasiqë punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” kishin hyrë në grevë.

Komuna e Ferizajt e kishte quajtur të jashtëligjshme grevën e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike-lokale.

Mexhid Ramusa, kryetar i shoqatës sindikale “Qëndresa” kishte thënë më 26.04.2024 për KALLXO.com se punëtorët kërkojnë dorëheqjen e kryeshefit të KRM “Pastërtia”, Basri Syla.

Ramusa kishte thënë se në këtë ndërmarrje ka “hajni dhe keqpërdorime”.

Tutje ai kishte shtuar se punëtorët janë kërcënuar nga kryeshefi.

Ndërkaq, kryeshefi Syla kishte mohuar pretendimet për kërcënime nga ana e tij.

“Në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë, me përgjegjësi, morale, ligjore, njerëzore nuk kam kërcënu në jetën tem!!! Të hapur për negociata jemi, jena kanë, do të jemi! Gjithmonë në negociata për zgjidhje të cilës do kërkesë të realizueshme!”- tha ai në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Punëtorët e KRM “Pastërtia” më 25.04.2024 kanë protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e kryeshefit.

KRM “Pastërtia” pas protestës së 25.04.2024 ka reaguar në Facebook.