Policia: Grupe të Organizuara Tentuan të Hynin në Qeveri

Disa prej tyre kanë arritur me forcë të tejkalojnë rrethojat e objektit të Qeverisë dhe më pas njësitet policore janë detyruar që të intervenojnë për t’i parandaluar ata, thuhet në një njoftim shtypi të policisë.

“Përkundër paralajmërimeve të shumta të zyrtarëve policorë që të largohen, ata nuk janë larguar dhe policia është detyruar të intervenojë për mbrojtjen e objekteve shtetërore dhe krijimit të funksionimit normal te institucioneve shtetërore, mandat që i takon Policisë së Kosovës me ligj”.

Gjatë intervenimit policor janë përdorur pajisjet policore të PK-së si mjetet për shpërndarjen e turmave (spreji OC), si dhe për arrestim është përdorur forca e nevojshme e domosdoshme duarthatë, sipas policisë.

Në këtë intervenim thuhet se lëndime trupore kanë pësuar nëntë zyrtar policorë, si pasojë e veprimeve të dhunshme nga ana e protestuesve.

Si rezultat përfundimtar i operacionit policor që është udhëhequr nga drejtoria Rajonale e Prishtinës 66 persona janë shoqëruar në stacionin policor. Tetë prej tyre kanë kërkuar trajtim mjekësor dhe në bazë të informacioneve dy  persona të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

“Si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga hedhja e mjeteve të forta janë thyer dy xhama të objektit të Qeverisë dhe për këtë është hapur rasti policor ‘Dëmtim Prone’, si dhe rasti për ‘Moszbatim të Urdhrave të Ligjshëm të Policit’”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Baki Kelani

Policia thotë se protesta e mbajtur nga aktivistët e VV-se nuk ka qenë e lajmëruar në Policinë e Kosovës, siç kërkohet me ligjin mbi tubimet publike.

Me vendim të prokurorit personat e shoqëruar janë dërguar në gjykatë në procedurë të shkurtër. Kurse protesta ka përfunduar rreth orës 12.

Rexhepi: Policia Duhej të Ishte më Rigoroze

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha të mërkurën në Kuvendin e Kosovës se ai e ka dhënë urdhrin që policia të ndërhyjë për të larguar aktivistët, përfshirë deputetët, e Lëvizjes Vetëvendosje nga oborri i Qeverisë së Kosovës. Madje, ai tha se policia është dashur të jetë edhe më rigoroze në këtë rast.

“Po është e vërtet se unë kam dhënë urdhrin dhe urdhri është dashur të zbatohet edhe pak në mënyrë më rigoroze… Dhe dua të ju informojë se në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese nuk do të lejohet që as deputetët e Vetëvendosjes as deputetët e Kuvendit, as kryesia e Kuvendit, as kryetari i Kuvendit, deri te Presidenca me i blloku institucionet. Në këtë vend, në bazë të ligjeve ekzistuese dhe kushtetutës do të sundoj rendi, ligji dhe jo anarkia edhe kjo është derisa janë të vlefshme këto dokumente”, ka thënë ministri Rexhepi.

 

Reagimi i Rexhepit ka ardhur pasi kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ndaluar me urdhër të ministrit të rendit, dhe se policia i ka nxjerrë dhunshëm nga objekti qeveritar dhe ua ka mbyllur derën. “Prandaj, jemi vonuar sot në këtë seancë, për shkak se policia tha: ‘Kemi urdhër të mos ju lëmë të hyni’. Në kundërshtim me ligjin”, tha Ymeri, transmeton Express.

Ai tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dashur të hyjnë në objekt qeveritar, për të penguar nënshkrimin e kontratës për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut.

“Deputeti ka të drejt me hy në objektet qeveritare kur të dojë dhe si të dojë duke treguar kartën e identifikimit”, shtoi Ymeri.

Derisa fliste Ymeri, në sallën e Parlamentit nuk ishte i pranishëm ministri i Punëve të Brendshme. Por ai është kthyer për t’iu përgjigjur kritikave.

Fjala e Rexhepit është cilësuar kërcënuese nga deputeti Ymeri. Sipas tij, ministri nuk duhet t’i japë urdhra policisë, pasi që ekziston zinxhiri komandues. “Paska dhënë urdhër edhe me na rreh se po thotë më rigoroz është dashtë me qenë”, ka deklaruar Ymeri.

Për deklaratën e ministrit Rexhepi ka reaguar edhe kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, i cili ka thënë se ministri Rexhepi po përdor deklarata kërcënuese.