Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Tahiri (PDK): 1/3 e ministrave të qeverisë Kurti janë nën hetime për afera korruptive
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pretendon se niveli i korrupsionit në Kosovë është shqetësues.
Teksa ka folur për të gjeturat e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit(DASH), ai ka thënë se 1/3 e qeverisë Kurti janë nën hetime për afera korruptive.
“1/3 e ministrave të kësaj qeverie janë nën hetime për afera korruptive. E gjithë kjo situatë në vendin tonë, që është krijuar si rezultat i kësaj qeverie të dobët dhe me nivel të lartë të korrupsionit, e dëshmon atë që e kemi kërkuar në vazhdimësi si PDK, se ky Kuvend duhet të mblidhet sa më parë të diskutoj datën e zgjedhjeve”- ka deklaruar Tahiri, më 02.05.2024.
Duke iu referuar raportit të DASH-it, ai ka thënë se “Kosova sa i përket të drejtave të njeriut ka pësuar regres”. Në raport, sipas tij, specifikohet dhuna ndaj gruas, ndaj gazetarëve dhe ndaj grupeve të margjinalizuara.
Sipas tij, asnjëherë nuk ka pas rezistencë më të madhe për të themeluar komisionet hetimore.
“Asnjëherë nuk ka pas Kuvend të Kosovës që mbron me aq zell ministrat dhe zëvendësministrat e korruptuar. Sot në këtë seancë kërkojmë të trajtojmë të gjitha të gjeturat dhe të japim rekomandime kësaj qeverie”- ka shtuar tutje ai.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) po diskutohet sot, më 02.04.2024 në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.
Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.