Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri: Raporti i DASH-it thotë se kjo Qeveri ka probleme serioze me korrupsionin

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, teksa ka folur për gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, tha se në faqen e parë thuhet se qeveria ka problem serioz me korrupsionin.

Tahiri ka deklaruar se qeveria e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe nga ky raport.

“Jemi në muajt e fundit të një mandati katër vjeçar dhe ajo që mund të them si konstatim në emër të grupit që përfaqësoj është se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe, në vitin e fundit, duke evidentuar tri probleme shumë serioze që gjatë rrugëtimit të kësaj qeverie kanë qenë subjekt i diskutimit dhe i trajtimit jo vetëm të Kuvendit por edhe shoqërisë civile” – tha Tahiri.

“Po e nisi me gjetjen e parë që është në hyrje të raportit. Në faqen e parë thotë se kjo Qeveri ka problem serioz me korrupsionin” – tha Tahiri.

Deputeti i AAK-së tha se qeveri që tri vite nuk e ka sjellë strategjinë anti-korrupsion dhe sipas tij, të gjitha “aferave korruptive” u ka dalë në mbrojtje.

“Kjo qeveri në vend se të merr masa për të luftuar korrupsionin, ajo e ka korruptu luftën për korrupsion me dy veprime që janë publike. E para, si ka mundësi që kjo qeveri për tri vite nuk është në gjendje me pru strategjinë anti-korrupsion. Pse nuk ka ndodhë? A është kjo e qëllimshme, nuk  e di? E dyta, që lidhet me korrupsion, është reagimi që e bën qeveria. Të gjitha aferat që janë ndërlidhë me keqmenaxhimin e parasë publike, afera që janë publike, në të gjitha ka pasë mbrojtje. Është e pabesueshme kjo qasje”-theksoi Tahiri.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) po diskutohet sot, më 02.04.2024 në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.

Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.