KPMM - Foto: Kallxo.com

Një ditë para se t’ia dërgonte vendimin ‘Ferronikelit’, KPMM-së iu dogjën serverët

Për dy ditë radhazi, Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM)i ishin djegur dy serverë dhe disa pajisje përcjellëse.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i KPMM-së, Sali Mulaj i cili ka thënë se rastet kanë ndodhur me 27 dhe 28 gusht, në ditë të pushimit.

“Mos lëshimi i gjeneratorit ka rezultuar ne djegien e pajisjeve ka ndodhur ne datat 27.08.2022 dhe 28.08.2022 (dite pushimi) dhe kjo gjendje ka vazhduar me jave gjate tere kohës se reduktimeve pasi gjeneratori nuk është aktivizuar dhe UPS-at kanë mundësin te jene aktiv nga 30 minuta deri ne 1.5 ore varësisht sepcifikacioneve qe ka”, ka thënë ai.

Sipas Mulajt, djegien për shkak të energjisë elektrike e kishte konstatuar e departamenti i TI-së.

Tutje Mulaj për KALLXO.com ka thënë se asnjë e dhënë e KPMM-së nuk është humbur si pasojë e kësaj djegie.

“Asnjë e dhënë nuk është humbur pasi qe serverët kalojnë ne hapësirën tjetër qe alokohet për raste te tilla dhe kjo është e planifikuar për incidente te kësaj natyre”, ka thënë tutje ai.

Në një raport që KPMM ka përgatitur pas avarisë, është thënë se dëmet janë të pariparueshme.

Avaria në KPMM kishte ndodhur një ditë para se KPMM, t’ia dërgojë ndërmarrjes ‘Ferronikel’ vendimin për ulje të borxhit nga 9 milionë euro në rreth 1 milion euro.

KALLXO.com ka publikuar një hulumtim në të cilin tregoi sesi KPMM ia kishte zvogëluar borxhin ‘Ferronikelit’, duke filluar nga konstatimi i borxhit e deri tek vendimi për të ulur këtë borxh.