KEDS Vazhdon të Largojë Punëtorë nga Puna

Këta janë disa nga punëtorët e KEDS-it në Prizren, të cilët janë njoftuar se nga data 20 gusht nuk do të jenë më pjesë e kësaj kompanie.

Sipas tyre, KEDS e ka arsyetuar vendimin me mbylljen e njësisë ku ata kanë punuar për më shumë se një dekadë.

Gëzim Jelliqi thotë se më 20 korrik i është kumtuar lajmi se më nuk do jenë jetë punëtor i kompanisë.

“Sot na kanë thirrë në mëngjes, keni takim me drejtorin e Burimeve Njerëzore dhe na kanë thënë se prej këtij muaji shkëputet kontrata. Për momentin kurrfarë vendimi nuk na kanë dhënë, vetëm na kanë thirr sot në zyrë për me na tregu që na ndërpritet marrëdhënia e punës. Çfarë të drejte ka punëtori sot, pse mu dëbua unë në rrugë sot, në moshën 48 vjeçare, ku do të gjej unë sot punë”, ka thënë Jelliqi, i cili ka deklaruar ka punuar mbi 17 vite në KEK dhe në KEDS.

Ai thotë se nuk e di se nga do t`ia mbajë pasi që është në obligime në bankë dhe se askush në familjen e tij nuk është i punësuar.

“Kam kredi, kam studentë, tash unë punë tjetër s`kam ku të punoj, kreditin tim s`ka kush e paguan, për ne është bërë ma keq s`ka qysh bohet”, ka thënë ai.

Kolegu i tij, Arsim Krasniqi, thotë se do ta padisin KEDS-in pasi që ai thotë se shkëputja e kontratës është e padrejtë sepse ata janë punëtorë të cilët kanë punuar mbi dhjetë vjet në KEK dhe që nga privatizimi edhe në KEDS.

“Unë mendoj në gjykata me shkue. KEDS-i nuk ka pasë të drejtë për me na largu neve prej punës. Ne kemi kontratë në afat të pacaktuar dhe jo të caktuar dhe për këtë arsye edhe pse shkoj në gjyq unë e di se drejtësia është në anën time”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në një përgjigje me shkrim, ka mohuar që kjo kompani ka larguar punëtorë nga puna.

Ai thotë se gjithçka është bërë duke respektuar vullnetin e punëtorëve dhe në pajtim të dyanshëm.

“Asnjë punëtor në Distriktin e Prizrenit nuk ka pranuar njoftimin për largim nga puna, sikurse nuk i është shkëputur kontrata. Proceset tjera janë normale dhe janë bërë me vullnetin e plotë dhe pajtimin e plotë të dyanshëm”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.